` . Revanshizmi zgjedhor shqiptar - TV SHENJA

Revanshizmi zgjedhor shqiptar

Akumulimi i pasurisë kombëtare në duart e një shtrese politikanësh, mungesa e lidershipit strategjik, humbja e interesit kombëtar, mungesa e shtetit ligjor, ekonomia në rënie, korrupsioni, krimi i organizuar dhe lufta e brendshme politike, nuk tregojnë se qeveria e re do të ketë mundësi të merret me çështje madhore. Trazirat dhe pakënaqësitë popullore janë në traditën e shqiptareve të Shqipërisë, duke filluar nga Kongresi i Lushnjës, qeveria e Nolit, Zogut, komunzimi-stalinizmi i Hoxhës, e deri në demokracinë shqiptare të konceptuar sipas modelit të PD-së dhe PS-së. Prilli ndoshta nuk do t’i ngjasojë qershorit të vitit 1997.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

30 vite nga rënia e komunizmit në Shqipëri, vendi shkëmbor i Evropës Juglindore vazhdon të prodhojë kriza të brendshme politike. Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS) për tre dekada kanë qenë dy aktorët kryesorë të polarizimeve të brendshme politike në Shqipëri. Vitet 1991 e 1997 dhe mandatet e fundit të qeverisjes së PS-së e rrumbullakojnë politikën shqiptare me tronditjet që vendi, si anëtar i NATO-s, asnjëherë të mos gjejë zgjidhje për politika të përbashkëta në çështjet e jashtme, në luftën kundër korrupsionit dhe shtetit ligjor.

Të dyja partitë, PD dhe PS, kanë folur me vite për shtetin ligjor, ndërsa  sot asnjëra prej tyre nuk ka çfarë të thotë më shumë kur vendi nuk dallon aq shumë nga krimi i viteve të ‘90-ta. Më shumë se një dekadë modernizimi i mafias dhe lidhjet e tyre me pushtetin ua mundësuan politikanëve të Shqipërisë të sundojnë më lehtë dhe asnjëherë të mos përgjigjen. Disa atentate ndodhën në mes të Tiranës, ngjarje që dëshmojnë për natyrën e përsosur të krimit të organizuar, të stimuluar nga politika, qofshin parti në pushtet ose nga rrjetet e fuqishme financiare që e mbështesin opozitën shqiptare.

 PS dhe PD nuk ndryshojnë

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta e mbajnë peng Shqipërinë në rrugën drejt drejtësisë dhe përparimit ekonomik dhe kjo nuk është pak që pas tre dekadave ky vend ende po shkatërrohet nga një cikël zgjedhor në tjetrin. Qeverisja e Sali Berishës dhe e Edi Ramës nuk solli ndryshime në mënyrën e të menduarit politik dhe ngritjen e kapaciteteve kombëtare për hyrje të kapitalit të huaj dhe investimeve serioze nga bota e jashtme. Megjithatë, krahasuar me vitin 1992, kur për herë të parë filluan të shfaqen kompanitë e huaja, sot kemi ndërrime solide në ekonominë shqiptare dhe në investime. Kjo është një arritje e emigracionit shqiptar dhe duhet pranuar se investime u bënë edhe nga një shtresë ekonomike që e kishte burimin tek komunistët e pasur të Shqipërisë, që bënë investime gjatë viteve të ‘90-ta dhe pas.

Në disa drejtime, Shqipëria ka ecur para krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, si në infrastrukturë dhe në përmirësimin e turizmit në linjën bregdetare. Nëse në vitin 1993 afër hotel Adriatikut gjendej një gjelltore nga Gostivari, sot ai vend nuk njihet fare nga hotelet dhe objektet e tjera afariste të jashtëzakonshme. Tjetër: nëse rruga Elbasan-Tiranë duhej të kalohej nëpërmjet Qafës së Krrabës për dy orë, sot tuneli modern ta mundëson atë për 35 minuta.

Megjithatë, brengosës është kapitali i politikanëve shqiptarë dhe zyrtarëve të tjerë, që vazhdojnë të paraqesin shqetësime për seriozitetin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimit të një shteti ligjor.

Aktualisht PD dhe LSI, sipas anketimeve, janë në një përparësi të ngushtë nga PS-ja, por pa ndonjë parashikim se si do të votojnë qytetarët në 25 prill. Nuk ka ndonjë dallim në politikat e PD-së, PS-së ose të partisë së Monika Kryemadhit bashkëshortes së Ilir Metës (LSI), pasi të gjithë drejtohen nga figura që nuk gëzojnë reputacion në popull, por në një farë shkalle votohen nga rrethet e ngushta radikale të partive që thithin më tepër fonde dhe të njëjtit gëzojnë të drejta nga partitë ose qeveria. Shenjat janë të njëjta, qoftë për PS-në ose PD-në dhe LSI-në, që Shqipëria – me qeverinë e re, me të njëjtat figura politike dhe me mentalitete të revanshizmit – nuk do të arrijë asgjë. Opozita e re e pas-zgjedhjeve të prillit të 2021-ës përsëri do të dalë në rrugë për të protestuar kundër politikave të qeverisë së re, duke rrënuar e përlyer edhe atë pak rend që është krijuar në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit.

 Hapësira politike e LVV-së në Shqipëri

Në këto zgjedhje tre partitë më të fuqishme në Shqipëri e kanë pas vetes edhe LVV-në, e cila nuk ka tregues se sa mund të bëjë më shumë në jetën politike të Shqipërisë. Rasti i LVV-së së Kosovës është unik, sepse LVV-ja e ka burimin dhe zhvillimin në terrenin kosovar dhe i ngjan vetëm Kosovës dhe votuesve të saj. Koncepti i LVV-së në jetën politike të Shqipërisë është “i pamundur”, për arsye se as Rama, as Berisha dhe as Meta nuk dëshirojnë lëvizje të tilla në Shqipëri. Mund të jetë çfarëdo lëvizje dhe të frymëzojë natyrën e të rinjve për një mendim politik dhe shtet ligjor, por vështirë se do të mund të gjejë hapësirë politike për veprim në Shqipërinë aktuale të kriminalizuar. Kaosi politik i sotëm i Shqipërisë tashmë është shprehur në ngecjen e negociatave me BE-në dhe në humbjen e statusit të një fuqie konkurrente përballë Serbisë. Tirana, aktualisht, vazhdon të mbetet pas Serbisë në fushën e zbulimeve, investimeve të huaja dhe rolit kryesor që duhet ta luajnë shtetet e Ballkanit në politikat e Fuqive të Mëdha. Serbia ka krijuar disa përparësi, në krahasim me Shqipërinë, e cila më shumë po humbë hapësirë detare sesa që fiton krahasuar me politikat e mprehta dhe ekspansioniste serbe.

Në një botë pandemike, Shqipëria tani dhe pas nuk ka shumë gjasa të mira të navigojë në ujërat e politikës ndërkombëtare. Akumulimi i pasurisë kombëtare në duart e një shtrese politikanësh, mungesa e lidershipit strategjik, humbja e interesit kombëtar, mungesa e shtetit ligjor, ekonomia në rënie, korrupsioni, krimi i organizuar dhe lufta e brendshme politike, nuk tregojnë se qeveria e re do të ketë mundësi të merret me çështje madhore. Trazirat dhe pakënaqësitë popullore janë në traditën e shqiptareve të Shqipërisë, duke filluar nga Kongresi i Lushnjës, qeveria e Nolit, Zogut, komunzimi-stalinizmi i Hoxhës, e deri në demokracinë shqiptare të konceptuar sipas modelit të PD-së dhe PS-së. Prilli ndoshta nuk do t’i ngjasojë qershorit të vitit 1997.