` . Rilindja Shqiptare në Bullgari - TV SHENJA

Rilindja Shqiptare në Bullgari

Shqiptarët që e zhvilluan aktivitetin e tyre në Bullgari dhanë një kontribut të veçantë në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe të botimeve shqipe, që nga atje shpërndaheshin në drejtime të ndryshme ku kishin lexuesit e tyre. Pas kolonisë shqiptare të Rumanisë, kolonia e Bullgarisë do të ketë rol të veçantë edhe për arsye se ishte më afër viseve shqiptare.

Shkruan: Besnik EMINI, Tetovë

Pas pavarësimit të Bullgarisë nga Perandoria Osmane, brenda kufijve të saj aktivitetin e tyre e zhvillonin disa shoqata shqiptare. Pas Rumanisë, në hapësirën ballkanike Bullgaria u bë vendi i dytë ku mori hov veprimtaria botuese në gjuhën shqipe. Për dallim nga Rumania, shoqëritë që vepronin në Bullgari ishin më afër hapësirave të banuara me shqiptarë. Në literaturë dhe burime të ndryshme hasen një sërë lokalitetesh shqiptare të shtrira në shumë anë të Bullgarisë, ndër to më të shquar janë fshatrat Arbanasi dhe Mandrica. Shumica e këtyre fshatrave ishin të vendosura nëpër korridoret e tranzitimit të tregtarëve shqiptarë, që udhëtonin drejt Stambollit dhe anasjelltas. Në Bullgari, pas pezullimit të parlamentit osman, jetoi edhe Jusuf Ali Beu, që kishte qenë deputet në parlamentin e mëparshëm. Ai në vitin 1878 arriti të takohet në Edrene me kryekomandantin e ushtrisë ruse E. I. Totlleben. Jusuf Ali Beu në Sofje do të udhëheqë gazetat “Tarla” (1879) “Natas” (1882) dhe “Dikkat” (1883).

Aktiviteti më i dendur i shqiptarëve në Bullgari do të zhvillohej pas pavarësimit të saj më 1878 dhe, veçmas, pas bashkimit me provincën e Rumelisë Lindore më 1885. Sofja ishte vendi ku kishte më shumë emigrantë shqiptarë, të cilët punonin kryesisht në punë ndërtimore, që zhvilloheshin me intensitet të shtuar për të ndërtuar Sofjen, tanimë kryeqytet. Por, kishte edhe punëtorë në hekurudha, rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë, muratorë, shitës qymyri e ëmbëltorë. Shqiptarët e vendosur në Sofje dhe në vende të tjera ishin në lidhje të ngushta me shqiptarët e Rumanisë. Në natën e vitit të ri 1893 në Sofje, në hanin e Dhimitër Moles, në rrugën “Serdika” do të themelohet Shoqëria Patriotike Kulturore e Shqiptarëve “Dëshira”. Në këtë mbledhje të parë historike u zgjodh kryesia e shoqërisë e përbërë nga: Ligor Prift Marko Borova (kryetar), Dhimitër N. Mole (sekretar) dhe Efthim Andon Sirani – Voskopoja, arkëtar. Nismëtarë për themelimin e shoqërisë ishin Dhimitër Mole dhe Kosta Jani Trebicka, që të dy të ardhur nga Rumania. Në statutin e shoqërisë thuhej që qëllimi i saj është për të përhapur dituri dhe mësim në gjuhën shqipe në Shqipëri, madje nëse është nevoja, edhe në vendin ku është hapur shoqëria mund të hapet mësonjëtore. Në vitin 1894 shoqëria vendosi që ta dërgojë Spiro Garon, anëtar i pleqësisë, në Stamboll që të vendosë kontakt me Sami Frashërin dhe Naim Frashërin. Ai solli nga Stambolli disa botime, që lexoheshin në kafenenë e tij dhe të Adham Shkabës. Shoqëria “Dëshira” do t’i krijojë edhe degët e saja atje ku kishte mërgimtarë shqiptarë, si në Varnë, Pllovdiv, por edhe në Pleven, Ruse, Rila, Samakov etj.

Në vitin 1896 kolonia shqiptare e Sofjes do t’u drejtonte një memorandum Fuqive të Mëdha në Evropë, në emër të popullit shqiptar, ku kërkohej krijimi i një province autonome shqiptare. Shoqëria “Dëshira” e kishte edhe bibliotekën, e saj e cila ishte në sallën e shtëpisë, ku mblidheshin anëtarët dhe e cila furnizohej me gazeta dhe libra të ndryshëm, të cilët lexoheshin aty ose huazoheshin. Më 1902 në këto hapësira do të hapet edhe shkolla e natës. Më 19 janar 1902, pranë shkollës “Kirili Tetodij” në Sofje, shoqëria “Dëshira” organizoi një koncert, ku këndoi kori shqiptar dhe u recituan vjersha patriotike. Gjithashtu në Sofje do të shfaqej edhe drama e ”Besa” e Sami Frashërit. Përveç kolonisë së Sofjes, aktive ishte edhe dega e shoqërisë në Varnë, ku u themelua klubi dhe biblioteka me botime shqipe dhe botime në gjuhë të tjera.

Duke e pasur parasysh që shtypi ishte tejet i rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes, shoqëria “Dëshira” e Sofjes që në ditët e para të formimit të vet u zotua të mbledhë ndihma nga anëtarët e vet për blerjen e një shtypshkronje me të gjitha pjesët e saj të duhura, që të mundësojë punën normale. Më 1896 u themelua shtypshkronja e cila mori një emër mjaft simbolik për kohën “Mbrothësia” (Përparimi). Kjo shtypshkronjë u ngrit nga Kristo Luarasi dhe Kosta Jani Trebicka. Më vonë me të udhëhoqi vetëm Kristo Luarasi. Kjo shtypshkronjë, pas vitit 1908, u zhvendos në Selanik, por më vonë u kthye prapë në Sofje. Pas Luftës së Parë Botërore do të zhvendoset në Tiranë, ku do të punojë deri në vitin 1946, kur u shtetëzua dhe pushoi së punuari nën këtë emër.

Për hapjen e kësaj shtypshkronje nga anëtarët e shoqërisë “Dëshira” u mblodh një shumë prej 4000 franga në emër të botimit të një reviste. Në vitin 1897 u botua teksti i parë “Ditërëfenjësi” ose “Kalendari kombiar”, i cili do të botohet deri në vitin 1915. Ky kalendar do të botohet me alfabetin latin, me shkronjat të cilat i kishte sjellë nga Bukureshti Kristo Luarasi, në shtëpinë e të cilit ishte vendosur shtypshkronja, në rrugën Bulevard “Dondukof” nr. 38. “Kalendari kombiar” për vitin 1897 u botua në format xhepi 12×20 cm, me 48 faqe dhe me kopertina të zbukuruara. Punët grafike i kreu Kristo Luarasi, kurse një pjesë të tekstit e shkroi Kosta Jani Trebicka, që të dy nxënës të shkollës Normale të Nikolla Naços në Bukuresht. Shtypshkronja “Mbrothësia”, përveç “Kalendarit kombiar”, që botohej nga viti 1897, do të botojë edhe libra shkollorë dhe të tjera, duke filluar nga viti 1900. Në këtë vit nga Stambolli në Sofje erdhën edhe Sotir Ollani nga Krusheva dhe Shahin Kolonja. Ardhja e Shahin Kolonjës në Sofje ishte e lidhur ngushtë me botimin e gazetës “Drita”. Me insistimin e Shahin Kolonjës dhe Adham Shkabës, princi Aladro Kastrioti më 1901 i dërgoi shoqërisë “Dëshira” dhe shtypshkronjës “Mbrothësia” një shtypshkronjë të re, ndihmë kjo e cila mundësoi zgjerimin e veprimtarisë. Së shpejti shtypshkronja do të kalojë në një godinë të re në rrugën “Car Simeon”, nr. 60, ku punoi deri në vitin 1908, kur u transferua në Selanik. Në makinat e saj u shtypën një numër i madh i gazetave dhe revistave, si: “Kalendari kombiar”, “Drita”, “Vetëtima”, “Albania”, “Shqypeja e Shqypenisë”, “Liri e Shqipërisë”, “L’independence albanaise”, “Zëri i Shqipërisë” etj., si edhe rreth 50 tituj librash të ndryshëm. Këto botime, me anë të kanaleve të ndryshme, dërgoheshin ilegalisht nëpër viset shqiptare, por edhe në Bukuresht, Stamboll, Kajro dhe gjithandej ku kishte shqiptarë që kishin interesim për to. Librin e sillnin më shumë punëtorët sezonalë gjatë vizitave në vendlindje. Librin shqip e shpërndanin edhe konsullatat e disa shteteve, të cilat i dorëzonin në adresa të caktuara. Në faqet e gazetës “Drita”, mes tjerash, do të ngrihet edhe çështja e njësimit të gjuhës shqipe, duke e pasur parasysh që përdoreshin disa alfabete dhe dialekte nëpër botimet e kohës.

Më 21 mars 1903 në Sofje do të dalë numri i parë i gazetës “Vetëtima”, e drejtuar nga Thova Abrami, e cila botohej si dyjavore në gjuhën shqipe dhe frënge, por supozohet se janë botuar vetëm 2-3 numra. Në vitin 1907 në Sofje do të botohet edhe një gazetë tjetër shqipe, “Shqipëria”, nën drejtimin e Nikolla Lakos, që doli deri në numrin 3 më 1 maj 1907.

Një gazetë tjetër shqipe, e cila u botua në Sofje, ishte e dhe “Shqypeja e Shqipënis” nën drejtimin e Josif Bagerit nga Nistrova e Rekës së Epërme. Ajo do të botohej si gazetë e përdyjavshme nga viti 1909 deri në vitin 1911, duke u botuar deri në numrin 40. Redaksia e kësaj gazete ishte në rrugën “Nishka” nr. 35. Duke e pasur parasysh që kjo gazetë nisi të botohej pas revolucionit xhonturk, edhe temat që trajtoheshin në faqet e saj ishin në frymën e ngjarjeve që zhvilloheshin në Ballkan në atë kohë.

Në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike gjendja në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane ishte mjaft e tensionuar. Shqiptarët kishin organizuar disa kongrese dhe tubime dhe kishin shpërthyer veprimet e çetave të ndryshme. Në fund të janarit 1911 Luigj Gurakuqi kishte shkuar në Bukuresht, për të vënë kontakt me shoqërinë “Bashkimi”, prej së cilës kërkoi ndihmë. Në Bullgari shkoi Nikollë Ivanaj dhe Themistokli Gërmenji, të cilët e informuan koloninë e Sofjes me përgatitjet që bënin shqiptarët për një kryengritje të re, që duhej të fillonte në vitin 1911.

Më 20 mars të vitit 1911, në sallën e Universitetit të Sofjes, para një numri të madh pjesëmarrësish Nikolla Ivanaj mbajti një fjalim mbi pozitën e popujve joturq në Perandorinë Osmane, që zgjati rreth dy orë, duke folur mes tjerash edhe për marrëdhëniet me xhonturqit, si dhe për pretendimet e Austro-Hungarisë në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë dhe në Maqedoni. Josif Bageri do t’i kritikojë edhe udhëheqësit e shoqërisë “Dëshira”, për arsye se në shoqëri nuk kishte anëtarë të feve të tjera, përveç shqiptarëve ortodoksë. Josif Bageri e botonte gazetën me kushte mjaft të vështira materiale.

Në Sofje do të botohet tri herë në muaj edhe gazeta “Liri e Shqipërisë”, e cila drejtohej nga Kristo Luarasi, që e drejtonte edhe shtypshkronjën “Mbrothësia”. Numri i parë i saj doli më 10 mars 1911, ndërsa jo me disa ndërprerje do të botohet deri më 1915. Kjo gazetë do të jetë edhe botimi i fundit periodik i shoqërisë shqiptare në Sofje.

Në Sofje, për një kohë, do të qëndrojë edhe Mit’hat Frashëri, i cili do të botojë disa vepra dhe do ta nxjerrë, në gjuhën frënge, gazetën “L’indépendence albanaise” deri në numrin 14. Pastaj vazhdoi në Bukuresht.

Me fillimin e luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, veprimtaria e shqiptarëve në Bullgari do të zbehet, ndërsa një pjesë e tyre do ta vazhdojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Shqiptarët që e zhvilluan aktivitetin e tyre në Bullgari dhanë një kontribut të veçantë në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe të botimeve shqipe, që nga atje shpërndaheshin në drejtime të ndryshme ku kishin lexuesit e tyre. Pas kolonisë shqiptare të Rumanisë, kolonia e Bullgarisë do të ketë rol të veçantë edhe për arsye se ishte më afër viseve shqiptare.