` . Ridefinimi që po ndodh – Maqedonia e Veriut dhe rrënimi i miteve - TV SHENJA

Ridefinimi që po ndodh – Maqedonia e Veriut dhe rrënimi i miteve

Maqedonia, përveç pretendimit se është shtet i maqedonasve, me Marrëveshjen e Ohrit (13 gusht 2001) ka vendosur dispozita se të drejtat e komuniteteve burojnë nga përqindja e tyre në shtet. Prandaj, beteja për përqindje është në të vërtetë betejë për të drejta, që shkon deri në betejë për ndryshimin e karakterit të shtetit.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Maqedonia e Veriut, siç quhet pas ridefinimit të emrit të shtetit me Marrëveshjen e Prespës (17 qershor 2018), është vendi i vetëm në Europë që në njëzet vitet e fundit nuk ka realizuar regjistrim të popullsisë. Për herë të fundit ky proces është realizuar në vitin 2002, një vit pas konfliktit të armatosur shqiptaro-maqedonas. Dhe, ja, kanë kaluar dy dekada dhe ky shtet assesi ta bindë veten që ta realizojë këtë proces, që në vende me demokraci të konsoliduar normale, por jo vetëm, realizohet në çdo 10 vjet dhe ka kuptim vetëm statistikor, sepse përmes tij bëhet planifikimi i resurseve, nevojave dhe detyrimeve.

Që ironia të jetë më e madhe, Maqedonisë së Veriut i ndodhë që dy herë ta ndërpresë regjistrimin e filluar. Kështu në vitin 2011 regjistrimi i popullsisë filloi dhe u ndal, duke gjetur disa arsyetime banale për moskoordinim të regjistruesve etj., por që më pas, nga përgjimet e publikuara në vitin 2015 nga Zoran Zaevi, atëherë vetëm kryetar i LSDM-së e tash kryeministër i vendit, u mor vesh se vendimi për ndërprerjen e tij kishte ardhur pas një telefonate që e kishin zhvilluar kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski (ish kryetar i VMRO-DPMNE-së) dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Ndonëse ndërprerja e një procesi të tillë implikon vepër penale, as njërit e as tjetrit nuk u ka munguar as një qime floku për këtë vendim. Dhe, kjo nuk është më e rëndësishmja, sepse Maqedonia e Veriut qëmoti drejtësinë e mat me kute të fuqisë politike, por ajo që ka mbetur e pashpjeguar është se cilat ishin arsyet e vërteta të ndërprerjes së atij regjistrimi. Dikush thoshte se kishte dalë i ulët numri i shqiptarëve, dikush thoshte se shumë maqedonas ishin regjistruar bullgarë, por e vërteta është se Gruevski ia doli ta shtyjë regjistrimin dhe pataten e nxehtë t’ia lë atij që vinte pas tij.

Pas asaj historie të mistershme, qeveria e re LDSM-BDI, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020, vendosi që këtë proces ta realizojë në prill të vitit 2021. Madje, për hir të së vërtetës, duke pasur shumicë të brishtë, ata mezi e kaluan Ligjin për regjistrim, duke kërkuar edhe ndihmën e opozitës shqiptare, e cila – edhe pse e pakënaqur me krejt detajet e ligjit – përsëri e mbështeti. Dhe, regjistrimi filloi më 1 mars, duke u regjistruar online mërgata, ndërsa regjistrimi brenda në vend ishte paraparë të fillonte më 1 prill dhe krejt procesi të përfundonte më 21 prill. Megjithatë, më 29 mars ndodhi një takim i mistershëm i kryeministrit Zaev me kryetarin e opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE), Hristijan Mickovski, dhe aty ra vendimi që regjistrimi të shtyhet. Dhe, ndonëse regjistrimi formalisht duhej të fillonte më 1 prill, këto dy parti, të mbështetura edhe nga BDI-ja, ia dolën që më 2 prill ta miratojnë ndryshimin ligjor, me të cilin regjistrimi shtyhet për në shtator, ndërsa regjistrimi online i mërgatës mund të vazhdojë. Megjithatë, edhe optimistët më të mëdhenj e dinë se kjo shtyrje synon një ndërprerje të dytë, sepse kështu dy partitë maqedonase vetëm kanë blerë kohë, për të gjetur një mundësi tjetër të volitshme për ta shtyrë plotësisht regjistrimin. Kësaj radhe arsye për ta shtyrë ishte pandemia, e se çfarë do të jetë arsyeja e shtatorit, këtë presim ta shohim.

 

Frika nga numrat ose rrënimi i miteve

Nëse këtë rrëfim ia tregoni një njeriu të cilitdo shtet perëndimor ose në SHBA, do të habitej se pse qenka kaq e vështirë të organizohet regjistrimi i popullsisë, kur në vende të zhvilluara ai bëhet edhe me postë ose vetëm online dhe as që i bëhet muhabeti kësaj teme. Por, në Maqedoni të Veriut gjërat qëndrojnë ndryshe. Sipas nesh, arsyeja e vërtetë e ndërprerjes ose shtyrjes së regjistrimit në RMV është vetëm frika nga numrat dhe asgjë tjetër. Dhe, kjo frikë i ka disa dimensione, të cilat do të përpiqemi t’i shpjegojmë në këtë tekst.

Këtu, para së gjithash, duhet thënë se në kushte të ombrellës jugosllave Maqedonia ishte njësi federale dhe e paekspozuar ndaj kontestimeve të jashtme. Por, kjo nuk do të zgjaste përgjithmonë. Është e vërtetë se gjatë gjysmëshekullit jugosllav socialist Maqedonia dhe maqedonasit e kishin krijuar narracionin se ata janë pasardhës të maqedonasve antikë të Lekës së Madh të Maqedonisë, se në Mesjetë ata e kishin Mbretërinë e Car Samoilit dhe se ata kishin bërë betejë për shtetin kombëtar maqedonas qysh në kohën osmane, duke e themeluar VMRO-në (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase), gjithë kjo duke u bërë pjesë e historisë zyrtare e kombit maqedonas, përfshirë edhe historinë e mësuar në shkollë dhe, ç’është e vërteta, askush nuk ua kontestonte këtë. Madje, maqedonasit gjatë gjithë kësaj kohe janë sjellë me prepotencë ndaj të tjerëve, duke e ndjerë veten si pronarët historikë të shtetit dhe bartësit e vetëm të sovranitetit, gjithnjë duke i trajtuar të gjithë të tjerët si minoritete. Kjo shihet në të gjitha kushtetutat, që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në kushtetutën e vitit 2002.

Megjithatë, çdo komb i ka mitet e veta, herë të qëndrueshme e herë jo. Por, për fat të keq ose të mirë, mitet e ndërtimit të kombit maqedonas po rrënohen. Kungulli nuk shkon gjithnjë përmbi ujë.

 

Miti i parë – antikiteti maqedonas

Sapo u pavarësua në vitin 1991, Maqedonia u përball me fqinjin e saj jugor, Greqinë, e cila nuk lejoi që ajo të pranohej në OKB me emrin e saj kushtetues, “Republika e Maqedonisë” (regjistrimi atje u bë me referencën “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”), madje shteti grek e mbajti të bllokuar gati tridhjetë vjet me radhë, duke mos e lejuar të anëtarësohet në NATO, derisa Maqedonia ta ndryshojë emrin. Prandaj me Marrëveshjen e Prespës ajo e shtoi përcaktorin “e Veriut” dhe hoqi dorë nga historia e maqedonasve antikë. E para nënkuptonte se ky shtet është i vendosur vetëm në pjesën veriore të hapësirës gjeografike të quajtur Maqedoni, ndërsa e dyta nënkuptonte se ky shtet dhe maqedonasit do të duhej ta ndryshojnë gjithë narracioni për antikitetin. Sa për ilustrim se sa është dashur t’i ndryshojë gjërat Maqedonia, po e sjellim shembullin e përmendores gjigande të Lekës së Madh në qendër të Shkupit, që tash ka marrë emër neutral, si “Ushtari mbi kalë”. Ose, emri i aeroportit nga “Leka i Madh” u bë “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” dhe emri i stadiumit “Filipi II” u bë “Toshe Proeski” (këngëtari i ndjerë nga Krusheva). Natyrisht, Shkupi pranoi që edhe në tekste shkollore të heqë dorë plotësisht nga pretendimi për antikitetin maqedonas.

Kështu filloi ridefinimi i Maqedonisë, që tashmë do të quhej “Maqedonia e Veriut” dhe në këtë mënyrë përfundoi miti i parë dhe iluzioni i krijuar për kombin e lashtë antik.

 

Miti i dytë – nga Car Samoli deri te Goce Dellçevi  

Miti i dytë, po ashtu i ndërtuar në 70 vjetët e kaluar, është se Maqedonia ka qenë shtet qysh në Mesjetë dhe se, madje, Mbretëria e Maqedonase, e drejtuar nga Car Samoili (958-1014) kishte ndërtuar një shtet që seriozisht e kishte rrezikuar Bizantin.

Duke ardhur këndej në histori, maqedonasit e kanë ndërtuar edhe mitin tjetër se ata kanë bërë betejë për pavarësi nga Perandoria Osmane që nga fundi i shek. XIX e deri në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë pjesë është e rëndësishme veçanërisht periudha e fillimit të shek. XX, kur ndodhi Kryengritja e Ilindenit (1903), që maqedonasit e kanë interpretuar se ka qenë kryengritje për themelimin e shtetit maqedonas. Në të vërtetë, kështu e kemi mësuar edhe ne si nxënës në shkolla dhe kështu predikohet kjo histori edhe sot nëpër universitete.

Megjithatë, në kohën kur Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat për integrim në BE, Bullgaria ka vënë veto, sepse – sipas saj – ky shtet po ia sulmon trashëgiminë historike. Sipas bullgarëve, Car Samoili ka qenë mbret bullgar dhe në atë kohë Maqedonia nuk ka qenë asgjë më shumë se nocion gjeografik. Por, bullgarët, që as që duan të dëgjojnë diskutim për Samoilin, e kontestojnë edhe periudhën e luftërave antiosmane, ngase – sipas tyre – me dokumente dëshmohet se krejt ata veprimtarë kanë qenë në shërbim të kauzës bullgare dhe të shtetit bullgar. Kjo e fundit i rrënon edhe figurat si Goce Dellçevi, Nikolla Karevi e drejtuesit e tjerë të VMRO-së, që janë protagonistët e historisë maqedonase.

Ç’është e vërteta, bullgarët e pranojnë kombin maqedonas, por thonë se ai ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e njësisë federale të Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë. Andaj, ata e mohojnë edhe ekzistimin gjuhës maqedonase para asaj kohe, duke konsideruar se, para kodifikimit të maqedonishtes si gjuhë më vete, sllavët e Maqedonisë kanë përdorur një dialekt bullgar.

Dhe, ndonëse këto bisedime zhvillohen ende dhe nuk dihet se si do të përfundojnë, por nëse thirremi në përvojën greke, Maqedonia mund ta zvarrisë edhe nja 30 vjet këtë kontest, por nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, në fund do të detyrohet ta pranojë kushtin bullgar për të hyrë në BE, ndërsa ashtu do ta rrënojë edhe mitin e Maqedonisë mesjetare, ekzistencën e kombit maqedonas dhe të maqedonishtes para 1945-tës, si dhe duhet të heqë dorë nga veprimtaria e VMRO-së për çlirim nga osmanët. Sigurisht që kjo do të jetë një kafshatë shumë më e vështirë, por gjërat – si duket – në atë drejtim po shkojnë.

 

Miti i tretë – “Maqedonia – shtet i maqedonasve”

Siç e dimë, Maqedonia është themeluar si njësi politike federale (pjesë e Jugosllavisë) në mbledhjen e parë të KAÇKM-së (Kuvendit Antifashist për Çlirimin e Maqedonisë – shkurtesa në maqedonisht: ASNOM), të mbajtur më 2 gusht 1944 në manastirin “Prohor Pçinski” (tash është në territorin e Serbisë). Dhe, duke e ndjekur shembullin e shteteve kombe, që tashmë ishin krijuar në rajon, si Serbia, Sllovenia e Kroacia, ajo e përshtati atë model për shtetin e ri. Sipas akad. Vllado Kambovskit, “Maqedonia është definuar si shtet i kombit maqedonas dhe i të gjithë qytetarëve të saj që jetojnë në të” (citat nga materialet e konferencës “АСНОМ и Македонската држава” (ASNOM-i dhe shteti maqedonas), e mbajtur më 2014 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – ASHAM), madje Kambovski shpjegon se “… procesi i krijimit të saj u bë duke marrë për bazë njërin nga dy modelet e paraqitjes dhe zhvillimit të kombeve bashkëkohore europiane: shtet-gjuhë-komb ose gjuhë-komb-shtet”. Pra, ka raste kur nga gjuha, përmes kombit, është arritur te shteti dhe ka raste që pasi është bërë shteti, është krijuar (standardizuar) gjuha dhe kështu është krijuar kombi. Në kontekstin që po flasim i bie se Maqedonia u krijua mbi modelin shtet-gjuhë-komb, sepse gjuha dhe kombi po konsolidoheshin ose, së paku, po kodifikoheshin vetëm pasi që po formohej shteti. Por, derisa serbët, sllovenët e kroatët në shtetet e tyre kombëtare përbënin dhe përbëjnë 80%-90% të popullsisë, Maqedonia u ndërtua si shtet kombëtar i kombit maqedonas, por me shoqëri mjaft heterogjene. Në të vërtetë përqindja e maqedonasve, që nga regjistrimi i parë i vitit 1948 e deri në atë të fundit, më 2002, ka mbetur mes 60% e 70%, por këto shifra gjithnjë kanë qenë të kontestuara dhe janë parë me dyshim nga shqiptarët, por jo vetëm. Këtu më poshtë po e japim tabelën e regjistrimeve të popullsisë që nga vitit 1948, pra me themelimin e Maqedonisë si shtet, e këndej:

 

ETNIA 1948 1953 1961 1971 1981 1991 1994 2002
Maqedonas 789 648

69 %

860 699

66,5 %

1 000 854

72  %

1.142.375

70.1%

1.279.323

69.5 %

1 328 187

65.3 % %

1 288 330

66.5%

1,297,981 64.17%
Shqiptarë 197 389

17.2 %

162 524

12.5 %

183 108

13.17 %

279.871

17.3%

377.208

20.5 %

441 987

21.7 %

442 914

22.9%

506,083 25.17%
Turq 95.940

8.1 %

203.938

15.6%

131.484

9.4 %

108.522

6.7 %

86.591

4.7%

77 080

3.8 %

77 252

4.0%

77,959

3.85%

Romë 19.500

1.7%

20.462

1.5%

20.606

1.49 %

24.505

1.5%

43.125

2.3 %

52 103

2.6 %

43 732

2.3%

53.879 2,66 %
Serbë 29.721

2.5 %

35.112

2.6%

42.726

3%

46.465

2.8%

44 468

2.4 %

42 755

2.2 %

39 260

2.0%

35.939 1,77 %
Vllahë 9.511

0.8 %

8.668

0.7%

8.046

0.5 %

7.190

0.4%

6.384

0.3 %

7.764

0.5 %

8.467

0.4%

9.695

0,47 %

Bullgarë 889

0.7%

920

0.6%

3.087

0.2 %

3.334

0.2%

1.980

0.1 %

Boshnjakë 17,018

0,84%

 

Siç mund të vërehet, krejt këto shifra e kanë ruajtur frymën se ky shtet është i kombit maqedonas, ndërsa etnitë e tjera janë minoritete, që janë luhatur në shifra të parëndësishme. Duke mos dashur të hyjmë në analiza të thella të numrave, bie në sy se në vitet 1948 dhe 1953 për tre vite numri i shqiptarëve bie për rreth 40 mijë, ndërsa numri i turqve rritet për më shumë se 100 mijë. Ky shembull flet se si është sjellë Maqedonia kundrejt numrave. Sa për informacion, në ato vite zhvillohej vala e shpërnguljeve dhe shqiptarët i detyronin të regjistroheshin si turq, sepse vetëm ashtu mundësohej shpërngulja e tyre në Turqi, ndërsa gjatë viteve të komunizmit, por edhe më vonë, ka vijuar edhe tendenca e kufizimit të natalitetit të shqiptarëve. Nëse sot Maqedonia do të kishte pasur politikanë te drejtë e korrektë, ata do të duhej të kërkonin falje që paraardhësit e tyre, siç deklaron vetë lideri komunist Llazar Kolishevski, deri më 1966 i kanë shpërngulur për Turqi më se 250.000 myslimanë, shumica dërrmuese e tyre shqiptarë.

Krejt këto makinacione deri tash janë bërë që maqedonasit ta ruajnë primatin kombit të vetëm shtetformues kundrejt pakicave, që ata i vendosin në korpusin e të drejtave të minoriteteve, të cilat duhet të rregullohen sipas konventave ndërkombëtare për minoritetet. Andaj akad. Katica Qullafkova, në një kumtesë në konferencën e sipërcituar të ASHAM-it, e quan Maqedoninë si shtet ku kemi tirani të pakicës ndaj shumicës, duke nënkuptuar se shqiptarët, si minoritet, ushtrojnë tirani ndaj shumicës absolute maqedonase. Dhe, ajo mund të ketë të drejtë nëse shqiptarët i konsideron minoritet, por ata as nuk vetëperceptohen ashtu e as shifrat nuk i nxjerrin ashtu.

Por, mashtrimi më i madh është ai që njeriu ia bën vetes. Në kushte kur me këto shifra manipulohej kollaj, ata e bënin lehtë këtë, por sa më shumë që forcohet pozita e shqiptarëve dhe etnive të tjera në RMV, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë. Megjithëse sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, mbi 300 mijë shqiptarë janë shpërngulur nga Maqedonia nga viti 2002 e këndej, kjo nuk e ndryshon faktin se ata e kanë ruajtur shtetësinë e Maqedonisë dhe me ligjin e ri për regjistrimin e popullsisë të vitit 2021 edhe ata mund të regjistrohen. Këtu duhet përmendur se, për herë të parë në historinë e Maqedonisë, Kosova dhe Shqipëria (përmes kryeministrave të tyre) u bënë thirrje shqiptarëve të mërgatës që të regjistrohen, që nga maqedonasit u lexua si intencë e shteteve fqinje shqiptare për ta shqiptarizuar Maqedoninë e Veriut. E kur kësaj i shtohet fakti se rreth 200 mijë shqiptarë të mërgatës tashmë janë regjistruar (mbase edhe si përgjigje ndaj atyre që i detyruan të emigrojnë) dhe se rreth 400 mijë mund të regjistrohen brenda në Maqedoni, kur kësaj i shtohet fakti se Bullgaria pretendon se në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se 100 mijë bullgarë (ata e përmendin argumentin e pasaportave bullgare për qytetarët e RMV-së), kur kësaj i shtohet fakti se në muajin e kaluar turqit e Maqedonisë deklaruan se ata nuk e njohin regjistrimin nëse dalin nën 7% dhe kur kësaj i shtohet fakti se nuk dihet sa do të regjistrohen si serbë e si vllahë, për drejtuesit maqedonas të shtetit kjo nënkupton rrënim të mitit për “Maqedoninë e maqedonasve”. Ky duhet të jetë shpjegimi se pse më 2011 kryeministri i atëhershëm Gruevski (me mbështetjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti) e ndërpreu regjistrimin dhe kjo duhet të jetë arsyeja që edhe tash, në prill 2021, liderët maqedonas Zaev e Mickovski (përsëri me mbështetje të Ahmetit, por kësaj radhe me kundërshtim të opozitës shqiptare – Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA) e shtynë regjistrimin, sigurisht me synim për ta ndërprerë plotësisht. Këtu duhet të shpjegojmë se Maqedonia e Veriut, përveç pretendimit se është shtet i maqedonasve, me Marrëveshjen e Ohrit (13 gusht 2001) ka vendosur dispozita se të drejtat e komuniteteve burojnë nga përqindja e tyre në shtet. Prandaj, beteja për përqindje është në të vërtetë betejë për të drejta, që shkon deri në betejë për ndryshimin e karakterit të shtetit.

Sidoqoftë, nëse ky regjistrim do të vazhdonte, ka pasur “rrezik” real që në fund rezultati të dilte se maqedonasit mund të ishin maksimum 50%, që shqiptarët të dalin diku 35%, turqit 7-8% dhe kjo detyrimisht do ta rrëzonte mitin 70-vjeçar të “Maqedonisë së maqedonasve” dhe do të impononte ridefinim të ri të shtetit, që do të nënkuptonte ndryshim të kushtetutës e ndryshim të karakterit të shtetit, për të prodhuar një shtet dykombësh maqedono-shqiptar (federatë joterritoriale) ose një shtet plotësisht multietnik qytetar (siç është definuar Kosova). Prandaj, sipas maksimës sllave “edhe ujku i ngopur, edhe dhentë aty”, regjistrimi u shty për të blerë kohë e për të gjetur ndonjë zgjidhje tjetër.

Kjo i bie se maqedonasit deri tash e kanë shpëtuar mitin e tyre të dytë, duke u shtyrë me bullgarët nëpër komisione, për të blerë kohë, dhe tash e shpëtuan edhe mitin e tyre të tretë, duke e shtyrë regjistrimin, po ashtu për të blerë kohë. Por, shtyrja nuk është zgjidhje Vetë kontestimi i miteve është i parë drejt rrënimit të tyre. Ata një ditë patjetër do të ballafaqohen me këto realitete.

 

Status quo-ja si zgjidhje e përkohshme

Dhe, meqë maqedonasve u bëhej “shumë” që brenda dy-tre viteve t’u rrënohen krejt mitet, si duket edhe ndërkombëtarët kanë rënë dakord që më mirë të ruhet status quo-ja dhe në këtë kohë të mos hapet kutia e Pandorës, qoftë kjo edhe me çmimin e anulimit të regjistrimit. Kjo veçmas mund të supozohet në kohën kur duhet të mbyllet kontesti Kosovë-Serbi dhe në kohën kur po flitet për non paper-in e kryeministrit slloven Janez Jansha për rikonfigurimin e Ballkanit. I bie se ata (SHBA dhe BE) nuk janë në gjendje ta menaxhojnë edhe një çështje tjetër, të ridefinimit të Maqedonisë së Veriut, në këto rrethana dhe prandaj lejojnë që ky të mbetet shteti i vetëm në Europë dhe i dyti në botë (pas Somalisë) që nuk ka regjistrim të popullsisë në 20 vjetët e fundit. Është vështirë të pranohet që një shtet europian nuk ka kapacitet të organizojë regjistrim të popullsisë, por si duket edhe më vështirë është të menaxhohet rezultati i atij regjistrimi. Prandaj, “më mirë një regjistrim i shtyrë se një problem i vështirë”.

 

Roli i shqiptarëve

Ajo që duhet theksuar këtu është se derisa Shqipëria e Kosova e mbështetën regjistrimin dhe bënë thirrje për t’u regjistruar, derisa partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut (ASH dhe AAA) bënin thirrje për regjistrim dhe derisa të gjitha organizatat e mërgatës shqiptare ishin aktive për t’u regjistruar, subjekti i vetëm që u rreshtua në krah të vendimit të Zaevit dhe Mickovskit ishte BDI-ja. Nëse krejt bota shqiptare ishte PËR vazhdimin e regjistrimit të shqiptarëve, është shumë indikative që BDI-ja ishte kundër kësaj frymë. Kjo e shtron çështjen se a bëhet fjalë për shpjegimet e tyre patetike se “duhet ta shpëtojmë Maqedoninë e Veriut nga ndikimi rus (duke harruar se tashmë jemi në NATO) dhe ta mbajmë në agjendën europiane” apo bëhet fjalë thjesht për politikanë të kapur, që gjithnjë duhet të jenë vagonë të maqedonasve: më 2011 në mbështetje të Gruevskit dhe më 2021 në mbështetje të Zaevit e Mickovskit? Gjykuar sipas rrethanave dhe zhvillimeve me Gjykatën Speciale në Kosovë dhe aferave të tyre korruptive te ne, më shumë ka gjasa që të jetë kjo e dyta, aq më shumë që ky do të kishte qenë edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve kundrejt status quo-së. Ndryshe nuk ka shpjegim se pse BDI-ja e shpëton Maqedoninë monoetnike.

 

Maqedonia e re e Veriut

Nëse maqedonasit e kanë bërë hapin e parë kundrejt presionit grek, do t’i bënin mirë edhe vetes, por edhe rajonit, nëse reflektojnë edhe ndaj kontestit me Bullgarinë, si dhe ndaj ndërtimit të shtetit multietnik. Nuk ka asnjë qeder të pranohen këto gjëra dhe shteti të trandet nga këto mite, për ta vazhduar me esëllti jetën e tij. Në të kundërtën, vetëm do të humbet kohë, ndërsa rezultati do të jetë përafërsisht ky. Shembulli i kontestit me Greqinë na dëshmon pikërisht për këtë.

Maqedonia e Veriut duhet të rilindë e shkarkuar nga mitet e antikitetit, nga mitet e Mesjetës dhe nga historia që nuk mund ta dëshmojë, por e shkarkuar edhe nga miti për “Maqedoninë e maqedonasve”. Katarza është e vështirë, por është çlirim. Koha do ta dëshmojë, por si duket një ditë do të përfundojmë te një Maqedoni e re e Veriut.