Reali “mbret” i Europës, Vinicius dhe Courtois i japin Championsin e 14

Reali “mbret” i Europës, Vinicius dhe Courtois i japin Championsin e 14

Në Ligën e Kampionëve garojnë skuadrat më të forta europiane, por në fund fiton Reali i Madridit. Kështu ndodhi edhe mbrëmjen e sotme në “Stade de France”, me “Losa Blancos” që mposhtën 1-0 Liverpoolin në finale dhe u ngjitën për herë të 14 në majën e kontinentit.

Edhe në një sezon ku pritshmëritë ishin të pakta, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti ia doli të mposhtë me radhë të gjithë pretendentët si Paris Saint Germain, Chelsea, Manchester City e në fund Liverpool, për të vulosur sërish mbretërimin në Europë.

Në mënyrë të paprecedentë, finalja e Champions League nisi me plot 36 minuta vonesë, teksa shkak u bënë tifozët e Liverpool, që kaluan rrethimin e stadiumit në Paris për t’u futur brenda, ndonëse nuk kishin bileta, duke thyer kështu elementët e sigurisë.

Megjithatë gjithçka u harrua shpejt kur dy skuadrat zbritën në fushë për të nisur spektaklin, me Liverpoolin që e nisi vrullshëm dhe i shkoi disa herë pranë golit, por një herë u ndal nga shtylla dhe disa herë të tjera nga portieri belg Courtois.

Reali u zgjua vetëm në fundin e pjesës së parë, duke shënuar madje edhe një gol me Benzema, që gjithsesi u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, që evidentoi një pozicion jashtë loje të sulmuesit francez.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Liverpoolin, por në një kundërsulm të shpejtë në minutën e 59’, Vinicius u harrua pas shpine nga Alexander –Arnold dhe dërgoi topin në rrjetën e Alisson, duke kaluar në avantazh madrilenët.

Goli u dha qetësi spanjollëve dhe shtoi padurimin e “the reds”, që u hodhën të gjithë në sulm, duke “flirtuar” disa herë me golin, por Courtois ishte I pakalueshëm, duke shpëtuar në disa raste portën nga gola të sigurt.

Vërshëllima finale e francezit Clement Turpin la në fuqi triumfin e Realit të Madridit, që nisi festën në kryeqytetin francez, për Championsin numër 14, plot dy herë më shumë se Milani që renditet i dyti në Librin e Artë, ndërsa “the reds” humbin një tjetër finale përballë madrilenëve, pas asaj të 2018-ës.