Reagimet pas incidentit në Kuvend, opozita fajëson Ademin për “sjellje të dhunshme”, BDI e mbron

Reagimet pas incidentit në Kuvend, opozita fajëson Ademin për “sjellje të dhunshme”, BDI e mbron

Për incidentin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, opozita fajësoi Ademin, duke e akuzuar për “sjellje të dhunshme”.

“Kështu sillet kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane. Poshtërim, dhunë dhe fyerje në Kuvend! Maqedonia , në vend të Evropës, është bërë Perëndim i egër me ‘kauboj’ në pushtet”, tha Lletkov.

Aleanca për Shqiptarët tha se veprimi i Ademit është “vulgar”.

“Kjo nuk është hera e parë që bëjnë skenare të këtilla të dhunshme me qëllim fshehjen e krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Në Kuvend dhe skenën politike ka pasur shumë raste kur deputetët e BDI-së kanë mundur ta tregojnë veten, por i kemi parë të gjithë se si ikin nga komisionet ku duhet të mbrohen qytetarët, ose si përqafohen me kriminelët. U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien në skenare të këtilla dhe lojra të fëlliqura të BDI-së të cilët i kap panika sa herë që u rrezikohet pushteti, ose nuk u shkojnë planet deri në fund. Të gjithë duhet të dënojmë fuqimisht këto akte vandale dhe vandalistët përfundimisht të mbajnë përgjegjësi. Duam të njoftojmë gjithashtu se për sonte u ftuam edhe në kordinim, por ne nuk ulemi në një tavolinë me vandalistë të dhunshëm që nuk kanë të bëjnë as me demokracinë e as me politikën”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim tha përmes një komunikate se “VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mbrojnë krimin dhe dhunojnë Kuvendin” dhe i fajësoi këto dy parti për incidentin.

“Gjithmonë kur temë e diskutimit dhe në rend dite në Kuvend është vendosja e drejtësisë në vend, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët provokojnë dhunë verbale dhe fizike, me qëllim që të mbrojnë krimin dhe gjithnjë shfaqen kundër funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e BDI-së.