` . Regjistrimi as nuk ndërpritet e as nuk anulohet - TV SHENJA

Regjistrimi as nuk ndërpritet e as nuk anulohet

“Me ndryshimin e fundit të Ligjit për regjistrim, vetëm dhe vetëm u bë shtyrja e regjistrimit brenda shtetit. Në vend që të mbahej nga 1 prilli e deri më 21 prill, tani ai do të mbahet nga 5 shtatori deri më 30 shtator. Pra, regjistrimi brenda shtetit u shty për 5 muaj dhe ai nuk u prish, nuk u anulua, nuk u abrogua, nuk u shfuqizua, por vetëm u shty për në shtator”, thotë zëvendësdrejtori Ilmi Selami.

Intervistoi: Ismail SINANI

Zëvendësdrejtori shqiptar i Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, Ilmi Selami, në intervistën e zhvilluar shprehet i bindur se regjistrimi i popullsisë do të vazhdojë në shtator. Sipas tij, shtyrja e këtij procesi për në vjeshtë ishte një kompromis i domosdoshëm, por që në fund do të rezultojë në favor të të gjithë qytetarëve. Selami konsideron se çdo tendencë për të thënë se procesi i regjistrimi është ndërprerë, është në dëm të interesave të përgjithshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai, me këtë rast, edhe i bën apel diasporës që të vazhdojë me ritmin e regjistrimit, njëjtë siç pati filluar dy muaj më parë.

 

SHENJA: Ndonëse pritej prej dy dekadash, para disa javësh iu dha fund procesit të regjistrimit të Maqedoni të Veriut, të paktën në këtë periudhë, me arsyetimin se ai do të vazhdojë në shtator të këtij viti. Çfarë, në të vërtetë, ka ndodhur?

I.SELAMI: Të organizosh dhe zbatosh regjistrim të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare, për të gjitha shtetet paraqet një sfidë të vërtetë, e sidomos për shtetet multietnike, që gjenden në regjione problematike, siç është Ballkani. Sfida bëhet edhe më e madhe kur në këto procese që, në esencë duhet të jenë pastër statistikore, ngërthehen interesa të ndryshme etnike dhe politike. Kështu, proceset e regjistrimit kështu shumë lehtë kthehen në beteja etnike-politike dhe statistikat shumë të nevojshme, që i prodhon ky lloj i procesit statistikor, bëhen sekondare e gati të parëndësishme, duke rënë nën hijen e betejave etnike-politike.

Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është përjashtim nga kjo që thamë. E keni vërejtur se gjithmonë kur flitet për regjistrim ngjallet debat i ashpër, i zhurmshëm, me shumë dilema dhe me mungesë besueshmërie. Përgjatë regjistrimeve të deritanishme ndër vite, kanë qenë shqiptarët ata që gjithmonë me të drejtë kanë reaguar, duke shprehur pakënaqësinë dhe mosbesimin e tyre në këto procese. Numrat nga këto regjistrime kanë qenë të manipuluar, duke fshehur numrin real të shqiptarëve dhe jo vetëm. Qëllimi ka qenë që shqiptarët të dalin pakicë kombëtare e jo popullatë ose komb i dytë në shtet. Kjo pastaj ka implikuar që shqiptarët të kenë të drejta të shkelura e të cunguara.

Këtij lloj manipulimi institucional dhe shtetëror i erdhi fundi me Ligjin për regjistrim të popullsisë, banesave dhe amvisërive të miratuar në fillim të këtij viti. Me ligjin në fjalë u krijua një kornizë solide ligjore, me të cilën u përmirësuan padrejtësitë që ishin bërë me ligjet e të gjitha regjistrimeve të mëparshme. Tani, për herë të parë, mund të regjistrohen të gjithë personat që jetojnë brenda dhe jashtë shtetit. Diaspora e jonë do të regjistrohet mu ashtu siç regjistrohet edhe popullsia brenda në shtet. Përveç kësaj, ky ligj siguroi garanci institucionale në punën brenda Entit Shtetëror të Statistikave, i cili është institucion i vetëm përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e regjistrimit. Në këtë frymë siguroi nënshkrimin e dyfishtë, të përbashkët ose, nëse doni, nënshkrimin e lidhur mes drejtorit, që është maqedonas, dhe zëvendësdrejtorit shqiptar të Entit Shtetëror të Statistikave. Nënshkrimi i tillë vlen për të gjitha dokumentet që prodhohen nga fillimi e deri në fund të procesit të regjistrimit, si dhe në shpalljen e rezultateve përfundimtare të tij. Nëse zëvendësdrejtori nuk pajtohet me ndonjë dokument ose akt, atëherë ai është i pavlefshëm dhe nuk prodhon fuqi juridike. Me ligjin në fjalë është e paraparë që regjistrimi të bëhet në formë elektronike. Gjatë procesit të regjistrimit elektronik gjithçka ruhet dhe evidentohet në softuer, i cili alarmon për çdo ndërhyrje të palejueshme eventuale. Me këtë janë evituar manipulimet e mundshme që kanë mundur të bëhen më parë, kur regjistrimi është bërë në formë të vjetër me letër dhe me laps.

Të gjitha këto pjesë ligjore që i përmenda kanë bërë që shqiptarët kësaj radhe të jenë më të rehatshëm në zbatimin e këtij regjistrimi, duke qenë të sigurt se të gjithë ata, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, do të regjistrohen dhe se shifrat nga ky regjistrim do të dalin të sakta, reale dhe të sigurta. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur problem që t’i pranojnë shifrat ose përqindjet reale, qoftë të tyre ose të etniteteve tjera. Shqiptarëve u kanë penguar dhe nuk janë pajtuar me shifrat joreale. Shqiptarët gjithmonë kanë dashur dhe duan një regjistrim real, që do ta pasqyrojë fotografinë reale të shtetit. Prandaj, si duket, shqetësimi kësaj radhe nuk ishte te shqiptarët, por te disa grupacione politike dhe grupe interesi, në të cilat ka ende mendësi të vjetër anakronike që shqiptarët i sheh si element të frikshëm, destruktiv dhe kanosës për shtetin. Natyrisht, këto janë recidiva të së kaluarës kanë krijuar paragjykime që zgjatjet e tyre i kanë deri në ditët e sotme. Kësisoj paragjykime ka të ngulitura në mendjet e ngarkuara në formë fobiesh të pabaza.

Por, le t’i kthehemi pyetjes që ma parashtruat! Çfarë në të vërtetë ndodhi ndërkohë? Siç e dini, ne kemi proces të regjistrimit për diasporën, i cili ka filluar më 1 mars dhe ai zhvillohet mbarë dhe është në rrjedhë e sipër për t’u zhvilluar si i tillë deri më 30 shtator të këtij viti. Pra, ai do të zgjasë pa ndërprerë me të njëjtën formë dhe mënyrë siç edhe ka nisur, në formë elektronike, nëpërmjet aplikacionit në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave. Nga 1 prilli duhej të fillonte regjistrimi brenda shtetit. Gjatë tërë kohës këtë proces e kundërshtonte dhe nuk e pranonte opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe E MAJTA. Madje, kishte paralajmërime të hapura se ato do ta bojkotonin atë. Kjo opozitë, nga njëra anë, e kundërshtonte regjistrimin, ndërsa nga ana tjetër, bashkë me opozitën shqiptare, ASH-AAA, me anë të amendamenteve të ndryshme, e bllokuan punën e Kuvendit. Shteti dhe institucionet e tij u bllokuan. Ngecën shumë ligje pa u miratuar. Mes tyre ishte pakoja e pestë e masave anti-krizë për ringjalljen dhe zhvillimin e ekonomisë. Të mos harrojmë se këtu ishte edhe Ligji për shtetësi, i propozuar nga ASH-AAA, si dhe shumë ligje tjera të rëndësishme. Kjo bllokadë duhej të mënjanohej e të hiqej. E si hiqen bllokadat politike, përveçse me dialog politik mes pushtetit dhe opozitës? Andaj, duhej ulur dhe biseduar. Paraprakisht partitë e koalicionit qeveritar e dinin se duhet bërë kompromis. E kompromiset gjithmonë janë të dhimbshme, por në afat të gjatë sjellin perspektivë, zhbllokim dhe ecje para. Më pastaj pason takimi mes Kryeministrit Zoran Zaev dhe Kryetarit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski. Që të zhbllokohet shteti, nga ana e opozitës kategorikisht u kërkua që regjistrimi brenda shtetit të shtyhet nga muaji prill për në muajin shtator, ndërsa regjistrimi i diasporës të vazhdojë deri më 30 shtator. Bisedat vazhduan për disa orë. Komunikimi me partnerët e koalicionit qeverisës ishte intensiv. Shqiptarët e koalicionit qeveritar në princip nuk ishin për t’u shtyrë regjistrimi, por kompromisi duhej arritur. Ishte pushteti ai që duhej të lëshojë pe për hir të zhbllokimit të proceseve të tjera në shtet, që ishin po aq të rëndësishme. Gjithë këtë tregim e rëndonte edhe situata serioze e krijuar kohëve të fundit me pandeminë. Kështu, duke i marrë parasysh të gjitha aspektet, më në fund kompromisi ndodhi. Regjistrimi brenda shtetit u shty për 5 deri më 30 shtator ndërsa diaspora vazhdon të regjistrohet pa ndërprerë deri më 30 shtator. Ky kompromis me fjalë tjera nënkupton se pushteti lëshoi pe për regjistrimin, e shtyu për pesë muaj, ndërsa opozita – si kundërvlerë – do t’i tërheqë amendamentet dhe do ta zhbllokojë punën e Parlamentit. Kështu u zhbllokua procesi i ecurisë drejt eurointegrimeve. Opozita nuk do ta bojkotojë regjistrimin në shtator, por do ta ndihmojë dhe do t’i pranojë rezultatet nga regjistrimi.

 

SHENJA: Regjistrimi, siç edhe ju e keni deklaruar disa herë, por siç edhe e kanë përmendur shumë herë edhe autoritetet më të larta të Bashkimit Europian, është një proces i rëndësisë së veçantë për vendin. A është veprim serioz ndërprerja e tij, aq më shumë që ndërprerja e tij po ndodhë për herë të dytë (edhe në vitin 2011 u ndërpre)?

I.SELAMI: Vërej se edhe ju, me apo pa vetëdije, parapëlqeni ta përdorni termin “ndërprerje e regjistrimit”. Për të mos krijuar edhe më tej huti, më lejoni që edhe një herë të shpjegoj mirë e mirë se për çka në të vërtetë bëhet fjalë. Regjistrimi nuk u ndërpre, por ai nga prilli u shty për në shtator, ndërsa regjistrimi për diasporën, ashtu siç ka filluar, do të vazhdojë deri më 30 shtator. Në asnjë moment nuk vihet në pikëpyetje mundësia për të vazhduar diaspora me aktivitetin e vetëregjistrimit. Ata do të mund të vazhdojnë pa ndërprerë të regjistrohen në aplikacionin elektronik në faqen tonë të internetit. Të gjitha regjistrimet e deritanishme, që i kanë bërë deri më tani e që janë rreth 190 mijë sosh, vlejnë dhe do të vlejnë edhe më tej, deri në fund, pra deri më 30 shtator. Ato do të numërohen dhe do të jenë pjesë e rezultateve përfundimtare. Andaj i lus njerëzit tanë në mërgatë që aspak të mos hezitojnë, të mos demotivohen, por të vazhdojnë edhe më fuqishëm, edhe më të bashkuar të regjistrohen, sepse ata nuk janë vetëm numër, por janë pjesë e fotografisë së shtetit ku jetojmë.

Pra, regjistrimi nuk ndërpritet. As nuk anulohet. As nuk prishet e as nuk zhbëhet. Regjistrimi për diasporën vazhdon dhe, madje, afati dhe mundësia për t’u regjistruar zgjatet për 5 muaj të plotë shtesë, deri në 30 shtator.

Me ndryshimin e fundit të Ligjit për regjistrim vetëm dhe vetëm u bë shtyrja e regjistrimit brenda shtetit. Në vend që të mbahej nga 1 prilli e deri më 21 prill, tani ai do të mbahet nga 5 shtatori deri më 30 shtator. Pra, regjistrimi brenda shtetit u shty për 5 muaj dhe ai nuk u prish, nuk u anulua, nuk u abrogua, nuk u shfuqizua, por vetëm u shty për në shtator.

Pra, nëse e vëreni mirë, atëherë shumë lehtë do të konstatoni se nuk mund të bëhen paralele të ndodhive me regjistrimin e vitit 2011 me atë të tanishmin, sepse regjistrimi i vitit 2011 u ndërpre dhe materialet e dala nga ai u shpallën të pavlefshme. Pra, u zhbë i tëri. Ndërkaq tani, në vitin 2021, kemi regjistrim që zhvillohet pa ndërprerë për diasporën dhe regjistrim i cili u shty nga prilli për në shtator. Andaj, çdo përdorim i termeve tjera në kontekst të këtij regjistrimi aktual, përveç termit “shtyrje”, është ose qëllimshëm tendencioz ose laik që buron nga mosnjohja e proceseve.

 

SHENJA: Opozita shqiptare, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, insistuan me ngulm që ai të vazhdojë. Ndërkohë, BDI u rreshtua në anën e atyre që donin ta shtyjnë për shtator, pra LSDM-së, VMRO-së, por edhe partisë ultranacionaliste maqedonase Levica. Duke e marrë parasysh se ju në postin që gjendeni duhet ta ruani parimin e “paanësisë”, a nuk mendoni se vendimi i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për ta anuluar në këtë fazë regjistrimin brenda vendit u përjetua si “shok” nga shqiptarët?

I.SELAMI: Siç e theksova më parë, kompromiset gjithmonë janë të dhimbshme, por në plan afat gjatë sjellin perspektivë, zhbllokim dhe ecje para. Ju e dini se opozita kanosej me bojkot të regjistrimit. Dhe, bojkoti i diasporës maqedonase mbase edhe ndodhi. Një bojkot i tillë pritej të ndodhë edhe në regjistrimin që do të bëhej brenda shtetit. Nga ana tjetër, pandemia me shifrat tmerruese po e bënte të veten. Kështu që u bë evidente se kompromisi duhej arritur dhe ai u arrit në mënyrën që tashmë e përmenda dhe që tashmë është e njohur për opinionin.

Opozita shqiptare, ASH-AAA, e shfrytëzoi situatën e krijuar për arritje të pikëve ditore politike dhe doli kundër shtyrjes së regjistrimit. Është fer dhe e drejtë t’i shpjegohet opinionit, e sidomos opinionit shqiptar, se ky veprim në esencë ishte i pakuptimshëm, sepse shtyrja e regjistrimit ishte rezultat i një kompromisi të patjetërsueshëm. Ishte një e keqe që duhej të ndodhte për hir të zhbllokimit dhe ecurisë së mëtejshme, si dhe për shkak të situatës së rënduar me pandeminë. Kjo aq më tepër kur gjatë gjithë kohës opozita shqiptare trumbetonte se është shumë e interesuar për miratimin e ligjit të shtetësisë dhe zgjidhjen e problemeve të, siç i quanin ata, hallexhinjve pa shtetësi. Parashtrohet pyetja: se si do ta sillnin ata Ligjin e shtetësisë nëse nuk zhbllokohej puna e Parlamentit? Ne të gjithë jemi dëshmitarë se vetëm pasi u arrit kompromisi mes pushtetit dhe VMRO-DPMNE-së, kjo e fundit u dakordua që t’i tërheqë amendamentet e shumta për Ligjin për shtetësinë dhe kështu ai tani u zhbllokua dhe mund të procesuohet më tej. Kështu, pra, kompromisi pozitë-VMRO-DPMNE solli edhe kompromisin pozitë-ASH-AAA, takimet Zaev-Sela-Gashi, gjë që paraqet derë të hapur për zgjidhje finale të problemit me Ligjin e shtetësisë, që e kishte bllokuar VMRO-DPMNE me amendamentet e saj. Pra, është fer dhe e drejtë që të jemi të sinqertë ndaj qytetarëve, sidomos ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe t’u thuhet atyre qartazi se nëse duam të zgjidhet problemi me Ligjin e shtetësisë, paraprakisht duhej dhe ishte i nevojshëm që të ndodhte kompromisi pozitë-VMRO-DPMNE, pra të shtyhej regjistrimi. Vetëm kështu do të mund të vinte në rend dite zgjidhja për ligjin e shumëpërfolur të shtetësisë. Me këtë sinqeritet do ta evitonim tërë këtë huti që ia shkaktuam siasporës. Nuk do të kishte nevojë që opozita shqiptare të mundohej që me çdo kusht të gjente arsye për ta arsyetuar etjen për pikë politike para shqiptarëve duke e demonizuar shtyrjen e regjistrimit si fundin e botës. Kështu opozita shqiptare, me ose pa vetëdije, ka kontribuar që diaspora të demotivohet edhe më shumë dhe me këtë kanë kryer shërbimin më të keq për kombin.

Në vend të kësaj, duhej të dilnim gjithë së bashku dhe t’ia shpjegonim këtë kompromis bashkatdhetarëve tanë dhe ata sigurisht që do të ishin shumë falënderues dhe mirëkuptues, sepse fundi i botës megjithatë nuk ndodhi, por tani po ndodh regjistrimi i diasporës dhe në muajin shtator do të ndodhë regjistrimi i brendshëm.

Andaj, shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i lus të gjitha partitë politike që t’i lënë për një çast inatet anash, të dalin së bashku ose veç e veç, ashtu siç pëlqejnë ata vetë dhe le ta ftojnë diasporën tonë që të regjistrohet, sepse regjistrimi nuk është as i BDI-së, as i ASH-AAA-së, as i BESA-s, as i PDSH-së, e as i asnjërit veç e veç, por i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjithë qytetarëve në tërësi.

 

SHENJA: E kemi patjetër ta theksojmë një fakt se ju personalisht i keni parë me sy të keq përpjekjet për ndërprerjen ose anulimin e regjistrimit. Në intervistat tuaja të mëhershme i keni apostrofuar partitë opozitare maqedonase, Presidentin e shtetit, por edhe Kishën Ortodokse Maqedonase, se po punojnë kundër mbajtjes së regjistrimit. E tani kur ndodhi prolongimi, si e komentoni këtë fakt?

I.SELAMI: E theksova më herët se në këtë regjistrim shqiptarët nuk kanë problem. Topi është në teren tjetër, në terrenin e atyre që kanë problem me qenien shqiptare. Andaj mos pritni se gjithçka do ta pranojnë me duartrokitje dhe aq krahëhapur. Ata i bëjnë ekzibicionet e veta, i bëjnë saltot e ndryshme politike, por mos harroni se e dinë qartë se janë të lexuar si nga faktori politik shqiptar, ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Nuk kanë ku shkojnë, s’kanë ku ikin dhe s’kanë si ikin nga realiteti. Ja shtatori për disa muaj është në prag. Vonim ka, por ikje nga realiteti nuk ka. Kjo që po them nuk është kanosje, por është thirrje për kthjellim, për zgjim, t’i thërrasim mendjes e t’i hapim sytë dhe ta shohim realitetin ashtu siç është. Vetëm ashtu mund të ecim para dhe t’i ndihmojmë realisht ardhmërisë. Askujt nuk i duhen dhe askujt nuk i hyjnë në punë të dhëna statistikore nga një regjistrim i shtrembëruar.

 

SHENJA: Nuk janë të paktë zërat që thonë se shkak për ndërprerjen e regjistrimit në këtë fazë, me kërkesë të Zaevit dhe Mickovskit, ishte euforia e shqiptarëve për t’u regjistruar, me ç’rast do të dilte në pah numri i vërtetë i bashkëkombësve tanë që jetojnë në këtë shtet. Si e vlerësoni ju këtë

I.SELAMI: Numri i saktë dhe real i shqiptarëve do të dalë në pah, deshi dikush apo jo, u frikua dikush apo jo. Ai numër do të jetë aq sa vërtet janë shqiptarët, as më pak e as më shumë. Shpesh dëgjoj kohëve të fundit se mos vallë dikush u frikësua nga numri i madh i shqiptarëve. Unë them se e kanë gabim qasjen. Ky numër nuk është i madh, por është real, i vërtetë, aq sa janë shqiptarët. Nga ky numër nuk duhet të frikësohet askush. Vetëm mendjet e mbetura prapa në monizëm ende mund të mendojnë në mënyrë të tillë. Por, një gjë është e sigurt – mendje të tilla çdoherë ka pasur, ka dhe do të ketë. Me rëndësi është që Maqedonia e Veriut ta mbarojë sivjet punën me regjistrimin, ashtu siç duhet, të dalin numrat realë dhe në këtë mënyrë karvani le të ecë para me gjithë lehjet majtas-djathtas që mund të ketë. Kështu, si shtet, do ta plotësojmë një kusht të rëndësishëm që është vënë nga Bashkimi Evropian në rrugëtimin tonë drejtë fillimit të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe pas plot 20 viteve do të kemi regjistrim të zbatuar ashtu siç i ka hije.

 

SHENJA: Ndonëse teknikisht po thuhet se regjistrimi do të vazhdojë në diasporë, atje vërehet një rënie e theksuar e entuziazmit. Nëse para disa javësh gjithë diaspora “u ngrit në këmbë”, që nga dita kur u mor vendimi në Kuvend, thuajse askush më nuk ia bën muhabetin kësaj teme. Çfarë i bie kjo?

I.SELAMI: Nga e gjithë kjo që u tha më herët është e dukshme se diaspora e jonë pak u hutua dhe u demotivua. Me kalimin e kohës po kthjellet situata dhe regjistrimi vazhdon. Tani nuk duhet dhe as nuk mund të presim regjistrime me intensitet të madh, siç kishim para 2-3 javësh. Tani ka mjaftueshëm kohë dhe është normale që çdonjëri t’i bëjë llogaritë e veta me kohën se kur do të caktojë që të ulet dhe të regjistrohet me familjen e vet. Kështu është kur nga sprinti kalojmë në maratonë. Ishin ditë të numëruara dhe, natyrisht, intensiteti ishte më i madh. Tani ka kohë që gjithçka të rregullohet në lidhje me dokumentacionet e nevojshme dhe mendoj se me pak inspirim, me pak apel dhe me pak ndihmesë, diaspora e jonë megjithatë do të regjistrohet deri te anëtari i fundit. Ata ekanë pjekurinë më të lartë politike se ne këtu dhe jam i bindur se, si zakonisht, do ta vlerësojnë drejt këtë proces dhe do të regjistrohen të gjithë. Pres që procesi i regjistrimit të intensifikohet kah mesi i muajit gusht, atëherë kur do të mbarojnë pushimet dhe atëherë kur praktikisht do të jemi në fazën e aktualizimit para fillimit të regjistrimit në Maqedoninë e Veriut. Si zakonisht, nga pak edhe jemi të tillë, që parapëlqejmë që punët t’i lëmë për në fund. Prandaj shfrytëzoj rastin të bëj apel që megjithatë mos ta lëmë për në fund, por të regjistrohemi sikur nesër të jetë afati i fundit për regjistrim, sepse kështu e lehtësojmë vetë procesin dhe i mënjanojmë tollovitë në aktivitet.

 

SHENJA: Ta zëmë se regjistrimi “po ecë”. Megjithatë, duhet pranuar se softueri ka një mori lëshimesh në disfavor të shqiptarëve. Shumë pjesë të tij janë përkthyer me një shqipe të çalë ose edhe nuk janë përkthyer fare dhe janë lënë në maqedonisht. Pse të gjitha këto lëshime?

I.SELAMI: Pse ta zëmë!? Jo ta zëmë, por regjistrimi po ecë dhe ai po zhvillohet pa ndërprerë. Deri tani janë regjistruar rreth 190 mijë bashkëatdhetarë tanë dhe për çdo ditë po regjistrohen me disa qindra njerëz. Ky numër tregon se procesi po ece pa ndonjë pengesë. Problemet që i patëm në fillim shpejtë i tejkaluam dhe tani procesi po ecë mbarë.

 

SHENJA: Ju, personalisht, a jeni të bindur se regjistrimi do të mbahet në shtator?

I.SELAMI: Ne si Ent Shtetëror i Statistikave po punojmë në zbatimin e ligjit, i cili parasheh që regjistrimi të mbahet në shtator. Nuk ka më asnjë arsye që ai të mos mbahet. Me kompromisin e bërë tani janë absolvuar të gjitha shkaqet dhe arsyet e opozitës maqedonase për të bojkotuar dhe për të mos i pranuar rezultatet nga regjistrimi. Letra iu mor prej dore me shtyrjen e regjistrimit dhe VMRO-DPMNE, bashkë me disa të tjerë, tani nuk kanë asnjë të drejtë që të mos jenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për ecurinë e shtetit.

 

SHENJA: Dhe, krejt në fund, çfarë nëse nuk respektohet vendimi që regjistrimi të mbahet në atë periudhë?

I.SELAMI: Nuk flitet për vendim, por për ligj. Regjistrimin si proces nuk e bën VMRO-DPMNE-ja, as LSDM-ja e as BDI-ja… regjistrimin e organizon dhe e zbaton Enti Shtetëror i Statistikave dhe ne patjetër që do ta bëjmë, sepse jemi të obliguar si institucion ligjzbatues ta bëjmë këtë. Aktivitetet përgatitore po rrjedhin dhe mendoj se më 5 shtator gjithçka do të jetë gati për një fillim të mbarë e për një regjistrim të suksesshëm. Gjithçka është gati që Maqedonia e Veriut në Shtator ta mbarojë regjistrimin e munguar plotë 20 vite.