Reagime për “dorën e fshehur” e cila tenton të pengoj miratimin e Marrëveshjes së Prespës (Video)

Zëvendëskryeminsitri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, deklaroi sot se ka dyshime për një dorë të fshehur e cila tenton të pengoj miratimin e Marrëveshjes së Prespës, në fazën e fundit të përfundimit të këtij procesi, dhe ka porositur partitë poltike shqiptare se nuk do të dëshironte që për shkak të naivitet apo mosgjendjes së tyre në procese të ndërlikuara, të perceptohet si pjesë të atyre qëllimeve të fshehura. Ai tha se ky proces është produkt i një kompromisi të vështirë ndërmjet shumë palëve dhe u ka bërë thirrje partive shqiptare që të bëhen pjesë e rrumbullakësimit të këtij procesi.

BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

“Ka dyshime për një dorë të fshehur, e cila tenton ta kompremetoj procesin në ditët e fundit të tij. Unë nuk them se partitë politike shqiptare janë pjesë e kësaj dore të fshehur. Por, ndonjëherë nga mosgjetja, nga mospasje e eksperiencës së mjaftueshme në procese të këtilla të ndërlikuara mund të krijoni një perceptim të tillë. Shërbimin më të keq që mund t’ia bëni shqiptarëve në këtë moment para botës, është që të prezantoni se shqiptarët janë ata të cilët e pengojnë anëtarësimin e vendit në NATO. Nuk ka interes më të madh kombëtar shqiptar sesa integrimi i Maqedonisë në NATO. Nuk është ky interes vetëm i vendit, është interes i gjithë shqiptarëve në rajon”.

Deklaratës së Osmanit i është përgjigjur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ai sot pas takimit me përfaqësuesin e zyrës së NATO-s në Maqedoni, tha se akuzat e Osmanit janë të pabaza dhe gjithçka që ata kërkojnë, është që gjuha shqipe të respektohet në mënyrë në barabartë.

ZIADIN SELA, KREYTAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT  

“Unë e kam dëgjuar zotëri Osmanin që e përsërit si refren këtë punën e duarve të zgjatura. Por, më tepër më duket se bëhet fjalë për fenomenin e bishtit të kapur. Dhe kur flasim për zotëri Osmanin kjo më së miri e shpjegon llojet e deklaratave të cilat ai i jep. Është shumë naive të besohet në deklarata të tilla. Është shumë naive që nga ana tjetër t’i besoj edhe opinioni akuza të tilla të pabaza sepse, gjithçka që ne kërkojmë, kërkojmë që edhe ai të jetë i drejtë dhe i barabartë. Gjithçka që ne kërkojmë, kërkojmë që gjuha e nënës së tij dhe gjuha e nënës të respektohet njësoj siç respektohet gjuha e gjithë komuniteteve tjera”. 

Aleanca për Shqiptarët kërkon që në nenin 2, paragrafi 2 fjalët “qytetar/maqedonas” të zëvendësohen me fjalën “qytetar”, ndërsa në shpjegim thuhet se kërkohet të mundësohet barazi në shprehjen e shtetësisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Teuta Buçi /SHENJA/

;