` . Refuzohet kërkesa e Janevës për apanazh - TV SHENJA

Refuzohet kërkesa e Janevës për apanazh

Anëtarët e Komisionit parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në vazhdimin e pasdites të seancës njëzëri e refuzuan kërkesën për apanazh të ish-prokurores speciale publike Katica Janeva, e dyshuar në rastin “Zhvatja”.

Në seancë u konstatua nga aspekti juridik formal se nuk ekzistojnë arsye për pranimin e kërkesës se ajo nuk është zgjedhur nga Kuvendi.

Deputetët, gjithashtu, debatuan edhe për, siç theksuan “paturpësinë e Janevës të kërkojë kompensim të tillë nga Kuvendi”. Seanca e njëzet e gjashtë e Komisionit u ndërpre në propozim të Trajko Dimkovit të VMRO-DPMNE-së i cili kërkoi konsultime shtesë për vazhdimin e procedurës rreth konkursit publik për zgjedhjen e anëtarëve të ASHMAA dhe për emërimin e anëtarëve të Këshillit programor të RTVM-së.