Rivendikimet dhe paradigma e maturisë politike

Rivendikimet dhe paradigma e maturisë politike

Duket se Kurti, me marrëveshjen për targat, e ka dhënë sprovën e parë të durimit, të këmbënguljes dhe të maturisë politike. Një zgjidhje që mund të interpretohet si fitore për të dy palët, varësisht nga narracioni që ndërtojnë për ta plasuar në opinion. Por, ky është vetëm fillimi, ndërkohë që me gjasë ky proces do të zhvillohet hap pas hapi, pa tronditje të mëdha, por i shtrirë në kohë dhe më tepër i fokusuar në zgjidhje “të vogla” të cilat në fund të do japin pikturën e madhe të gjetjes së zgjidhjes pa “dhimbje” të mëdha për të dyja palët në bisedime.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Rivendikimet gjeostrategjike zbehen, por sakaq mund të rishfaqen me intensitet më të shtuar varësisht nga zhvillimet në skenën ndërkombëtare. Varësisht nga vatrat e krizës në gjeografi të caktuara, ashtu marrin rëndësi edhe prioritet e faktorëve relevantë ndërkombëtar, sidomos atyre që njihen si superfuqi dhe që kanë kapacitete ndikimi në rajone të caktuara. Sigurisht të gjithë mund të ëndërrojmë për një botë më të mirë që jeton në paqe, por kjo duket një utopi në një botë në të cilën aktorët kërkojnë primate, nganjëherë edhe në forma brutale antidemokratike siç është rasti tashmë me agresionin rus në Ukrainë.

Dhe, pikërisht ky agresion i pakuptimtë, tërësisht jolegjitim me pretekste që mund t’i shfrytëzojnë vetëm vendet autoritare siç është rasti me Rusinë e Putinit, tashmë ka krijuar një situatë dramatike në skenën ndërkombëtare, në gjithë atë ekuilibër legjitim të mbuluar nga OKB-ja, por edhe organizatat tjera ndërkombëtare që kujdesen për një botë më të drejtë dhe më demokratike.

Të gjithë vëzhguesit e vëmendshëm tashmë e kanë të qartë se ky agresion ka ndryshuar paradigmën në skenën ndërkombëtare, ka prishur “ëndrrën” e mekanizmave ndërkombëtarë që shërbejnë për të ruajtur paqen në botë dhe për të ruajtur ato ekuilibra që pamundësojnë eskalime të llojit të këtillë. Iluzionin për një botë të qetë që funksionon në kuadër të një normaliteti diplomatik dhe politik tashmë e ka zhbërë arsenali i luftës, predhat e pafundme që lëshohen mbi tokën e Ukrainës. Gjithë kjo na vendosë përpara një fakti absurd, paradoksal dhe njëkohësisht fatal: sa e brishtë dhe e lëndueshme është paqja dhe sa të brishta janë gjithë ato mekanizma demokratik nëpërmjet të cilave performohet baraspesha në nivel global.

Akoma më tepër, kjo kthesë dramatike po ushqehet edhe me një element tjetër të frikshëm, armët bërthamore, që mbeten një atu në duart e një qeverisje autoritare, e cila në kohën kur po shihet se ngadalë po e humb luftën i kthehet në formën më të vrazhdë kërcënimit me armët fatale për gjithë njerëzimin.

Pikërisht ky kontekst i komplikuar, i paprovuar më parë në sferën e gjeostrategjive, tashmë ka krijuar një situatë të paparashikueshme edhe në Ballkanin Perëndimor, aty ku mendohet se ndikimet mund të jenë shumë më të mëdha për shkak të rreshtimeve historike, të cilat rishfaqen në formë transponimesh të pozicioneve, në formë ndërrimi rolesh në gjithë atë fushëpamje në të cilën gjërat duken krejtësisht të pastra.

Për shkak të shumë zhvillimeve gjeostrategjike perceptimet në nivel Ballkani duket se kanë pësuar ndryshime, ose së paku ka tendencë që të shpërfytyrohen në esencën që përfaqësojnë, Në kohën që mbetet tërësisht e qartë që Kosova tashmë është një shtet i pavarur sovran, një Serbi e “përkëdhelur” dhe jo e ndëshkuar për krimet që ka bërë, shfaqet në pozicione të barabarta bisedimesh sikur të mos kishte ndodhur asgjë, apo sikur të bisedohej jo mes një viktime dhe xhelati në këtë rast, por mes dy shteteve normale. Dhe, këtë pozicion të ri në procesin e bisedimeve, Serbia tashmë fatkeqësisht e ka fituar nga kontelacionet ndërkombëtare, por duket se edhe për shkak të dobësisë dhe mungesë së vizionit dhe një projekti mirë të menduar ndër vite nga përfaqësuesit politikë të Kosovës. Pra, janë dy faktorë, që në këtë rast e kanë determinuar këtë “rikthim” të Serbisë në “normalitetin” e bisedimeve në raport me Kosovën. Konstelacioni ndërkombëtar dhe mungesa e një vizioni të brendshëm, që do të përfshinte të gjitha algoritmet e ndërrimeve në skenën ndërkombëtare dhe lëshimeve që mund të vijnë nga një situatë e komplikuar gjeopolitike, që rrezikon ekuilibra shumë më të mëdha historike.

Pikërisht për shkak të kësaj logjike deduktive në skenën ndërkombëtare, që po përcillet me kthesa dramatike, pasojat në nivele rajonale, në këtë rast në nivel të Ballkanit mund të jenë të parashikueshme dhe të prekshme. Mbi Kosovën gjithsesi, sidomos kur kemi parasysh që përballë ka një Serbi, e cila “flirton” gjatë tërë kohës edhe me Rusinë si një lloj aleance tradicionale, edhe me Perëndimin me një lloj kushtëzimi që ndërlidhet me destabilitetin e rajonit.

Sigurisht, në një kontekst të këtillë, qeveria Kurti, konkretisht kryeministri Kurti, ndodhet përballë një sprove të vështirë me shumë të panjohura, përpara një situate që kërkon shumë durim, shumë këmbëngulje dhe shumë përqendrim strategjik për të vënë në ekuilibër aspiratat e pandryshuara për sovranitet të plotë të Kosovës në procesin e bisedimeve dhe impenjimet e faktorit ndërkombëtar që kërkon një zgjidhje, një rezultat në procesin e dialogut me Serbinë. Përfaqësuesit serb janë “mjeshtër” të krijimit të situatave dramatike, të cilat iu ndihmojnë të bëjnë kthesë në favor të tyre. Ata i njohin mirë konstelacionet ndërkombëtare, i njohin mirë dobësitë që mund të shfaqen te faktori ndërkombëtar, i cili tashmë po përballët me një kërcënim real shumë të rrezikshëm.

Pikërisht, këto algoritme gjeopolitike dhe politike e bëjnë që kryeministri Kurti të ndodhet brenda një situatë shumë të vështirë dhe përballë një sprove që vjen nga jashtë dhe nga brenda. Sprova e brendshme ndërlidhet me dinamikat politike, të cilat shpeshherë shkojnë përtej seriozitetit në të cilën ndodhet Kosova në këto momente. Pikërisht për këtë shkak, Kurtit i duhet një mbështetje korrekte politike nga subjektet tjera politike në Kosovë për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Absolutisht janë joproduktive dhe të rrezikshme në këtë fazë përplasjet e brendshme politike, sepse kjo fazë kërkon një konvergjencë të plotë politike që do të fokusonte energjitë në procesin e rëndë të bisedimeve.

Duket se Kurti, me marrëveshjen për targat, e ka dhënë sprovën e parë të durimit, të këmbënguljes dhe të maturisë politike. Një zgjidhje që mund të interpretohet si fitore për të dy palët, varësisht nga narracioni që ndërtojnë për ta plasuar në opinion. Por, ky është vetëm fillimi, ndërkohë që me gjasë ky proces do të zhvillohet hap pas hapi, pa tronditje të mëdha, por i shtrirë në kohë dhe më tepër i fokusuar në zgjidhje të “vogla” të cilat në fund të do japin pikturën e madhe të gjetjes së zgjidhjes pa “dhimbje” të mëdha për të dyja palët në bisedime. E rëndësishme mbetet që në fund të procesit të ketë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, që duket se mbetet edhe qëllim final i faktorit ndërkombëtar.

SHBA-të dhe BE shihet qartë që tashmë kanë një impenjim shumë më të madh në procesin e bisedimeve, i cili me siguri që nuk do të përfundojë me ndonjë zgjidhje spektakolare të menjëhershme, por do të zhvillohet me shumë taktizime, hap pas hapi, pa lënë hapësirë për “fitore” të mëdha dhe për “dëshpërime” të mëdha.

Mbetet shumë e rëndësishme që në këtë kontekst kryeministri Kurti të vazhdojë me maturinë e deritashme, sigurisht duke hapur dialogun edhe me opozitën në Kosovë, por edhe me institucionet tjera të pavarura, të cilat mund të ofrojnë ekspertizë, vizion dhe strategji për këto momente të jashtëzakonshme historike. Pra, brenda pluralitetit politik, antagonizmave dhe përplasjeve shpeshherë të panevojshme do të duhet të mbruhet një strategji vizionare dhe e durueshme brenda gjithë procesit të bisedimeve. Dhe, sigurisht, kjo nuk është e vështirë nëse braktisen “inatet” politike dhe nëse tejkalohen “sedrat” partiake. Dhe, kjo duket si një domosdoshmëri në kohën kur tashmë Kosova po futet në një proces të pakthyeshëm bisedimesh që do të kërkojnë edhe vendime të vështira. Nëse aktualiteti operon me një të tashmë të acaruar politike bjerrakohëse, koha historike operon me konstanta përpjekjesh vizionare, të cilat mbruhen në të kaluarën e dhimbshme, por edhe në konceptet moderne që përkojnë dhe sigurojnë argumente për sovranitetin e padiskutueshëm të Kosovës përtej “zajednicave” mentale të diktuara nga pala serbe dhe përtej “përkëdheljeve” që mund të shfaqen herë-herë nga faktorë ndërkombëtarë.