` . Regjisori serb në Teatrin “Kosova” të Tiranës - TV SHENJA

Regjisori serb në Teatrin “Kosova” të Tiranës

Në fund të shkurtit të vitit 1945, përderisa njësitë ushtarake shqiptare-jugosllave po bënin masakra mbi popullatën shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Sanxhak e në Luginën e Preshevës, në Tiranë do të arrijë regjisori serb, Bozha Nikoliq, me qëllim që ta realizojë shfaqjen e parë profesionale teatrale në Shqipërinë komuniste.

Shkruan: Shkëlzen HALIMI, Shkup

Idila shqiptaro-jugosllave në prag të përfundimit të Luftë së Dytë Botërore dukshëm u reflektua edhe në bashkëpunimin kulturor. Autoritet e atëhershme komuniste të shtetit shqiptar, duke i respektuar në përpikëri parimet staliniste, kishin vendosur që edhe ndërtimi i kulturës të fillojë nga pika zero, pra të krijohet kultura komuniste, e cila në fakt bëri prerjen më të vrazhdë të kontinuitetit të kulturës shqiptare që kishte zënë fill sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, për të pasur një zhvillim të hovshëm në periudhën e Mbretit Zog, kur doli në pah një plejadë e intelektualëve me formim të shëndoshë kombëtar, e cila kishte një vizion të qartë për zhvillimin e gjithanshëm të shtetit shqiptar, përfshirë edhe zhvillimin kulturor që në vitet 30-ta kishte filluar të lulëzojë përmes botimeve të shumta. Pikërisht këtë plejadë dhe këtë veprimtari të tyre komunistët shqiptarë do ta emërtojnë si kulturë borgjeze e dekadente.

Në fund të shkurtit të vitit 1945, përderisa njësitë ushtarake shqiptare-jugosllave, po bënin masakra mbi popullatën shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Sanxhak e në Luginën e Preshevës, krejt kjo në frymën e bashkim-vëllazërimit dhe eliminimit të atyre që ishin anti-komunistë, me kërkesë të palës shqiptare, ministri i atëhershëm i Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe shef i Agjitpropit, Millovan Gjillas, do ta dërgojë në Tiranë regjisorin BozhaNikoliq, me qëllim që ta realizojë shfaqjen e parë profesionale teatrale në Shqipërinë komuniste, por edhe të ndihmojë në themelimin e Teatrit Popullor Shqiptar.

Që ironia të jetë edhe më e madhe, politikës së atëhershme komuniste shqiptare, fare nuk i pengoi që Bozha Nikoliqi ishte një individ i shkolluar në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, kohë kjo në të cilën edhe kishte vepruar e punuar, por i cili nga pala serbe nuk ishte cilësuar si përfaqësues i kulturës borgjeze.

Në një deklaratë për gazetën “Bashkimi” (25 mars, 1945), me rastin e fillimit të organizimit të Teatrit shqiptar, Nikoliqi do të theksojë se “kam ardhur nga Jugosllavia mike që të ndihmoj në realizimin e idesë së udhëheqjes suaj për themelimin e teatrit popullor. Do të bëj përpjekje që t’u ndihmoj me përvojën që kemi pasur, sepse ne që moti i kemi kaluar vështirësitë nëpër të cilat po kaloni tani ju. Si kryetar shumëvjeçar i Shoqatës së Aktorëve, kam pasur rastin që të angazhohem në themelimin e shumë teatrove tona…. Udhëheqja juaj e ka kuptuar rëndësinë edukative-kulturore të teatrit dhe e di se zhvillimi i vendit është i lidhur ngushtë edhe me zhvillimin e teatrit”.

Edhe përkundër problemeve të shumta në procesin e sigurimit të kuadrit të nevojshëm, megjithatë më 4 qershor (1945) fillojnë provat e para për realizimin e shfaqjes DASHNORI (GJIDO), prova këto që, siç do të tregojë Nikoliqi në një raport (25 gusht, 1945) dërguar Ministrisë Shqiptare të Kulturës dhe Propagandës, do të zhvillohen me shumë probleme të natyrave të ndryshme. “Organizimi i teatrit mori shumë kohë. Shumë anëtarë të këtij projekti ishin nga vende tjera të Shqipërisë, prandaj humbëm kohë derisa u tubuan të gjithë. Punët shkonin zvarrë, kurse unë e kisha bindur veten që të jem i durueshëm. Por, më në fund, më 4 qershor, filloi puna me aktorët”.

Në këtë shfaqje u angazhuan Mihail Popi, Ndoc Deda, Ndoc Meshkalla, Andon Panaj, Ndrekë Shkjezi, Hysni Pelinku, Gjon Karma, Llazar Popa, Matish Shiroka, Mihail Stefa, Besim Levonja, Mustafa Budini, Hasan Reçi, Nikolla Panajoti, Belul Hatibi, Ollga Shuraja, Martha Burda, Rica Dino, Efti Marku, Liza Vorfi, Behije Çela, Andrea Malo, Prokop Mima, Naim Frashëri, Llazar Filipi, Nesti Spiro, Kostaq Taja, Konstandina Marango, Donika Burda, Ana Kçira, Xhevat Serezi, Qamil Grezda, Kolë Shala dhe Kadri Roshi.

Premiera e shfaqjes u dha më 26 shtator, 1945, në teatrin që atëherë mbante emrin KOSOVA, e që më vonë do të quhet Teatri Popullor dhe në fund Teatri Kombëtar. Është po ai objekt që tash së fundi u rrënua nga qeveria socialiste, objekt ky i ndërtuar në vitin 1939 me porosi të Mbretërisë Shqiptare. Pavarësisht se në historinë e re të Teatrit Shqiptar ky fakt (i bërjes së teatrit komunist) është heshtur ose është përmendur vetëm titulli i shfaqjes, dokumentet rreth angazhimit të regjisorit serb dhe realizimit të projektit të parë teatral që ruhen (në Arkivin e Beogradit) nën sinjaturën ACKSKJ, IX, 1/III – 36 dhe e mbajnë datën 25. III – 15. X. 1945, tregojnë se kësaj shfaqjeje, nga pushteti i atëhershëm popullor shqiptar, iu kushtua një vëmendje e veçantë. Kështu, siç njofton gazeta “Bashkimi” (29 shtator, 1945), me rastin e largimit të Bozha Nikoliqit nga Shqipëria, Xhemal Broja, atëherë kryeshef për kulturë, do të thotë se “Zoti Bozha Nikoliq nuk e kurseu fare veten që t’i japë hov teatrit në vendin tonë. Më përvojën e tij të madhe, ai u dha shumë aktorëve tanë, të cilët tani e qajnë largimin e tij”.