` . Regjistrimi i shpezëve! - TV SHENJA

Regjistrimi i shpezëve!

Paradoksale është që të vetmet vende në botë që nuk mund të mbajnë regjistrim janë Maqedonia e Veriut dhe Somalia! Shteti që s’ka kapacitet të realizojë këso procesi elementar, sot trajtohet si shtet që nuk meriton as të ekzistojë, e të mos flasim për pretendime integrimi në familjen e BE-së.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar  

Është e njohur thënia se në Maqedoninë e Veriut më lehtë mund t’i numëroni lejlekët dhe qentë endacakë sesa njerëzit, veçanërisht nëse i numëroni në bazë të përkatësisë kombëtare. Kjo është një çështje në esencë tmerruese, të cilën partitë e fshehin sikur gjarpri këmbët. Para do vitesh një shoqatë e ekologëve e kishte regjistruar me sukses edhe gjininë e lejlekëve, por si duket këtu është e pamundur që ndokush të thotë saktësisht se sa njerëz jetojnë efektivisht dhe cila është struktura e tyre! Vetëm në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk konsiderohet një operacion statistikor, por një çështje politike dhe manipuluese etnike. Andaj mund të lexojmë statistika argëtuese, që dalin nga teori hipotetike në favor ose në dëm të njërës ose  tjetrës palë, kurse realiteti është tejet larg tyre, madje shumë i zymtë.

Regjistrimi i vitit 2002 thekson se në këtë shtet jetojnë diç më shumë se dy milionë banorë, nga të cilët 64 për qind maqedonas, 25 për qind janë shqiptarë dhe 11 për qind të tjerë. Këto janë shifrat zyrtare që në start të kontestuara dhe se nga ndryshimi eventual i tyre për dekada aq shumë frikohen subjektet politike, të cilat vet më së shumti kontribuuan që shpërngulja të shndërrohet në një lum që vazhdon ta marrë në valët e tij rininë vitale. Na duhej shumë kohë që ta kuptojmë se princesha e bukur në fakt na kishte pas qenë vetëm një shtrigë e shëmtuar.

Kohë më parë koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së pati deklaruar se nëse regjistrimi tregon se shqiptarët do ishin më pak se 20%, ata nuk do ta njihnin atë! Ky është një ankth që ju tmerron kur të dilni para pasqyrës dhe ta shihni realitetin tuaj, pasi mu dështimet e kësaj partie më së shumti kontribuuan për eksodin marramendës të shqiptarëve nga ky shtet. Nga ana tjetër, kryeministri Zaev pati deklaruar se edhe sikur përqindja e shqiptarëve të jetë më e ulët se 20 për qind, ata nuk do t’i humbnin të drejtat e fituara. Nga të dy qëndrimet sikur çohet mesazhi se ndoshta kemi të bëjmë me rënien e përqindjes së popullatës rezidente shqiptare në Maqedoni nën censusin e Badinterit! Por, por është fakt se politikat e gabuara kanë bërë që shumëkush që do perspektivë të ndershme në jetën e vet duhet të ikë nga ky ferr. Madje, si duket, nga këtu që moti paska ikur edhe vetë djalli, pasi e pat kuptuar se edhe pa të ne vet do ta bëjmë ferrin. Ndërkaq me kaq djallëzi nuk mund të mungojë edhe dënimi nga Zoti.

Pa dilemë, se kështu siç është ligji aktual, do të kemi plotë shqiptarë e maqedonas si rezultate në letër, por popullata rezidente, pra që efektivisht jeton këtu, sidomos ajo shqiptare, është nga zbrazja e përmasave biblike. Nga përfaqësitë europiane konsullore në Shkup ka informacione se për viza pune presin tri herë më shumë shqiptarë sesa të tjerë! Që këtu vjen edhe paniku dhe vrapi në të gjitha anët i pushtetarëve shqiptarë, për lobim për t’u regjistruar qytetarët tanë që janë jashtë. Kërkojnë nga ata që t’ua shpëtojnë fytyrën mu atyre politikanëve shqiptarë që me veprimet ose mosveprimet e veta e dëbuan gjysmën e popullatës shqiptare të këtij vendi nga vatrat e veta, duke bërë që atyre çdokund tjetër t‘u duket më mirë sesa në vendlindjen e vet. Ditë e më shumë mbetemi të vetmuar në fshatra e lagje qytetesh, të cilat tanimë kanë filluar t’u ngjasojnë vendbanimeve pa jetë, ku nuk dëgjohet më zëri i ëmbël i fëmijëve që luajnë në oborret e tyre, kjo pasi këtu krimi e korrupsioni qëmoti kanë fituar vlera elitare: sa më i korruptuar që jeni, aq më i famshëm jeni. Sikur s’duam ta kuptojmë se sa mjerim është të lartësosh vepra që e shkaktojnë mjerimin.

Neni 6 i Ligjit aktual për regjistrim thekson se në procesin e regjistrimit do përfshihen personat me shtetësi të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë vendbanim ose vendqëndrim në këtë shtet, pa dallim nga ajo se në momentin e regjistrimit ndodhen në shtet apo jashtë tij. Por, neni 8 alineja 2 e Ligjit duket pak si konfuz. Këtu thuhet se për personat shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë me punë të përkohshme jashtë, do të jetë i mundur edhe vetëregjistrimi në një aplikacion të veçantë që është në dispozicion në faqen e internetit të EShS! Natyrisht se do mund të regjistrohen vetëm personat që kanë numër amë regjistrimi në Maqedoni.

Lufta për krenari boshe etnike ose frika e numrave, njëherazi është edhe frikë nga humbja e të drejtave të kushtëzuara nga përqindja, janë linjat frontale, të cilat politikanët joproduktivë për vite i eksploatojnë përpara votuesve. Por, në thelb, realiteti është shumë më i dhimbshëm dhe dukshëm më dramatik. Këtu bëhet fjalë për manipulimin rural-patriotik të numrave publikë, duke shkelë mbi dinjitetin, institucionet dhe politikat e pritura publike. Këtyre subjekteve politike sikur nuk u pëlqejnë figurat dhe burimet e pavarura, që do të konfirmonin shifra objektive, ngase në mungesë të shifrave nga regjistrimi, pushteti ndërton politikat e tij në mënyrën voluntariste dhe pa objektiva konkrete, duke i kënaqur pushtetarët me nacional-romantizëm të rrejshëm. Pikërisht kjo është njëra nga arsyeja se përse ne kemi dështuar në ekonomi, zhvillim, arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi, sociale etj. Statistika shtetërore duhet të kujdeset për të dhënat, të informojë mirë e saktë edhe për atë se si qëndron shporta e konsumatorit. Ose, imagjinoni, pa statistikë, dy organe shtetërore, Agjencia e Punësimit dhe Enti Shtetëror i Statistikës, kanë të dhëna të ndryshme për numrin e të papunëve në shtet!

VMRO DPMNE-ja e kundërshtoi frontalisht Ligjin mbi Regjistrim dhe e detyruan pushtetin që atë ta shtyjë për në shtator. Ata deklaronin se dy liderët partiakë të pushtetit (Zaev dhe Ahmeti) paraprakisht i kanë kontraktuar rezultatet e rrejshme që edhe më tej të mbeten në pushtet. Por, akoma nuk dihet se a do të ketë intervenim në ligjin ekzistues apo jo. Prej këtu burojnë edhe konstatimet se ndoshta jemi para dështimit të radhës në procesin e regjistrimit. Disa demografë mendojnë se edhe regjistrimi i shtyrë ka shumë të ngjarë që sërish të dështojë. Përkundër përdorimit të metodologjisë së EUROSTAT-it, subjektet politike nuk mund të paramendojnë rezultate irrituese për ta, qofshin ato edhe të vërteta, pasi dallimi në përqindjet statistikore etnike përjetohet sikur dallimi ndërmjet jetës dhe vdekjes. Ndërkaq vdekjen këtu e sollëm vet, në mungesë të projekteve zhvillimore. Po t’u ofrohej njerëzve liberalizim dhe zona industriale e të fermave, ndihma dhe instruksione për shfrytëzimin e fondeve financiare ndërkombëtare pa kthim, sot nuk do të kishim nevojë që t’i lusim bashkëvendësit tanë që të regjistrohen e të na e ruajnë atë pak fytyrë që na ka mbetur, pasi ata do t’i kishim këtu në vendin e tyre.

Tani rinia atje vesternizohet dhe pas një kohe s’do i lidhë gjë me atdheun e prindërve ose gjyshërve të tyre. Madje, shtëpitë e të parëve të veta ndoshta do ua shesin, përmes internetit, edhe afrikanëve. Shembulli i Turqisë tregon se sa vështirë është ta riktheni popullatën në vendlindje edhe përkundër zhvillimit të hovshëm dhe ofertave atraktive që i bëri pushteti atjeshëm. Vetëm një pjesë e vogël u kthyen, pasi njerëzit kur natyralizohen në një shtet tjetër, vështirë e kanë të kthehen.

Në vitin 2011 një përpjekje për një regjistrim të rregullt të popullatës përfundoi me fiasko. Që në fillim të regjistrimit, disa anëtarë të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, si dhe kryetari i këtij organi dhanë dorëheqje. Si duket regjistrimi u shoqërua me pretendime për parregullsi të shumta. Ligji në fuqi u interpretua sipas momenteve, kështu që do të dilte një rezultat absurd, se në këtë shtet jetojnë më tepër se katër milionë banorë! Dhjetë ditë nga fillimi i tij regjistrimi u ndërpre, pa një datë shtesë se kur do të duhej të vazhdojë. Dhe, askush nuk e mori përgjegjësinë për regjistrimin e dështuar, edhe pse Gruevski pat thënë se “qeveria e kishte parandaluar falsifikimin”.

 

Paradoksale është që të vetmet vende në botë që nuk mund të mbajnë regjistrim janë Maqedonia e Veriut dhe Somalia! Shteti që s’ka kapacitet të realizojë këso procesi elementar, sot trajtohet si shtet që nuk meriton as të ekzistojë, e të mos flasim për pretendime integrimi në familjen e BE-së. Pa regjistrim assesi s’mund të ndërtoni politika efikase e zhvillimore. Shteti ka nevojë për të dhëna përkatëse statistikore sa më shpejt që është e mundur, veçanërisht tani si një vend që është para fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Madje, në procesin bisedues, regjistrimi është një nga prioritetet në kapitujt e negociatave. Ndërkaq ne jemi aq primitivë, sa nuk e kuptojmë se sa me rëndësi është raporti gjinor, i moshës, i kualifikimit, i shkollimit, i angazhimit, jetesës dhe përfitimit. Kjo periudhë, prej gati 20 vitesh, mund të arsyetohet here sido, por është tragjike që një vend me më pak se një milion e gjysmë banorë nuk e njeh popullsinë e vet! Banka Botërore parasheh se me këso trendi zhvillimor dhe shpërngulje Maqedonia në vitin 2050 do të ketë nën një milion banorë.

Gjithçka e merituar, pasi ndër vite të paditurve e të korruptuarve u janë lëshuar rrugët, ndërsa tani shohim se s’kemi kah të lëvizim më! Vet lejuam që çfarëdo njerëzish të na hyjnë në institute e institucione, në gjykata e shërbime publike, madje edhe në xhepat tanë. Mendonim se drejtësinë më së miri mund të na e ndajnë mu ata që as vet s’e meritojnë lirinë!

Ndërkohë, ekologjistët e kishin zbuluar se në këtë shtet paska 3,661 lejlekë të të dy gjinive dhe 817 fole. Për njerëzit këtu akoma s’dimë gjë!