` . Rënia e kufijve etnikë në gjeografinë politike të Maqedonisë së Veriut - TV SHENJA

Rënia e kufijve etnikë në gjeografinë politike të Maqedonisë së Veriut

Mbase kjo do të jetë përpjekja e fundit e partive shqiptare të mbrojnë terrenin e tyre politik, i cili u “sulmua” në vitin 2016. Me integrimin në NATO dhe ecjen përpara në procesin e bisedimeve me BE-në gjithnjë e më shumë do të vijë në shprehje ndarja ideologjike, në të majtë e të djathtë, ndërkohë që do të bëhet edhe më i padukshëm kufiri etnik i gjeografisë politike të vendit. Në këtë realitet të ri, partitë shqiptare duhet të përgatiten më mirë për këtë realitet të lënë anësh  strategjinë e mbrojtjes së “kalasë etnike”.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

 

Që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, kufiri joformal i gjeografisë politike në Maqedoninë e Veriut ka rënë. Në ato zgjedhje, të mbajtura në një kohë krize të thellë politike, Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM) e Zoran Zaev kaloi edhe në terrenin politik të shqiptarëve etnik, me qëllim që të amortizojë epërsinë që kishte partia rivale VMRO-DPMNE, e cila për dhjetë vite kishte ushtruar një pushtet të fortë në vend. Jo që LSDM nuk kishte tentuar edhe më herët të kalojë në “zonën e ndaluar”, por kësaj radhe kishte dalë me një koncept provokues – “Shoqëri për të gjithë” – që joshi një pjesë të madhe të votuesve shqiptar.

Të ballafaquar me një partizim të skajshëm të gjyqësorit, dorë të fortë të qeverisjes nga Nikolla Gruevski dhe azdisje të paparë korruptive, shumë shqiptarë etnik panë te koncepti i Zaevit një rrugëdalje më të sigurt nga kjo zymti. Nuk mund të përllogaritet saktë, por thuhet se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, LSDM mori afër 70 mijë vota të shqiptarëve. Ky numër e barazoi këtë parti me VMRO-DPMNE-në, duke i hapur rrugë që nëpërmjet një koalicioni me BDI dhe ASH të formojë edhe pushtetin.

Edhe faktori ndërkombëtar dukej i lodhur nga pritja 10-vjeçare e Gruevskit që të zgjidh çështjen e emrit me Greqinë, por njëkohësisht edhe i zhgënjyer. Ky kontest mbante vendin jashtë NATO-s që nga Samiti i Bukureshtit në vitin 2008, kur Greqia përdori veton duke bllokuar anëtarësimin e vendit në Aleancë bashkë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Ndërkohë, në planin e brendshëm thuajse ishin shterur kauzat e mëdha që ishin të posaçme vetëm për shqiptarët. Kishte mbetur vetëm Ligji për përdorimin e gjuhëve, që shqipja të avancohej në nivel zyrtar në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe në përputhshmëri me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Për të marrë pushtetin, Zaevi pranoi të mbyllte të gjitha këto çështje – zgjodhi emrin me Greqinë dhe pranoi të votojë një ligj për shqipen. Madje, ai nënshkroi edhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, gjë që nuk kishin guxim ta bëjnë pararendësit e tij. Me mbylljen e këtyre çështjeve, Zaevi e kishte të qartë se në vend përfundon periudha e ideve dhe kauzave të mëdha dhe fillon beteja për tema të vogla e mjaft praktike për qytetarin. E këto probleme ai e dinte se ishin të përbashkëta edhe për pjesën më të madhe të qytetarëve, interesante për to, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze.

Me konceptin “Shoqëri për të gjithë” Zaevi përfundimisht e prishi ndarjen xhentëlmenë midis partive politike maqedonase dhe shqiptare, por nuk arriti të kultivojë votuesin shqiptar. Thënia “koha për kanalizim, jo për federalizim” kishte për qëllim t’u thotë shqiptarëve etnikë se koha është të mendojnë për nevoja praktike, e jo ideologjike. Por, kanalizimi në Haraçinë mbeti i papërfunduar, ndërkohë që dolën informacione se banorëve u janë premtuar edhe 200 pilotë.

Ky proces i riformatimit të skenës politike i gjeti të papërgatitura partitë tjera. VMRO-DPMNE nuk arrin të dalë nga guaca e nacionalizmit, ku u fut nën drejtimin e Gruevskit, kurse partitë shqiptare u hodhën në aksion për të mbrojtur terrenin e tyre politik, pa ambicie për të kaluar kufirin tanimë të rrënuar.

Fushata parazgjedhore e zgjedhjeve të 15 korrikut duket se është shndërruar në një përpjekje të partive shqiptare, BDI dhe koalicionit ASH-AAA, për të mbrojtur gjeografinë e tyre politike, dhe LSDM-së – që duket si një gllabërues i një terreni të huaj për të kompensuar minusin e votave te maqedonasit etnikë në raport me VMRO-DPMNE. Duke e parë se nuk ka arritur si e vetme të kujdeset për votuesin shqiptar që e mbështeti në zgjedhjet e 2016, LSDM me taktikë lidhi koalicion parazgjedhor me Lëvizjen BESA, që nëpërmjet saj të garojë dhe forcojë pozicionin te “liga” politike shqiptare. Ky koalicion i dha një liri LSDM-së që të duket më “maqedonase” dhe kështu të promovojë një nacionalizëm të hollë, ndërkohë që “dera” ku mund të futet votuesi shqiptar është BESA.

Deklarata e tij se “është i gatshëm t’i japë VMRO-DPMNE-së 13 deputetë që të formojë qeverinë e pakicës vetëm që të mos pranojë kushtin e BDI-së për kryeministër shqiptar”, në fakt është ofertë për homogjenizim etnik të kampit politik maqedonas, që bie ndesh me konceptin e tij me të cilin garon te shqiptarët etnik. Do të kishte qenë një përgjigje e fortë ndaj kushtit të BDI-së nëse oferta e tij do të ishte për të gjitha partitë tjera, përfshirë këtu edhe koalicionin ASH-AAA. Për shembull, të kishte deklaruar se do t’i jepte 13 deputetë VMRO-së apo 51 deputetë ASH-AAA të formojnë qeverinë, vetëm që mos ta pranojë kushtin e BDI-së për kryeministër.

Pa marrë parasysh devijimet e Zaevit nga koncepti që ai promovoi, realiteti është se kampet kompakte etnike gjithnjë e më shumë shkrihen në “tenxheren” politike të vendit, ku si përbërës kryesorë janë problemet praktike të qytetarit. E kur dominojnë këto kauza praktike, ndarja kryesore që bëhet është në vija ideologjike e jo në etnike apo religjioze. Kjo nuk do të thotë se ideologjia etnike apo fetare do të jenë pa ndikim në zgjedhje, por përcaktues kryesor se kujt t’i jepet vota në të ardhmen do të jetë interesi praktik i qytetarit, si: standard më i mirë jetësor, rroga më të larta, shkollim dhe shëndetësi cilësore, rrugë të mira e kështu me radhë.

Mbase kjo do të jetë përpjekja e fundit e partive shqiptare të mbrojnë terrenin e tyre politik, i cili u “sulmua” në vitin 2016. Me integrimin në NATO dhe ecjen përpara në procesin e bisedimeve me BE-në gjithnjë e më shumë do të vijë në shprehje ndarja ideologjike, në të majtë e të djathtë, ndërkohë që do të bëhet edhe më i padukshëm kufiri etnik i gjeografisë politike të vendit. Partitë shqiptare duhet të përgatiten më mirë për këtë realitet të lënë anësh strategjinë e mbrojtjes së “kalasë etnike”. Nëse LSDM ka kapur spektrin e majtë e VMRO-DPMNE atë të djathtin, një koalicion i partive shqiptare – i hapur edhe ndaj të gjitha etnive tjera – do të mund të profilizohet si opsion i tretë në nivel shteti. Me një strategji të mirë dhe me qasje gjithëpërfshirëse, një nga tre polet e politikës në Maqedoninë e Veriut do të mund të drejtohej nga shqiptarët, i cili do të kishte kapacitet të fitonte edhe zgjedhjet. Etnitë joshumicë në Maqedoninë e Veriut përbëjnë afër 40% të popullsisë, ndërkohë që ka shumë maqedonas etnikë që janë të lodhur nga skena politike bipolare “bardh e zi”, e krijuar nga LSDM dhe VMRO-DPMNE