Ribery zyrtarisht tërhiqet nga futbolli aktiv

Ribery zyrtarisht tërhiqet nga futbolli aktiv

Franck Ribery edhe zyrtarisht është tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 39-vjeçare. Ai të premten në rrjetet sociale ka njoftuar se do t’i bashkohet stafit të trajnerit Davide Nicola te Salernitana.
Francezi kohët e fundit ka pasur telashe vazhdimisht me lëndimet dhe për këtë arsye ka vendosur t’i thotë të përshëndetet nga loja aktiv pas më shumë se dy dekadave si futbollist profesionist.

“Topi ndalet, por jo edhe emocionet brenda vetes. Faleminderit të gjithëve për këtë aventurë fantastike”, ka shkruar shkurt Ribery.

Ai do të përshëndetet nga tifozët e Salernitanas para ndeshjes kundër Spezias, që zhvillohet të shtunën në kuadër të Serie A. Ribery iu bashkua Salernitanas vitin e shkuar si lojtar i lirë, por këtë edicion regjistroi vetëm dy paraqitje.

Gjatë karrierës së mbushur me trofe, Ribery ka luajtur edhe te Fiorentina, Bayern Muencheni, Olympique Marseille, Galatasaray, Metzi e Bresti. Suksesin më të madh, ai e arriti me fanellën e Bayernit, ekip për të cilin luajti 12 sezone dhe fitoi 24 trofe, përfshirë nëntë tituj kampioni të Gjermanisë.