` . Qeveria italiane hap dyert e “Olimpico”-s, Europiani nis rrugëtimin nga Roma - TV SHENJA

Qeveria italiane hap dyert e “Olimpico”-s, Europiani nis rrugëtimin nga Roma

Një tjetër lajm i shkëlqyer sa i përket Kampionatit Europian, pasi qeveria italiane ka miratuar prezencën e tifozëve minimalisht në masën 25% të kapacitetit të stadiumit “Olimpico”, ku do të mbahet edhe ceremonia hapëse.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata Italiane e Futbollit, që ka njoftuar se ka marrë një letër nga nënsekretarja e sportit në qeverinë italiane, Valentina Vezzali, ku jepet miratimi zyrtar për hapjen e dyerve të stadiumit kryeqytetas.

Presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina ka dërguar menjëherë letrën në zyrat e UEFA-s, duke qenë se kishte afat deri më 19 prill të siguronte zyrtarisht hapjen e stadiumit, pasi në të kundërt rrezikonte heqjen nga kalendari.

“Italia dhe Roma janë. Miratimi i hapjes së dyerve të stadiumit “Olimpico” për ndeshjet e programuara aty, është një lajm i shkëlqyer, që do t’ia transmetojmë menjëherë UEFA-s. Mesazhi që qeveria i dërgon vendit, është ai i një besimi të madh dhe vizioni të jashtëzakonshëm. Një Itali që lufton me pandeminë dhe në të njëjtën kohë ecën me hapa të sigurt drejt rikthimit në normnalitet”, tha ndër të tjera Gravina në deklaratën e tij pas marrjes së letrës zyrtare nga qeveria.

Në stadiumin “Olimpico” të Romës është programuar të mbahet ceremonia hapëse dhe të luhet sfida e parë e Kampionatit Europian mes Italisë dhe Turqisë, e planifikuar për më 11 qershor, në orën 21:00.