` . Risk or utility! - TV-SHENJA

Risk or utility!

A lindën një epokë civilizimi ende më e re, … a është dija, risk or utility në perspektivë? Vetëm e ardhmja do ta dëshmojë…

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar

… Mbase, disa gjëra tashmë janë vendosur. Gjithçka që është pjesë e krizës ose e prekur nga kriza nuk do jetë e njëjtë si më parë. Ajo që është e vërtetë dhe e sigurt, pandemia do ta ndryshojë rendin global përgjithmonë në të ardhmen. Do të jetë më mirë ose më keq? Do kufizohet integrimi global apo jo? Këto anë pyetje më të vështira, kur merret parasysh jo vetëm situata në të cilën po kalojmë, ku askush me siguri nuk e di se çfarë vjen mbrapa, mbase edhe gjendja kronike e ekonomisë globale dy dekadat e fundit.

Paralajmërimet infektive virale nga SARS-i, më pastaj kriza ekonomike-financiare e vitit 2008, MERS-i, si dhe “terrorizmi”, konfliktet luftarake, migracioni, ndotja ajrore, ndryshimet klimatike, na mësuan se përfitimet dhe rreziqet në trendet globale aq shumë janë të ndërlidhura, saqë në kuptimin koniuktural marrin formën e “binjakëve siamezë”. Shumë teori ekonomike po pësojnë ndryshime të mëdha! Megjithatë, koha po ecë, debati për një shoqëri sa më të sheshtë dhe për treg të lirë do të vazhdojë. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se, ndërsa ecim, lundrojmë e fluturojmë në atë treg të lirë, shqetësimi i parë është recesioni i ekonomisë! Përderisa tregu nuk është vend, por është proces, krizat dhe oscilimet në ekonomi do jenë të paevitueshme. Nuk do jetë aspak surprizuese se transformimi i ekonomisë globale do të ketë trend të zhvillimit dhe do shkojë shumë përpara. Ç’model transformimi do të jetë ai? Në drejtim të transformimit të organizimit të korporatave ose të sofistikimit në teknologji dhe a mund që të dyja të veprojnë në “harmoni”?! A do të jetë ekonomia globale e përgatitur për një horizont post-pandemi dhe si do dukej në përbërje të strukturës së saj?! Dhënia e përgjigjes është njësoj sikur të mendojmë për një porosi ushqimore në këto kondita, mbase dhe online, “me karkaleca, rizoto dhe perime dhe me desert tiramisu krem karamel të kripur dhe kikirikë sipër”, e për të qenë krejtësisht i qartë, pra, nevoja për njohuri dhe shpikje të avancuara dhe aktive do të jenë në trend rritjeje të vazhdueshëm në çdo segment të ekonomisë. . !

Në mënyrë specifike, që në fillim po të ndalemi në segmentin e dytë të transformimit, vetëm për nga mënyra e atraktivitetit e për ta shtjelluar përgjigjen më hollësisht. Kështu mund të konkludojmë se, megjithatë, trendet e zhvillimeve në ekonominë globale do të shkojnë edhe më përpara në drejtim të ekonomisë së dijes dhe informacionit. Ekonomia globale shkon gjithnjë e më larg, duke mos u përqendruar më vetëm në përfitimet nga transporti i mallrave, kapitalit dhe njerëzve, por edhe në përfitimet nga transporti i ideve dhe informacionit! Këto trende janë një gamë e zhvillimit dhe transformimit, që kanë ndikim permanent në zvogëlimin e papunësisë në 30 vjetët e fundit! Dhe, sot kriza shëndetësore e pandemisë COVID-19 na dëshmon e na bën më largpamës se interneti dhe teknologjitë e sofistikuara janë thelbi i funksionimit të ekonomisë dhe shoqërisë globale. Interneti, ekonomia digjitale dhe e automatizimit, janë ardhmëria e ekonomisë, e cila do ta sjell ndryshimin dhe do ta garantojë rritjen. Përgjatë kësaj krize shumë sipërmarrje e biznese në këtë periudhë ndofta do të falimentojnë, madje disa do ta mbyllin aktivitetin e tyre për ca kohë, por do të rilindin të tjera në perspektivë me një koncept të ri në ekonominë e tregut. Aty është gjeneza e rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe krijimit të parasë.

Sipërmarrjet start-updomen të teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe shërbimeve do të vazhdojnë të jenë prioritet dhe ato do të përbëjnë boom-in e vërtetë ekonomik, të cilët përveç rritjes ekonomike do ta rrisin edhe cilësinë e atraktivitetit në treg. Po e theksoj përsëri: ekonomia digjitale dhe interneti dhe sasitë e mëdha të të dhënave cloud computing janë rrethanat që imponojnë imperativ në drejtim të globalizimit 4.0 në ekonominë globale me një mentalitet të orientuar në drejtim të dijes dhe informacionit. Kjo më detyron të them se ky globalizim, i a.q. opinion makers sui generis dhe i transformimit të pandërprerë të mendjes së hapur njerëzore, është sipërmarrja globale inovative e vizioneve strategjike në ekonominë “aerodinamike”. “Kjo sipërmarrje, duke përfshirë internetin e mallrave dhe shërbimeve, automatizimin, inteligjencën artificiale, shkëmbimin e të dhënave dhe teknologjitë e reja më të sofistikuara softuerike, konsiston në trendin e një force lëvizëse për rritjen e ekonomisë globale”. Platformat e gjigandëve amerikanë Facebook, Skype, Zoom, Microsoft, Google, IBM, Dell Technologies, RBM, Uber Technologies, si dhe titanëve kinezë dhe koreanë Alibaba Group, Baidu, Huawei Technologies, Samsung dhe shumë të tjerë, madje deri tek platforma Cryptocurrency (pavarësisht virtualitetit dhe mungesës së zyrtarizimit të saj), në kuptim të plotë të fjalës pasqyrojnë trendin e ri në ekonomi…

Brenda kësaj aerodinamike, G20-ta në shekullin e digjitalizimit parasheh se “deri më vitin 2030 interneti do zë 20%GDP-së së ekonomisë globale, derisa rritja ekonomike duhet të stimulohet nga koncepte e praktika të reja mbi konkurrencën”. Interneti ka ndryshuar dhe do vazhdojë të ndryshojë rrënjësisht gjithçka. Ndryshimet në përbërjen e ekonomisë në platformën e teknologjisë “IT” dhe industrisë së kreativitetit, si në tregun e kërkesë-ofertës agregate, ashtu edhe në tregun e punës, janë prirje që do prodhojnë risi dhe fitime. Në këtë aspekt, Gig Economy, e cila është në ekspansion përmes angazhimit të kontratave free lancer dhe gig workers të të punuarit nga shtëpia në programime dhe dizajn “IT”, edhe më tej do t’i rrisin të ardhurat personale dhe ekonomizimin e sipërmarrjeve në zvogëlimin e shpenzimeve. Ajo që shkon me këtë trend është se tregu global do të mbështetet hovshëm në investimet online dhe tregtinë elektronike, si dhe në atë të mediave“të internetit”. Në këtë drejtim, pajisjet celulare dhe kompjuterike smart kanë arritur të bëhen produkte të konsumit më masiv të mundshëm. Pastaj trendi i intensitetit të tregtisë në shërbime e-commerce, sidomos blerjet online dhe porositë delivery në pakicë, do të shkojë po ashtu në rritje.

Le t’i sqarojmë zhvillimet në treg shkurtimisht në këtë drejtim! Pasi furnizimi nëpërmjet konsumit në kushte normale për mallra bazë u ndërprenë për shkak të pandemisë, menjëherë filloi furnizimi alternativ i porosive të mallrave nëpër shtëpi, madje edhe nëse çmimet u rritën disi. Në këtë drejtim, edhe pagesat online, të cilat tashmë janë realitet, do të pasojnë akoma rritje në sofistikimin e pajisjeve. Përveç blerjeve online në kartela debitore dhe kreditore, sistemi “E-purse”tanimë rrok majat e përdorimit…

Buxheti dhe politikat e rimëkëmbjes!

 … Fakti se “Etat providence”, “Welfaire States” ose “Vulnerable”, të sëmura në nivel global së paku për këtë vit, sipas parashikimeve do të kalojnë dhe do të përballen me recesion të thellë të ekonomisë, falimentim në treg, rënie të produktivitetit dhe papunësisë shkaku i “lockdown-it”, por kjo nënkupton se ndërhyrja e mëtutjeshme në rritjen e borxheve, për të siguruar para mbi rimëkëmbjen dhe “projektet kapitale të pezulluara”, do të forcohet edhe më tej. Këtu më nuk është çështja se kush do të fitojë i pari ndaj pandemisë, individi apo sistemi, porse për një përpjekje të përbashkët për likuiditet, për të gjetur, siguruar e krijuar para. Sigurisht se do ketë shumë para në treg! Në thelbin e kësaj emergjenca dhe rimëkëmbja çon drejt varësisë nga institucionet ndërkombëtare financiare. Situata tregon se buxhetet do gjenden nën presion të madh e do të jenë sfidë serioze për qeveritë. Kjo praktikë “e dhënies borxh” buxheteve të ardhshme përmes paketave ekonomike anti-krizë, dita-ditës po rritet dhe do rritet edhe në periudhën post-krizë, që në një formë pothuajse “anatemohet” një pjesë e rëndësishme e “ekonomisë së tregut”. Andaj le ta marrim se është normale për t’u ballafaquar me krizën derisa tregu të rihapet! Por, kjo nuk do të thotë që qeveritë të shpenzojnë pa limit. Buxhetet duhet të përgatiten me orientim racional të parasë publike. Paratë e marra borxh e të injektuara për ta likuiduar dhe rimëkëmbur ekonominë kërkojnë administrim transparent dhe llogaridhënie, e jo moral të rremë dhe mashtrues politikë! Nuk mundet përjetësisht që në emër të lehtësirave të tilla per capita t’u lëmë barrë gjeneratave që vijnë për fajin e zakoneve të vjetra të politikëbërjes së keqe, klientelës politike dhe oligarkisë konformiste në abuzimin me taksat dhe paratë publike. Kjo do ishte e turpshme dhe e padëshirueshme!

Ekziston vetëm një e vërtetë, në radhë të parë, se qeveritë për t’u përballuar me krizën do të jenë të obliguara të hartojnë reforma në suaza të kursimit dhe reduktimit të shpenzimeve buxhetore për një ridisiplinë fiskale, përkatësisht rikonfigurim të konsolidimit të financave publike, për të krijuar ambient të rivendosjes së ekuilibrit makroekonomik. Vetëm në kuadër të kursimit racional të parasë publike dhe reduktimit të shpenzimeve publike mund të arrihet në rritjen e investimeve, zhvillimit dhe mirëqenies. Shkurtimet e shpenzimeve pa nevojë “të pushtetit politik”, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në reduktimin e diferencave sociale, do duhet të jenë më se prioritet. Sa për ilustrim, trendi i normës së kursimit të GDP-së në vendet me ekonomi të avancuara me fokus të veçantë tre vendet e G7-tës, si SHBA, Gjermania dhe Japonia, gjatë pesë dekadave të fundit mesatarisht kjo lëviz nga 20%-35%. Norma e tillë e kursimit është parakusht për rimëkëmbje dhe rritje të shpejtë të ekonomisë së tyre nacionale, por edhe të lëvizjes drejt rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë globale në tërësi. Këtu duhet përmendur edhe dy gjëra të tjera: shndërrimi dhe rritja e rezervave devizore ne rezerva të arit, përmes efektit “safe haven” për investim afatgjatë të të qenit të gatshëm, përkundër rrezikut të mundshëm nga inflacioni i lartë, duhet të jenë prioritet, gjersa çmimi i arit po rritet, po kështu derisa çmimi i naftës është në rënie si çështje më “komplekse” e kontratave mes vendeve eksportues dhe nënkontratave mujore “futures” të shpërndarjes “fizike” të naftës për çdo muaj, si dhe aktualisht shkaku i pandemisë gjithashtu duhet të rrisë rezervat shtetërore. Çfarëdo mekanizmi që ka të bëjë në lidhje me sigurimin dhe kursimin e parasë në kuadër të “tavanit” kufizues, është nevojë urgjente dhe ai duhet të vihet në zbatim. Për ta formuluar, “lehtësimi sasior” i politikave jokonvencionale aq“helikopter Money” nuk është i përshtatshëm derisa kriza nuk mendohet të jetë afatgjatë.

Çështja tjetër kryesore e politikave pro aktive të masave të stimulimit fiskal “for soften blow” është se cili do jetë niveli i taksimit. Taksat dhe tatimet, as në sensin makroekonomik, as edhe në atë politik, nuk duhet të jenë aspak të komplikuara. Kjo do të thotë se nëse shkojnë më lart, tregu dhe njerëzit nuk do jenë në gjendje t’i shlyejnë. Prandaj, është e patjetërsueshme që lehtësirat fiskale të kenë konsistencë zbatimi aty ku është nevoja më e madhe, sidomos në punën dhe në akselerimin e investimeve private edhe për një kohë post-krizë, për të siguruar ambient për bilanc pagesor më të ekuilibruar dhe likuiditet të qëndrueshëm.

Për më tepër, përveç kësaj, është më se domosdoshme të hartohen tashmë strategji se si duhet të duket digjitalizimi i plotë, si nga perceptimi i tregut, ashtu edhe ai i institucioneve publike për të përgatitur sistem të mirëfilltë teknologjik për sfidat e të ardhmes. Përshtatja e teknologjisë me sipërmarrjet dhe institucionet është thelbi që determinon mundësi për menaxhim dhe qeverisje më efikase, si dhe zvogëlim të shpenzimeve administrative. Sa për të mbitheksuar, gjersa arsimimi është çelësi i shoqërisë, ndërsa shkenca dhe teknologjia e ardhmja, në këtë drejtim infrastruktura për punë dhe aktivitet nga distanca duhet të jetë precedent e të mos neglizhohet më. Edhe pse këto teknologji i kanë rreziqet evidente për sa i përket privatësisë dhe sigurisë së njerëzve. Sidoqoftë, droja kërkon një konsensus të gjerë global për këto rreziqe!

Lesson!

 … Ndonëse, leksionet e paradigmave anti-krizë në të kaluarën na mësojnë se në kohë begatie ajo çka në të vërtetë (të gjithë) duhet bërë është e vetmja gjë – to be relyon the market, në kohë krize dhe në perspektivë, pasuar me vështirësi ekonomike dhe financiare, për të ruajtur, shpëtuar dhe siguruar sa më shumë nga ajo që kemi, dhe për t’u fokusuar në një rritje sa më të shpejtë ekonomike pikësëpari, përveç largimit të veseve të këqija të keqtrajtimit dhe përbuzjes së parasë publike, do të duhej ta ruajmë qetësinë dhe të shfletojmë shumë më shumë për menaxhimin, riorganizimin dhe rimodelimin e potencialit të kapaciteteve institucionale. Për këtë, në këtë kuadër të konditave aktuale e më tej, janë disa çështje korrektësisht të rëndësishme.

Përderisa, shqetësimet për të ardhmen tashmë janë evidente, ku ekonomia globale po cenohet në mënyrë dramatike me një krizë të shock-ut në treg, me një përballje drastike “large drop”GDP-së, le ta sqarojmë se si është gjendja “shëndetësore” e ekonomisë në këtë moment. Nuk ka asnjë dilemë se kjo është krizë ku tregu i produktiviteti dhe i punës ka shkuar në nivelin më të ulët që nga “Depresioni i Madh” i viteve 1929-1933 të shekullit XX. Edhe pse aktualisht pasojat sociale të krizës janë më pak të tmerrshme dhe më pak të jashtëzakonshme se në atë kohë, sado e ngathët të duket status quo-ja, për të vetmen arsye, atë të “sigurisë së qëndrueshme”, si dhe masave për një emergjencë ekonomike mbi të ardhurat inkluzive në paga, pensione ose asistenca sociale. Në të njëjtën kohë duhet të merret në konsideratë zhvillimi ekonomik shumë më i përparuar që po ndodhë në këtë kohë. Prandaj për të tërhequr paralele, në njërën anë kriza aktuale ka goditur një masë jashtëzakonisht të madhe të tregut dhe punës (në shumë raste, ajo që po ndodh tani, ndërprerja dhe mbyllja e tregut në disa sektorë të rëndësishëm është shumë më shumë se masa e përgjithshme e produktit, mallrave dhe shërbimeve në atë kohë). Në anën tjetër, pikërisht për arsye të dinamikës së aktivitetit ekonomik shumë herë më të madh e më të shpejtë, veçanërisht për arsye të organizimit shumë më të mirë, ekonomia globale është shumë më e suksesshme në trajtimin e efekteve ekonomike aktuale, krahasuar me atë kohë. Në këtë sens, vlen të theksohet se, përgjatë viteve të ’30-ta sistemi financiar dhe ai bankar ishin shumë të brishtë dhe të papjekur, kurse politikat adaptuese ekspansioniste monetare ishin shumë të disperzuara, që do të thotë se nuk kishte aspak bashkëpunim dhe kooperim midis bankave qendrore, siç po ndodh sot. Për shembull, vetëm banka federale e rezervave në SHBA: “për katër vite me radhë imponoi politika monetare restriktive, që çoi në tërheqjen e depozitave dhe shkatërrimin e qindra bankave amerikane”. Sot bankat qendrore jo vetëm që kanë bashkëpunim shembullor, porse edhe shqyrtim shumë racional për të shmangur rreziqet, duke vepruar me një intervenim të shkathtë, do të thosha dhe të guximshëm përmes politikave monetare dhe duke e zvogëluar normën bazë të interesit në nivelin më të ulur të mundshëm për të krijuar ambient dhe mundësi të qëndrueshëm për likuiditet. Dhe, ky trend i zbatimit të këtyre politikave të uljes së normës së interesit do të mbahet në fuqi edhe për një kohë, për të mos çuar në një situatë të re krize me efekte financiare, goditje ndaj profitit bankar, si dhe për një “out flow” të tërheqjes së depozitave nga bankat. Është detyrim parimor që sistemit bankar t’i mundësohet të qëndrojë sa më i shëndetshëm për likuiditet dhe për aftësi të pagimit.

Këto konstatime dhe të dhëna, të dokumentuara dhe të argumentuara, japin alarmin për një trajtim sa më profesional e me vigjilencë dhe pa hipokrizi të situatës së emergjencës për dalje të ekonomisë nga letargjia, si dhe të kujdesit për “shëndetin” e së nesërmes. Gjithë ky shpjegim, gjithmonë sipas probabilitetit, do të thotë se optimizmi nuk është tkurrur për një rimëkëmbje më të shpejtë, ku konstatimet tregojnë se trajektorja e kurbës së krizës do ta marrë formën V, pa kaluar në formën e ekstremeve W, U apo L për të lënë pasoja afatgjata!

 Vuajtjet dhe bashkëpunimi!

… Natyrisht, kjo krizë e dyfishtë e pandemisë dhe efekteve në ekonomi nuk është si asnjë nga krizat e mëparshme, ngase është shëndetësore dhe jostrukturore ose ciklike. Pra, është një krizë me vështirësi likuiditeti në ekonomi, e cila për një kohë afatshkurtër ka çuar gati se në falimentim dhe zhbërje të një pjese të madhe të aktivitetit ekonomik, andaj zgjidhja e vetme është rihapja e tregut. Por, ajo që e ofron me ato kriza është zvogëlimi enorm i krijimit të parasë – rritja e papunësisë dhe ulja e produktivitetit. Ky pozicion “deflacionist” i padëshiruar në treg, shkaktuar nga mbyllja dhe izolimi, nëse kriza do të zgjat, mund ta thellojë edhe më tej mungesën në investime dhe shpenzime private për një kohë të pacaktuar. Njerëzit, duke qëndruar sa më larg rrezikut, mund ta ulin mentalitetin konsumues, duke e ndryshuar mënyrën e jetesës jo vetëm në aspekt të kujdesit shëndetësor, porse edhe në drejtim të konsumit për mallra lukse dhe inovacione. Për pasojë, është evidente se pandemia në disa sektorë, siç janë shërbimet e transportit, hotelerisë dhe turizmit etj. me 10.3% të gjenerimit të GDP-së së ekonomisë globale, ku vetëm turizmi gjeneron rreth 330 milionë punësime, mund ta ngadalësojë tregun për një kohë afatmesme. Ajo që dua ta theksoj, për të ndihmuar të mbijetojnë e për t’i kthyer këta sektorë në “pool position”, bashkëpunimi dhe rirreshtimi janë çështje parësore globale! Për të dhënë një statistikë lineare: World Travel & Tourism Council, derisa pothuajse këta sektorë nuk ekzistojnë, parashikon rimëkëmbje 20 muaj pas përfundimit të krizës. Vendet më të prekura nga kriza e pandemisë, ato me ekonomi të avancuar dhe të zhvilluar, si SHBA-ja dhe vendet e BE-së, duke lëvizur një pjesë të madhe të recesionit të tyre edhe në vendet tjera, mbase janë eksportues më të mëdhenj dhe për një kohë afatmesme do të sjellin çrregullim në zinxhirin e tregut në mallra e shërbime. Vetëm dy vendet e grupit “BRIC” të ekonomive të emergjencës, si Kina dhe India, pritet të kenë rritje edhe në vitin 2020 (nga 1.2%, përkatësisht 1.9%GDP-së) të pandemisë, pavarësisht slow down-it të ekonomisë së tyre për këtë vit. Duke i marrë parasysh edhe kontestet tregtare me akuza dhe kundërakuza, të shndërruara tanimë në “luftë” tregtare, sidomos mes SHBA-së dhe Kinës, por jo vetëm, e që do pasojnë, si dhe situatës së pandemisë ku çdo vend gati se “lufton” për veten, kjo mund të çojë në “reshoring” të tregut të punës, që do të thotë se sipërmarrjet, shkaku i sigurisë nga rreziqet, do të fillojnë ta kthejnë tregun e punës në vendet e tyre.

Me fjalë të tjera, pandemia, siç duket, ka hapur një dritare për futjen në funksion të një sistemi global më gjithëpërfshirës dhe më racional në ruajtjen e stabilitetit financiar të institucioneve ndërkombëtare monetare, si dhe krijimin edhe të institucioneve tjera që do merren me vuajtjet dhe parandalimin e pabarazisë! Dhe, në këtë pikë, të mos harrojmë, investimet në sipërmarrje të a.q. të “biznesit social”, përmes mikrokredisë dhe filantropisë, të njohura edhe si “bankat e të varfërve”, për ta ndaluar trendin e pabarazisë, duke krijuar vende të reja të punës (sot, mbi 300 milion njerëz përfitojnë), si dhe plotësimin e nevojave të njerëzve të varfër si një ide me koncept më inventiv dhe inovativ për të krijuar një “glob pa varfëri”, do kenë hapësirë në infrastrukturën globale,… Grameen Bank me themelues nobelistin për paqe, Muhammad Yunus, është një prej tyre!

Post Scriptum.

…Përndryshe in retrospect, ajo se ekonomia globale tanimë pas një “temporary block” ose “great lock down-i” “të papritur” është në “deep recesion” për këtë s’ka mëdyshje. Pandemia COVID-19 ka shkaktuar një hendek të paparashikuar! Ekonomia globale është thyer dhe gërryer dhe kërkon performancën përsëri në një “outputgap” të saj. Shkaktohen humbje të mëdha, përkatësisht globi sakatohet në çdo pikëpamje. Entuziazmi pothuajse ka humbur shkëlqimin; humbjet në jetë njerëzish, izolimi i njerëzve duke qëndruar në shtëpi, si dhe mbyllja e një pjese të madhe të tregut, pasuar me humbje të mëdha financiare dhe vende të punës, aktualisht janë verdikti i përplasjes. Recesioni tanimë është frika më e madhe sesa frika ndaj pandemisë! Për aq sa kohë zgjat kjo situatë, ajo që duhet nënvizuar është se njerëzit e humbasin durimin, veçanërisht ata që janë të detyruar të qëndrojnë mbyllur dhe në izolim. Ata nuk kanë mundësi të jetojnë në këto rrethana, në këtë kontekst, ngase kanë frikë se do t’i humbasin vendet e punës, se nuk do mund t’i paguajnë faturat rregullisht, se do të ngelin pa paga, pa sigurim shëndetësor, madje edhe pa strehim.

Nga sa e shohim, ende jemi nga fundi i fazës së parë ose të dytë (në varësi të rrethanave të menaxhimit ndër vende) të pandemisë dhe pasojave ekonomike. Efektet, të paktën në plan afatshkurtër, do të jenë të mëdha, sepse nuk duhet të pritet që gjithçka përnjëherë të jetë ashtu siç ishte para dhe në fillim të pandemisë. Ndërprerja e transportit, si dhe kufijtë e mbyllur, kanë ndikim negativ në lëvizjen e mallrave, kapitalit dhe njerëzve. Me kalimin e kohës, kur pandemia do të zbehet dhe kur të rifillojë gjithçka në normalitet, atëherë mund të flasim për një analizë më të saktë dhe më përmbajtjesore. Reagimet ndaj krizës, shikuar në këndvështrimin e pandemisë, në fillim pothuajse kudo ishin nën pritshmëritë, për të mos thënë më keq. Tani për tani, kur procesi është në mes, shtegu duket drejt një kthese më të dukshme. Largpamësia e Kinës, mbase edhe nga ku u shkaktua pandemia, dalja pothuajse e plotë nga kriza, ndihma dhe emergjenca e saj gati se kudo në botë, në fakt i tejkaloi të gjitha pritjet! Mbase kjo çështje është për një trajtim më të veçantë për ta shtjelluar në detaje!!! Nëse duhet ta them edhe këtë se vendet e tjera neglizhuan shumëçka dhe dështuan në fillim të krizës. Kriza duket më keq në ato vende ku duhej të merreshin shumë vendime racionale. Pavarësisht kësaj, kjo krizë na mëson se kërkohet më shumë bashkëpunim dhe solidaritet!

Pavarësisht kohështrirjes së pandemisë, siç duket, kostoja e betejës do të kushtojë më shumë dhe do të jetë më e madhe sesa llogaritej në fillim të krizës. Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas studimit dhe shifrave më “të sakta” të fundit të 24 prillit, parashikon rreth nëntë trilionë dollarë amerikan humbje kumulative të GDP-së në ekonominë globale gjatë vitit 2020 dhe 2021, ndërsa recesioni ekonomik për vitin 2020, sipas atyre parashikime, do të tkurret deri më -3% (konkretisht 30 pikë nën zero), ndërsa rritja pritet të arrijë deri më 5.8% në vitin 2021. Ndërkaq, sipas parashikimeve të Oxfam-it, konfederatë kjo e 19-të organizatave bamirëse të pavarura në glob, kriza ekonomike, si pasojë e pandemisë, mund të çojë në mbi 500 milion njerëz shtesë në nivel të varfërisë me të ardhura nën 5.50 dollarë amerikanë në ditë, kjo për shkak të një rënie të të ardhurave prej 20%. Sigurisht që do ketë edhe shumë dhimbje! Në këtë kontekst globi, po ashtu, do “të luftojë” edhe me valën e papunësisë! Prandaj, është koha për mobilizim “righton time therapy” dhe front të bashkuar, më të theksuar. Mjafton të veçojmë se deri sa humbjet në vende pune rriten, International Labour Organisation vlerëson se humbjet e mëdha në të ardhura do të luhaten nga 860 miliardë deri në 3.4 trilion dollarë, që do ndikojnë në ulje të konsumit të mallrave dhe shërbimeve. Vetëm deri në dy javët e kaluara të krizës, në kondita aktuale, janë mbyllur mbi dhjetë milionë sipërmarrje e biznese. Në këto javë e ca, kufijtë përkohësisht i janë kthyer modelit të vjetër: mbase gati se çdo vend, në njërën anë, është në vëzhgim përmes të mikroskopit, “dylbisë” dhe llupës “survejuese”, ndërsa në anën tjetër është nën mbrojtjen e maskave dhe në përpjekje për t’u pajisur sa më shumë me pajisje mjekësore, si dhe për të siguruar para. Kjo, thënë thjesht e shkurt, është beteja…!