` . Qoshku i narratorit - TV SHENJA

Qoshku i narratorit

«“Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”, thotë përralla. Përralla, që edhe sot është këshilluesja e parë e fëmijëve, sepse dikur ka qenë këshilluesja e parë e njerëzimit, vazhdon të jetojë fshehurazi në tregim.» (“Narratori”, Benjamin)

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

“Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”, siç e dimë, shënon fundin e përrallës apo të rrëfimit. Përpara se personazhet të arrijnë këtë fund të lumtur (happy end), kanë kalu nëpër shumë e shumë pengesa, sprova e peripeci të ndryshme, të cilave u kanë ba ballë me durim dhe këmbëngulje të vazhdueshme, duke shpresu se çdo e keqe e ka një fund, se e mira është në pritje.

Ajo që i karakerizon këta personazhe, që në fund i pret lumturia e përjetshme, është shpresa dhe mosdorëzimi, derisa ngadhënjejnë e dalin faqebardhë.

Fëmijët e nisin udhëtimin e tyre në këtë botë duke marrë këtë mësim prej përrallave: se ai apo ajo që duron, që përpiqet, që nuk heq dorë, në fund do të fitojë; se duhet të sakrifikojmë për të drejtën, për lirinë, dashurinë, për tjetrin dhe për çdo gja të shenjtë apo të rëndësishme.

“Përrallat nuk u thonë fëmijëve se kuçedrat ekzistojnë, sepse fëmijët e dinë këtë. Përrallat u thonë fëmijëve se kuçedrat mund të vriten.” (Chesterton) Domethanë, njeriu mund të ngadhënjejë mbi çdo vështirësi dhe mbi çdo sprovë nëse tregohet i matur dhe i paepur.

Ç’është ky fund i lumtur për të cilin na flasin përrallat? Madje, një lumturi e përjetshme… Ne e dimë se “të lumtur përgjithmonë” nuk është e mundur, për aq sa njeriut i duhet me vdekë një ditë ose me ndërru jetë. Atëherë çfarë nënkupton ndajfolja “përgjithmonë” në këtë rast? Apo shërben vetëm për të ngjallë besim, shpresë dhe gëzim te fëmija dhe jo se personazhet e përrallës nuk do t’kenë më asnjë brengë?

Është një fakt domethanës në këtë drejtim: për fëmijën nuk ekziston vdekja, sepse nuk e njeh. Edhe kur fillon me e njoftë e me pasë njëfarë përjetimi për të, fëmija beson se vetëm të këqijtë vdesin, siç ndodh nëpër disa përralla. Pra, t’i drejtohesh fëmijës me “të lumtur përgjithmonë” është në përputhje me atë çfarë njeh dhe beson fëmija; është e natyrshme, sipas të gjitha kuptimeve të kësaj të fundit. Diçka e kulluar, si një burim buzë një lisi shekullor.

Më tej, Benjamin-i thotë se dikur përralla “ka qenë këshilluesja e parë e njerëzimit”, ndërsa sot “vazhdon të jetojë fshehurazi në tregim”. E thanë ndryshe, shumë tregimtarë apo romancierë modernë, nga Cervantes-i e deri në ditët tona, me apo pa vetëdije, “ndërkallin” përrallën nëpër rrëfimet e tyre dhe, si e tillë, përralla përbën palcën e këtyre rrëfimeve. Pse lind nevoja te këta autorë me i mbulu gjurmët e përrallës? Sepse kthesat shkencore që kaloi Europa, si Rilindja, graviteti, Iluminizmi, relativiteti dhe zbritja në Hënë, u përvijuan si narrativa të reja, “të provuara”, “shkencore” përkundrejt përrallave, derisa zunë vendin e këtyre të fundit. Kështu, ipso facto përrallat u bënë çështje “fantazie”, “të pasakta”, “të paprovuara”, “joshkencore” e kështu me radhë.

Si mund të ketë përralla në kohën e zbritjes në hanë dhe të antimateries?! A nuk kanë edhe këto arritje diçka prej përralle në narrativën e tyre?! Për pasojë, “fakti” që kanë diçka prej përralle e shtyn narrativën shkencore drejt përjashtimit të narrativave të tjera mbi botën, jetën dhe njeriun. A nuk ban pjesë edhe feja, letërsia, artet, mitologjia etj. në këtë revansh përjashtues që ka ndërmarrë narrativa shkencore?! Duhet thanë se pjesërisht ia ka arritë qëllimit.

Duke qenë se për nga natyra jemi qenie që kemi nevojë me besu diku, narrativa shkencore nuk na kërkon me heqë dorë prej besimit ose besimeve tona, por me besu e me ndjekë vetëm atë.