` . Reformimi i të menduarit musliman - TV-SHENJA

Reformimi i të menduarit musliman

Nëse një shoqëri karakterizohet me përçarje e mospajtime
politike, nacionale, ekonomike e tjera, ajo shoqëri do të ketë regres në çdo
aspekt. Mungesa e ideve racionale e intelektuale vështirë që do të sjellë ndryshim.

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Ndryshimet e pjesshme në një bashkësi, organizatë e popull janë të mira,
por jo shumë të mira, sepse rezultatet do të jenë të pjesshme e të cunguara pa
arritur synimet e shtruara në fillim të projeksionit si të tillë. Prandaj,
krahas zgjimit fetar dhe emocional, duhet të ndodh edhe zgjimi intelektual dhe
kjo është domosdoshmëri që duhet t’i ndodhë botës myslimane, qoftë veç e veç, qoftë
si tërësi. Kjo është pyetje e shpeshtë e muslimanëve dhe të tjerëve viteve të
fundit, pas problemeve politike, ekonomike, kulturore në vendet me traditë
muslimane, që nga Maroku deri në Indonezi, ndërsa vjen si pasojë e hegjemonisë
së shteteve të fuqishme dhe trysnisë së tyre në rrafshin politik, ushtarak,
ekonomik etj.

Amerika, e cila pas rënies së bllokut socialist, mbeti e vetmja superfuqi,
më nuk është e tillë. Kemi ngritjen e Kinës, Indisë, Gjermanisë, por edhe të Rusisë,
e cila imponohet agresivisht në ish-zonat e ndikimit të BRSS-së. Kemi, po
ashtu, edhe lojtarët e rinj në lojë, si Koreja Veriore, pastaj Turqia, të
cilat, secila në aspektin e vet, e prishin rendin të “baballarëve të botës”. Në
këtë gjeografi është vështirë të kontrollohet situata, sidomos kur animi
politik është i shprehur deri në kulm të së keqes. Organizatat rajonale ose ato
botërore janë shndërruar në vegla politike të të fortëve dhe këtë e përshkruan
bukur pohimi i një zyrtari amerikan se në politikë ekzistojnë aleancat, sepse
miqësitë nuk ekzistojnë. Këtë gjendje e kemi sot, me ç’rast armiqtë e djeshëm
bëhen miq dhe miqtë e djeshëm bëhen armiq, kjo si pasojë e interesave
gjeopolitike. Kjo është bota multipolare sot, ku të vegjlit janë viktima të
mundshme të të mëdhenjve, për dallim prej botës bipolare, ku aleancat ishin më
të qëndrueshme.
(https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)

Abuzimi me religjionin

Feja, në parim, është promotore e paqes, por individë, grupe ose shtete të
caktuara, pikërisht në emër të fesë, hapin konflikte, vrasin dhe eksploatojnë.
Ky është abuzim me fenë dhe paragrafët e saj, me arsyetimin e mbrapshtë duke
justifikuar dhe legjitimuar vendimet dhe veprimet e tyre. Paqja nuk është
normale nëse ajo kërkon viktimizimin e vlerave tjera, si drejtësia, barazia,
liria e të folurit, lëvizjes, bindjes etj. Aty ku flitet për paqen, ndërsa “vriten”
vlerat e tjera, aty ka një kaos shoqëror të kamufluar. Tirania jetëgjate në vendet
arabe-muslimane, si në Irak, Arabi, Siri, Libi, Egjipt etj., ka sjellë
pakënaqësi të mëdha dhe njëkohësisht ka lënduar rëndë mundësinë e zhvillimit të
shëndoshë të brezit të tillë. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)
Edhe perceptimi i Islamit në kushte të tilla të rënduara emocionale, racionale
dhe të përshpirtshme, vështirë mund të jetë i drejtë. Aty edhe rëndojnë
devijime të ndryshme, si dhuna, skajshmëria, korrupsioni, nepotizmi, nepsi etj.

Selefizmi i mundshëm në kohën e modernizmit

Edhe pse duket kundërthënëse, selefizmi është i mundshëm në shoqërinë
moderne, sepse ai konsiston në një të vërtetë konstante, të vetme, ajo të cilën
ata e praktikojnë, e bazuar në tre brezat e parë muslimanë (sahabët, tabi’inët
dhe tebei-tabi’inët), duke e pranuar sunetin, por pa kurrfarë pyetjeje,
komenti, dyshimi etj. Ata këmbëngulin që prej 73 xhematëve vetëm xhemati i tyre
është i drejtë, korrekt dhe i shpëtuar. Karakteristikë tjetër është se
selefizmi këmbëngul në individualizëm, kurse individualizmi është tipik produkt
i modernizmit, siç ndodh që një selefi në xhami, nëse sheh një grup njerëzish
që falen ndryshe nga ai, ai do të ndërhyjë duke u thënë prerazi grupit: “Ju po faleni gabim, kurse unë falem drejt”.
Ose, nëse fillimi ose mbarimi i agjërimit të shumicës myslimane nuk pajtohet me
datat e selefistit, ai publikisht atë ditë ha dhe pi, përkundër shumicës së
besimtarëve të tjerë joselefistë, duke iu thënë njerëzve se “nuk ka agjërim”
ose se “ende nuk ka filluar” ose se “agjërimi tashmë ka mbaruar”.
(https://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3303) Thjesht, selefizmi mori hov
pikërisht në kulmin e zhvillimit të individualizmit si produkt i modernizmit, pra
jo më herët, sepse kushtet për shfaqjen e tij nuk ekzistonin. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)

Përçarjet e brendshme dhe injoranca si faktor ekstremizmi

Nëse një shoqëri karakterizohet me përçarje e mospajtime politike,
nacionale, ekonomike e tjera, ajo shoqëri do të ketë regres në çdo aspekt. Mungesa
e ideve racionale e intelektuale vështirë që do të sjellë ndryshim. Pluralizmi
fetar e politik ekziston në Islam, por ai nuk është zhvilluar në mënyrën e
duhur. Përveç kësaj, edhe rrethanat shoqërore te shumë vende muslimane e kanë
vështirësuar funksionimin e pluralizmit.

Por, edhe kur gjerat ecin mbarë, duhet kohë e përvojë për t’i kapërcyer
problemet fillestare. Disa shtete perëndimore, të cilat konsiderohen shtete të
qëndrueshme, kanë kapërcyer faza të gjata të stabilizimit. Problemet nuk
zgjidhen me një qeveri, me një mandat qeveritar, por as me një ndërhyrje nga
jashtë nëse qëllimi është kolonizimi tjetërfare, asimilimi, gërryerja ekonomike
e vendit, gjeostrategjia etj. Shembulli i Kosovës e Bosnjës është shumë
eklatant. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)
Bamirësit nga bota nuk e rregulluan Kosovën, por e instaluan sistemin e
korrupsionit, monopolit. Nuk po rregullohet as Egjipti, as Libia, as Siria, as
Iraku, përkundër miliona viktimave njerëzore dhe miliarda e miliarda dollarëve
të humbura. Ndër palët e implikuara në rajon është edhe Irani, edhe Arabia. Të
dyja nëpërmjet faktorit material dëshirojnë të fitojnë territor për dominim
ideologjik, natyrisht edhe politik e ushtarak. Arabia angazhohet duke i
vehabizuar, ndërsa Irani duke i shi’itizuar vendet në rajon. Kjo ka sjellë
polarizime, por edhe konflikte, në dëm të muslimanëve, të cilët janë bërë
viktimë e interesave globale dhe të interesxhinjve rajonalë. Irani ka ndikim në
Irak, Liban, Siri, Jemen e tjerë, kurse Arabia në Jordani, Jemen, Bahrejn,
Emirate, Egjipt etj.

Këto shtete despotike, tiranike, ekzistojnë me ndihmën e fuqive të mëdha
perëndimore. Qartë u pa se shtetet perëndimore dhe aleatët e tyre arabë e
ndihmuan grusht-shtetin në Egjipt kundër qeverisë së dalë nga zgjedhjet e lira,
por dështuan në grusht-shtetin ushtarak e, pastaj, ekonomik në Turqi. Qartë
shihet tashmë një kohë të gjatë se si SHBA-të e ndihmojnë klanin saudit në
Arabi në kundërvlerë të miliardave arabe. (https://stav.ba/cetiri-decenije-od-krvave-opsade-meke/.)

Mendimi islam në zhvillimet aktuale në shoqëritë muslimane

Botës myslimane, viteve të fundit, i ndodhi një e keqe shumë sosh. Para
shumë njerëzve shtrohej dilema se a mos vjetërsia e mendimit islam të liderëve
të tyre po shkakton një gjë të tillë? A ka ndikim dhe lidhshmëri mendimi
politik islam me ndodhitë aktuale dhe a kanë ndikim ndodhitë aktuale në
ndryshimin e mendimit politik islam?

Sipas hulumtimeve në rrafshin global, rezulton se shumë tema të paprekshme
dhe të qarta me shekuj tash janë në pikëpyetje. Shumë intelektualë e kuptojnë
se perceptimi ynë i fesë islame nuk mund të jetë i njëjtë me stërgjyshërit tanë
para disa shekuj. Ata i kanë pasur mënyrat e tyre në pajtim me kohën e tyre,
por ne nuk i kemi mënyrat tona, sepse ka rënë kreativiteti në ixhtihad, që të
kemi mendim të ri islam, mënyrë të re të të kuptuarit të Islamit, pra jo ndonjë
fe të re islame. Nëse ripërtëritja e të kuptuarit të tij nuk ndodh në
vazhdimësi, Islami do ta humbë freskinë dhe do të bëhet diletant, i mangët, që
çon në përtaci, ndërsa  përtacia në
skllavëri. (S. H. Nasr, Islami në botën moderne, Logos-A, Shkup, 2019.)

Bota myslimane, qysh nga gjysma e shekullit XIX e më pas, ka tentuar disa
herë në vende të ndryshme të bëjë ndryshime, qoftë ushtarake, qoftë
intelektuale, pra edhe reformën e mendimit islam. Madje, është bërë përpjekje nga
Afganiu e Abduhuja, M. Ikballi, Senusiu e të tjerë, por ato nuk ishin të
mjaftueshme. Platforma e ringjalljes duhet taë përfshijë botën islame dhe
specifikat e saj. Ringjallja dhe ndryshimi nuk bëhet me injorancë dhe emocione,
as me intelektualizëm pa Zot, as me shpirtëroritet pa racionalizëm. Thjesht, dëshirën
dhe zjarrin për ndryshim e gjejmë në shumë vende muslimane, kemi xhemat, kemi
dëshirë fetare, kemi vullnet emocional, por këtu mungon përmbajtja
intelektuale. Atëherë kur t’i bashkojmë këto tri komponentë, mund të ndërtojmë
institucione ekonomike, politike dhe kulturore.
(https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)

Nga letargjia drejt perspektivës

Zgjimi nga letargjia e gjatë e muslimanëve është mjaft kompleks. Vetëm
vullneti i mirë dhe arsimimi solid mund të ndihmojë. Individët e arrirë duhet
të vihen në krye të nismave për ndryshime pozitive. Përveç individëve, duhet të
ndërtojmë një varg institucionesh intelektuale e kulturore, që promovojnë
zgjimin e muslimanëve dhe arsimimin e tyre akademik. Mirëpo, deri në formimin e
numrit të mjaftueshëm të tyre puna duhet të vazhdojë mbi të gjitha në formimin
e njerëzve. Ndërtimi i institucioneve cilësore pa njerëz cilësorë është dështim
dhe, e kundërta, ekzistimi i potencialit njerëzor pa institucione do të çonte
në rrugë joproduktive, të fragmentarizuar dhe, si të tilla, ato institucione do
të udhëhiqeshin nga njerëz të huaj (si rasti i Arabisë dhe vendeve të Gjirit).
(S. H. Nasr, po aty.)

Kosova, Bosnja dhe
rajonet e tjera me muslimanë në Ballkan kanë nevojë për njerëz të mençur e të
urtë në kreun politik, shkencor, kulturor. Nëse ata nuk janë të orientuar
drejt, nëse nuk janë të moralshëm e të ndershëm, që t’i përkrahin vlerat
pozitive, e ardhmja do të jetë e ngrysur, e zymtë. Prandaj kërkohet më shumë
mirëkuptim, më shumë solidaritet dhe jo vetëm hedhja e grepit në ujë për të
gjuajtur shpirtrat e përvuajtur e të mjerë. Nga gjëja e vogël duhet të
ndërtojmë gjëra të mëdha, sepse vetëm kështu nënqielli ynë dhe e ardhmja jonë ka
perspektivë.