Raporti i OKB-së: Vitin e kaluar janë vrarë 81.100 gra

Raporti i OKB-së: Vitin e kaluar janë vrarë 81.100 gra

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), vitin e kaluar në mbarë botën janë vrarë rreth 81.100 gra apo vajza, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas vlerësimeve, rreth 45 mijë prej këtyre grave u vranë nga bashkëshortët, të dashurit ose anëtarët e familjes së tyre.

Të dhënat u publikuan në një raport të përgatitur bashkërisht nga Zyra e OKB-së për Gratë dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet, me rastin e 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Raporti thekson se në botë është arritur një përparim i vogël në parandalimin e vrasjeve të lidhura me gjininë, por se duhet të ndërmerren hapa më të vendosur dhe më të shpejtë në këtë drejtim.

Duke theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelja më e shpeshtë e të drejtave të njeriut, raporti shton se vrasjet e grave dhe vajzave në lidhje me gjininë mund të parandalohen duke ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Raporti thekson se 81.100 gra ose vajza u vranë qëllimisht vitin e kaluar. Në 10 vitet e fundit nuk është vërejtur rënie e femicideve ndërsa shumica e vrasjeve të grave apo vajzave ishin të bazuara në gjini.

Më tej thuhet se vitin e kaluar rreth 45 mijë gra ose vajza në mbarë botën u vranë nga bashkëshortët, të dashurit ose anëtarët e familjes së tyre.

Sipas kësaj, i bie se çdo 60 minuta vriten më shumë se 5 gra.

Numri i grave apo vajzave që kanë qenë viktima të vrasjes nga bashkëshortët, të dashurit apo familjarit të tyre vitin e kaluar ishte mjaft i lartë në Azi dhe Afrikë.

Sipas raportit, nga 45 mijë vrasje të grave, 17.800 janë regjistruar në Azi ndërsa 17.200 në Afrikë.

Megjithatë, duke pasur parasysh raportin e popullsisë, numri i grave dhe vajzave viktima të vrasjes nga bashkëshortët, të dashurit ose anëtarët e familjes ishte 2,5 në 100 mijë gra në Afrikë, 1,4 në Amerikë dhe 0,8 në Azi.

Evropa në periudhën 2010-2021 ka shënuar rënie me 19 për qind të femicidetit nga bashkëshortët, të dashurit ose anëtarët e familjes së tyre, por pati një rritje prej 6 për qind në Amerikë gjatë të njëjtës periudhë.

Raporti thekson se përqindja e viktimave meshkuj të vrarë nga bashkëshortet ose anëtarët e familjes ishte 11 për qind ndërsa shkalla tek gratë ishte 56 për qind.

Raporti i OKB-së ndau gjithashtu informacione për vrasjet gjatë pandemisë së COVID-19.

Në periudhën 2019-2020, është regjistruar rritje prej 13 për qind të vrasjeve të femrave në Evropën Perëndimore, 9 për qind në Amerikën e Veriut dhe 5 për qind në Evropën Jugore.