` . Rëndësia e vitaminës D për organizimin dhe si ta marrim atë - TV SHENJA

Rëndësia e vitaminës D për organizimin dhe si ta marrim atë

Tashmë e dimë se vitamina D është e rëndësishme për shëndetin e eshtrave, por përfitimet e saj nuk ndalojnë këtu.

Vitamina D, ndryshe e njohur si vitamina e diellit për shkak se ka mundësi të absorbohet nga trupi përmes rrezeve të diellit, luan rol të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve.

Roli kryesor i kësaj vitamine, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, është ta rrisë absorbimin e kalciumit, duke e bërë atë të domosdoshëm për rritjen dhe forcimin e eshtrave. Për shkak të kësaj, mungesa e vitaminës D në organizëm, mund të çojë në eshtra të holla, të dobëta dhe të keqformuara.

Por, vitamina D ofron dhe dobi të tjera për ne, duke sjellë përfitime pozitive në shëndetin fizik dhe mendorë të njeriut. Ajo na ndihmon në forcimin e eshtrave, muskujve, sistemit imunitar, çka edhe na ndihmon t’i luftojmë më mirë infeksionet, e forcon shëndetin oral, ndihmon në parandalimin e diabetit të tipit 1 dhe 2, e trajton hipertensionin, ndihmon në humbje të peshës, e lufton depresionin dhe e zvogëlon rrezikun nga disa lloje të kancerit.

Si ta marrim më shumë vitaminën D?

Pavarësisht se vitamina D mund të merret përmes rrezeve të diellit, disa llojeve të ushqimit ose produkteve laboratorike të sugjeruara nga mjekët, sërish shumë njerëz vuajnë nga mungesa e kësaj vitamine në organizëm.

Nëse e vëreni se keni mungesë të vitaminës D, atëherë u sugjerohet të filloni t’i kaloni së paku 20 minuta në diell, disa herë në javë. Por mos harroni, ju sërish duhet të vendosni krem të mbrojtjes nga rrezet e diellit.

Përveç kësaj, ju mund të konsumoni ekstra sasi të vitaminës D përmes disa ushqimeve si: peshku yndyror, përfshirë këtu salmoni, tuna, skumbri dhe sardelet. Të pasura me vitaminën D janë edhe kërpudhat, qumështi, lëngu i portokallit, jogurti dhe drithërat e mëngjesit.

Natyrisht, ju gjithnjë mund të konsultoheni edhe me mjekun për t’iu përshkruar produkte laboratorike në formë të vitaminës D3, nëse është e nevojshme.