Roger Federer njofton se do të pensionohet

Roger Federer njofton se do të pensionohet

Tenisti zviceran, Roger Federer njoftoi të enjten se do të pensionohet nga tenisi.

Ai tha se para pensionimit, ka edhe një turne javën e ardhshme.

Laver Cup do të jetë turneu i tij i fundit.

“Siç e dini shumë prej jush, tri vitet e fundit kanë qenë sfiduese për mua, për shkak të lëndimeve dhe operacioneve. Kam punuar shumë për t’u rikthyer në formë, por gjithashtu i di kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim. Jam 41 vjeç”, ka shkruar Federer në Instagram.

Tenisti tha se ka luajtur më shumë se 1.500 ndeshje gjatë 24 viteve.

“… është koha për t’i dhënë fund karrierës sime konkurruese”.

“Do të luaj më shumë tenis në të ardhmen, sigurisht, por jo në Grand Slam ose në turne”, tha ai.

I lindur më 8 gusht 1981 në Bazel të Zvicrës, Federer filloi të luante tenis në moshën tetë vjeçare.

Ai u bë tenist profesionist në vitin 1998, ku titullin e tij të parë e fitoi në Milano në 2001, dhe grumbulloi trofe çdo vit me përjashtim të vitit 2016, 2020 dhe 2021.

Federer konsiderohet një nga tenistët më të mirë në histori. Ai largohet nga ky sport me 20 tituj Grand-Slam dhe rekordin me tetë Wimbledon.

Ai ka marrë gjithashtu gjashtë Australian Open, pesë US Open dhe një Roland Garros.

Gjatë karrierës së tij ai ka fituar 103 tituj në përgjithësi.