` . Rezervat dhe eksporti i naftës në Lindjen e Mesme - TV SHENJA

Rezervat dhe eksporti i naftës në Lindjen e Mesme

Në vitet e fundit, Lindja e Mesme eksporton rreth 35 % të totalit botëror të naftës. 5 nga 10 vendet me eksportin më të madh të naftës në botë janë: Arabia Saudite (vendi i parë), Iraku (vendi i tretë), Emiratet e Bashkuara Arabe (vendi i pestë), Kuvajti (vendi i gjashtë), Irani (vendi i shtatë). Këto shtete po ashtu hyjnë në mesin e 10 vendeve të OPEC-ut, me eksportin më të madh të naftës.

Shkruan: Artan S. MEHMETI, Prizren

Rajoni gjeopolitik i Lindjes së Mesme është regjioni më i pasur me rezerva të naftës në botë. Por, edhe pse është regjioni më i pasur më naftë, kemi dallime shumë të mëdha mes shteteve sa i përket zhvillimit ekonomik. Po ashtu ka dallime të mëdha ekonomiko-sociale edhe mes popullsisë brenda shteteve, duke mos harruar edhe luftërat civile që po zhvillohen në disa shtete, si në Siri e Jemen, ose edhe gjendjen e tensionuar mes sekteve të ndryshme në Irak, Liban, pa e anashkaluar edhe luftën mes palestinezëve dhe izraeliteve që nga viti 1968, si dhe ndarjen e Qipros në dy pjesë që nga viti 1983.

Burimet e naftës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol primar në bërjen e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme të të gjitha shteteve të këtij regjioni. Nafta, gjithashtu, e përcakton ekuilibrin e fuqisë politike dhe ekonomike të krejt regjionit, por ka edhe ndikim në politikat e sotme globale.

Të dhënat statistikore në këtë shkrim janë të bazuara në tabelat statistikore të publikuara nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”. Ndërkaq shkrimi ka për qëllim që t’i japë lexuesit një pasqyrë më të detajuar rreth rezervave dhe eksportit të naftës të Lindjes së Mesme.

Pozita gjeografike e Lindjes së Mesme

Lindja e Mesme është regjion i cili nuk i ka të përcaktuar qartë kufijtë që e ndajnë atë nga Lindja e Afërt ose Lindja e Largët. Në literaturën gjeopolitike, gjeografike, si dhe në media të shkuara, ose ato elektronike, hasen definicione të ndryshme për sa u përket shteteve që e përbejnë këtë regjion.

Lidhur me kufijtë e Lindjes së Mesme ka kundërshtime se cilat shtete duhet t’i përfshijë ky regjion. Diskutimet zhvillohen në atë se ky regjion, përveç shteteve arabe të Azisë, Iranin, Izraelin, Turqinë, Qipron dhe Egjiptin, a t’i përfshijë edhe shtetet arabe në perëndim të Egjiptit, apo duhet të jetë edhe më i gjerë, duke i përfshirë edhe shtetet muslimane të Azisë Qendrore. Sidoqoftë, në ketë punim do ta marrim përkufizimin që i përfshinë shtetet arabe të Azisë, Iranin, Izraelin Turqinë, Qipron dhe Egjiptin

Rezervat e Naftës

Sipas “BP Statistical Review of World Energy 2019”, deri në fund të vitit 2018, Lindja e Mesme mban rreth 836.1 miliardë fuçi nafte, nga rezervat e përgjithshme botërore të naftës prej 1729.7 miliardë fuçi nafte. Nëse e shikojmë në përqindje, del se rreth 48,3% e rezervave të naftës në shkallë botërore gjenden në Lindjen e Mesme, si dhe rreth 68 % të burimeve botërore të naftës. Këto rezerva të naftës janë të shpërndara në hapësirën e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Katarit, Kuvajtit, Irakut dhe Iranit.

Sipas vlerësimeve të OPEC-ut (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese), rreth  79.4 % nga rezervat e përgjithshme botërore të naftës janë të vendosura në vendet anëtare të OPEC-ut, ndërsa pjesa më e madhe e këtyre rezervave ndodhet ne regjionin e Lindjes së Mesme me rreth 64.5% të totalit të OPEC-ut.

Arabia Saudite – ka rezervat më të mëdha të naftës në Lindjen e Mesme. Sipas përllogaritjeve të vitit 2018 nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, rezervat e naftës në Arabinë Saudite janë rreth 297.7 miliard fuçi nafte ose rreth 17.2% të rezervave të përgjithshme botërore të naftës, duke u renditur e dyta pas Venezuelës mes vendeve me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Hapësirat naftëmbajtëse Ghawa konsiderohet si vendburimi më i madh i naftës në botë. Vendndodhja e këtij burimi është 100 km larg qytetit Dhahranit. Ai ka përmasa kolosale me gjatësi prej 280 km dhe gjerësi prej 30 km. Ky vendburim është zbuluar në vitin 1948, kurse nafta ka filluar të nxirret në vitin 1951. Nga ky vendburim nxirren rreth 5 milionë fuçi nafte në ditë ose më shumë se 6 për qind prej gjithë prodhimit botëror. Që nga fillimi i nxjerrjes së naftës (1951) e deri në vitin 2000 nga ky vendburim janë nxjerrë rreth 60 miliardë fuçi nafte. Ky vendburim menaxhohet nga gjigantet e “Saudi Aramco”. Arabia Saduite, sipas OPEC-ut, gjithashtu është eksportuesi më i madh i naftës,

Irani – sipas “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018 rezervat e naftës në Iran ishin rreth 155.6 miliardë fuçi nafte ose rreth 9.0 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Irani renditet i dyti pas Arabisë Saudite në Lindjen e Mesme dhe i katërti në botë pas Venezuelës, Arabisë Saudite dhe Kanadasë, sa u përket vendeve me rezervat më të mëdha të naftës.

Hapësirat kryesore naftëmbajtëse në Iran janë: hapësira naftëmbajtëse Marun, hapësira naftëmbajtëse e Ahvazit, e Gachsaranit, e Aghajarit dhe e Esfandiarit. E vendosur në provincën Khuzestan, hapësira naftëmbajtëse Marun vlerësohet se mban rreth 22 miliardë fuçi nafte të rikuperushme, duke e bërë këtë hapësirë njërën nga zonat më të mëdha naftëmbajtëse në botë, që gjendet në det të hapur.

Iraku –sipas përllogaritjeve në vitin 2018 nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, zë vendin e tretë në listën e vendeve me rezervat më të mëdha të naftës në Lindjen e Mesme, me rreth 147.2 miliardë fuçi nafte ose rreth 8.5 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Vendi prodhon rreth 9.0 % të naftës së papërpunuar nga zonat naftëmbajtëse në det të hapur në pjesën jugore të vendit. Iraku operon me hapësirën e tretë më të madhe naftëmbajtëse në botë, që njihet me emrin Rumaila. Kjo hapësirë vlerësohet të ketë rreth 17 miliardë fuçi naftë të rikuperueshme. Vendi operon gjithashtu edhe në hapësirën e njohur si Majnoon, e vendosur në jug të Irakut. Kjo hapësirë naftëmbajtëse pretendohet të jetë ndër hapësirat më të pasura me rezerva të naftës në botë. Rezervat e kësaj hapësire përllogariten të jenë rreth 23-25 miliardë fuçi nafte dhe rezerva të diponueshme prej 12.8 miliardë fuçi nafte.

Kuvajti – pavarësisht se është një vend i vogël për nga sipërfaqja, është një kontribuues i rëndësishëm në rezervat e naftës në botë. Sipas “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018, rezervat e naftës në Kuvajt ishin rreth 101.5 miliardë fuçi nafte ose rreth 5.9 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës, duke e duke e renditur Kuvajtin si vendin e katërt me rezervat më të mëdha të naftës në Lindjen e Mesme. Si prodhuesi i tretë i naftës në mesin e vendeve të OPEC-ut, vendi mban 8% të rezervave globale të naftës. Nxjerrja e më e madhe e naftës është duke u zhvilluar në hapësirën naftëmbajtëse Ratqa, e cila ndodhet në pjesën veriore të vendit. Hapësira e dytë më e madhe naftëmbajtëse në botë është hapësira e quajtur Burgan, që ndodhët në jug të Kuvajtit. Kjo hapësirë ka kapacitet për të prodhuar më shumë se 1.7 milionë fuçi nafte në ditë.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) – janë ndër 10 prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. EBA është vendi i pestë më i madh për sa u përket rezervave të naftës, me rreth 97.8 miliard fuçi nafte ose rreth 5.7 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës, edhe kjo sipas përllogaritjeve nga “BP Statistical Review of World Energy 2019” në vitin 2018. Hapësira më e madhe naftëmbajtëse në vend është e ashtuquajtura Hapësira e Epërme e Naftës në Zakum, e vendosur afërsisht 84 km në veriperëndim nga ishujt Abu Dhabi. Kjo hapësirë naftëmbajtëse prodhon 640,000 fuçi naftë në ditë dhe, sipas përllogaritjeve, del se kjo hapësirë ka rreth 50 miliardë fuçi rezerva të naftës.

Katari – rezervat e naftës janë të përqendruara kryesisht përgjatë brigjeve perëndimore, si dhe në ujërat territoriale lindore dhe verilindore të Katarit, në Gjirin Persik. Sipas përllogaritjeve nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018 rezervat e naftës në Kaar janë rreth 25.2 miliardë fuçi nafte ose rreth 1.5 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës.

Omani – nëse e krahasojmë më shtetet e tjera, Omani nuk përmban sasi të mëdha të rezervave të naftës. Sipas përllogaritjeve në vitin 2018 nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, rezervat e naftës në Oman janë rreth 5.4 miliardë fuçi nafte ose rreth 0.3 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Rezervat e naftës së Omanit janë të përqendruara kryesisht në rajonin jugperëndimor të Dhofar-it.

Egjipti – edhe pse nuk është anëtar i OPEC-ut, Egjipti është anëtar i vendeve eksportuese arabe të naftës. Sipas përllogaritjeve nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018 rezervat e naftës në Egjip ishin rreth 3.3 miliardë fuçi nafte ose rreth 0.2 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Rezervat e naftëmbajtëse në Egjipt janë të përqendruara në Gadishullin e Sinait, Gjirin e Suezit, shkretëtirën perëndimore dhe atë lindore. Përafërsisht 50% e prodhimit të naftës në Egjipt vjen nga Gjiri i Suezit.

Jemeni –sipas përllogaritjeve të bëra nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018 rezervat e naftës në Jemen ishin rreth 3.0 miliardë fuçi nafte ose rreth 0.2 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Rezervat e naftës së Jemenit kryesisht janë të përqendruar në Jemenin qendror, jugor dhe në Jemenin lindor. Hapësirat më të njohura naftëmbajtëse të Jemenit janë hapësira Marib, Shabwa, Shibam etj.

Siria – bazuar në përllogaritjet e bëra nga “BP Statistical Review of World Energy 2019”, në vitin 2018 rezervat e naftës në Siri ishin rreth 2.5 miliardë fuçi nafte ose rreth 0.1 % të rezervave të përgjithshme botërore të naftës. Lufta civile, e filluar në vitin 2011, ka bërë që të ulet prodhimi i naftës në vend, por edhe të mos kemi shifra të sakta rreth nxjerrjes, përpunimit dhe eksportit të naftës nga Siria.

Shtetet tjera (Turqia, Qipro, Libani, Jordania, Palestina-Izraeli, Bahrejni) – sipas përllogaritjeve nga “BP Statistical Review of World Energy 2019” në vitin 2018 – kanë rezerva që janë rreth 0.2 miliardë fuçi nafte.

Eksporti i naftës

Shtetet e Lindjes së Mesme kanë eksportuar naftë qysh herët. Irani filloi që nga viti 1913, Bahrejni që nga viti 1922, Iraku që nga viti 1928, Arabia Saudite që nga viti 1938 dhe Kuvajti që nga viti 1946.

Në vitet e ’50-ta, të ’60-ta dhe të ’70-ta, Lindja e Mesme u shndërrua në burim kryesor të naftës për Evropën Perëndimore dhe Japoninë. Në këto vite ish Bashkimi Sovjetik importonte nga Lindja e Mesme një sasi shumë të vogël (rreth 0.2 %) të naftës së papërpunuar. Edhe regjimeve më të egra që erdhën në pushtet nuk iu desh shumë kohë që të orientohen në tregjet e njëjta si të paraardhëseve të tyre, mirëpo – për dallim nga paraardhësit – këta bënë ngritje çmimi për shkak të vendosjes së embargos së naftës nga vendet arabe gjatë periudhës tetor 1973-1974.

Gjatë shekullit XXI eksportuesit kryesorë të naftës së Lindjes së Mesme janë Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Shtetet e Bashkimit Evropian, shtetet e Azisë Lindore, Azisë Juglindore, etj.

Në vitet e fundit, Lindja e Mesme eksporton rreth 35 % të totalit botëror të naftës. 5 nga 10 vendet me eksportin më të madh të naftës në botë janë: Arabia Saudite (vendi i parë), Iraku (vendi i tretë), Emiratet e Bashkuara Arabe (vendi i pestë), Kuvajti (vendi i gjashtë) dhe Irani (vendi i shtatë). Këto shtete po ashtu hyjnë në mesin e 10 vendeve të OPEC-ut, me eksportin më të madh të naftës.

Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë për vitin 2018. Sa u përket të ardhurat nga eksporti i naftës në vitin 2017 dhe 2018 brenda anëtarëve të OPEC-ut, përsëri kryeson Arabia Saudite. Të ardhurat e Mbretërisë nga eksporti i naftës arritën në 172 miliardë dollarë në vitin 2017 dhe kjo shumë u rrit me 38 për qind në 237 miliardë dollarë në vitin 2018., Iraku radhitet i dyti mes anëtarëve të OPEC-ut për sa u përket të ardhurave më të larta nga eksporti e naftës në vitin 2018. Të ardhurat nga eksporti i naftës në Irak u rritën me 38 për qind në 91 miliardë dollarë vitin 2018, nga 66 miliardë dollarë sa ishin një vit më parë. Emiratet e Bashkuara Arabe radhiten në vendin e tretë për të ardhurat nga eksporti i naftës mes anëtarëve të OPEC-ut. EBA i rriti të ardhurat e eksportit të naftës në 74 miliardë dollarë në vitin 2018, nga 56 miliardë dollarë në vitin 2017, duke treguar një rritje prej 32 për qind. Katari ishte vendi i shtatë që regjistroi të ardhurat më të larta të eksportit të naftës në vitin 2017 mes 15 anëtarëve të OPEC-ut. edhe pse vendi u largua nga OPEC-u në fillim të vitit 2019. (Agjencia e lajmeve “Anadolu Agency”, 27.08.2019 )

Sa i përket kontrollit të naftës së Lindjes së Mesme, duke mos u zgjatur shumë në histori, si gjatë shekullit XXI, ashtu edhe gjatë shekullit XX, më shumë se gjysma e rezervave të naftës kontrollohen dhe menaxhohen nga kompanitë e shteteve të fuqishme perëndimore, të kryesuar bindshëm nga SHBA-ja, pasuar nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, etj. Kjo sasi e madhe e menaxhimit të naftës nga kompanitë perëndimore është mundësuar falë miqësisë së madhe të udhëheqësve të disa vendeve arabe me vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së.

Përfundim

Lindja e Mesme është regjion gjeopolitik, i cili nuk ka kufij të përcaktuar qartë, që e ndan nga Lindja e Afërt, apo nga Lindja e Largët. Në këtë regjion gjenden 49 % të rezervave botërore të naftës. Shumica e naftës së Lindjes së Mesme, që nga zbulimi, është eksportuar në vendet perëndimore dhe Japoni. Edhe gjatë shekullit XXI eksportuesit kryesorë të naftës së këtij regjioni mbeten shtet perëndimore, shtetet e Azisë Lindore, Azisë Juglindore, etj. Më shumë se gjysma e rezervave të naftës së Lindjes së Mesme, që nga koha që është zbuluar, kontrollohet dhe menaxhohen nga kompanitë e shteteve të fuqishme perëndimore, të kryesuar bindshëm nga SHBA-ja, e të pasuara nga shtetet e Evropës Perëndimore.