` . Qeveria e re me legjitimitet shqiptar - TV SHENJA

Qeveria e re me legjitimitet shqiptar

Zaevi ka theksuar se “BDI duhet të shkojë në opozitë”, që lë të nënkuptojë se preferon koalicion me opozitën shqiptare, sepse vetë nuk ka gjasa teorike të fitojë 61 deputetë. Edhe po të fitojë 61, qeveri pa partitë garuese shqiptare në zgjedhje nuk bëhet ose edhe mund të bëhet, por pastaj hapet çështja e federalizimit të Maqedonisë së Veriut, të cilën asnjë parti maqedonase nuk ka dëshirë ta hapë e lëre më ta pranojë!

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

“Njerëzit gënjejnë shumë në periudha lufte dhe pas gjuetisë, por si duket më së shumi gënjejnë gjatë fushatave zgjedhore”. Maqedonia e Veriut, jo që nuk bën përjashtim nga zbatimi i kësaj thënieje, por historia e demokracisë pluraliste dëshmon se një pjesë e politikanëve kanë dëshirë të shtrembërojnë të vërtetën ose ta plasojnë të vërtetën e tyre.

 

Partnerë në pushtet, kundërshtarë në fushatë!

Përderisa janë në pushtet, partitë shqiptare, sidomos Bashkimi Demokratik për Integrim, si pjesëmarrëse 16 vjeçare në qeverisje zakonisht demonstron sens bashkëpunues, konstruktivitet apo thjesht thënë partneritet, ndonëse jo deklarativisht të tipit “strategjik”, siç demonstronte PDSH-ja me VMRO- DPMNE-në në vitet 1998- 2002 dhe 2006 – 2008. Pragmatizmi i BDI-së dëshmon se kjo parti ka kapacitet koalicionues me të dy partitë maqedonase: VMRO- DPMNE-në dhe LSDM-në. Edhe anasjelltas ka qenë kështu deri më sot.

Në publik vlerësimi i BDI-së për koalicionin me socialdemokratët dhe i vetë liderit të kësaj partie, AliAhmeti, gjithmonë ka qenë pozitiv. Deri para fillimit të fushatës. Jo vetëm në nivelin e deklaratave për media, por i dëshmuar edhe me veprime konkrete. Në zgjedhjet e kaluara vendore dhe presidenciale edhe e kanë dëshmuar se janë partnerë të vërtetë. Shumë kryetarë komunash nga radhët e BDI-së erdhën në krye të tyre, falë mbështetjes së LSDM-së dhe defilimit të Zaevit në komunat me shumicë shqiptare. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, Stevo Pendarovski u bë president duke qenë “kandidat konsensual” i mbështetur nga BDI-ja.Vetëm para shtatë muajve, më 21 nëntor të vitit 2019, Ahmeti para mediave deklaronte “Koalicioni qeverisës me LSDM-në funksionon në suaza të normales”. Kjo nënkuptonte që raportet mes kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të BDI-së, si dhe mes strukturave të tjera të partive kanë qenë të qëndrueshme dhe të mira. Por, në fushatë, si duket ky normalitet politik u tret. Populli di të vlerësojë më së miri.

Me fillimin e fushatës zgjedhore përnjëherë dolën në skenë mospajtimet apo divergjencat, që BDI i prezanton si konceptuale me LSDM-në. Në vlugun e fushatës ky mosdurim do të bëhet gjithnjë e më i madh, retorika do të bëhet gjithnjë më e ashpër, duke drejtuar akuza të ndërsjella!

Koncepti qeveritar “Shoqëri për të gjithë” ishte shtylla politike e qeverisjes së kaluar tre vjeçare, me të gjitha dështimet dhe avancimet në sendërtimin e tij në segmentin institucional- shtetëror.

BDI-ja konceptin qëe ka mbështetur në qeveri dhe e ka prezantuar përmes zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, përnjëherë u tha shqiptarëve se ai është i “Shoqërisë për një parti politike apo vetëm për LSDM-në”. BDI si duket asnjëherë nuk mund t’ia fal vetes që lejoi depërtimin e LSDM-së tek trupi elektoral shqiptar në zgjedhjet parlamentare 2016, që ndryshoi skenën politike në mënyrë drastike. Votuesit shqiptarë dhe maqedonas hartuan kompozicionin e qeverisë së re atë vit pas 11 viteve qeverisje totalitare nga VMRO – DPMNE-ja, e cila pandërprerë nga viti 2008 deri në vitin 2016 ishte partner i BDI-së!

 

“BDI në opozitë”, po kush e formon qeverinë?

Zoran Zaev, pretenduesi për fronin e kryeministrit disa herë ka theksuar se “BDI duhet të shkojë në opozitë”, që lë të nënkuptojë se preferon koalicion me opozitën shqiptare, sepse vetë nuk ka gjasa teorike të fitojë 61 deputetë. Edhe po të fitojë 61, qeveri pa partitë garuese shqiptare në zgjedhje nuk bëhet ose edhe mund të bëhet, por pastaj hapet çështja e federalizimit të Maqedonisë së Veriut, të cilën asnjë parti maqedonase nuk ka dëshirë ta hapë e lëre më ta pranojë! Të paktën aktualisht.

Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, asnjë koalicion qeverisës nuk arrihet kollaj, aq më tepër që për të njëjtin duhet të bëhet rindërtimi i dy urave të bashkëpunimit politik. E para, Aleanca për Shqiptarët duhet të rikthehet në qeverinë e Zaevit, nga e cila doli duke u nënçmuar nga vetë lideri socialdemokrat duke ia ofruar “Ministrinë e Byrekut”. Ura e dytë që duhet rindërtuar është mes Lëvizjes BESA dhe Alternativës, por edhe me Aleancën për Shqiptarët, me të cilën në zgjedhjet presidenciale mbështetën Blerim Rekën për president të shtetit. Ka shumë gjasa që kalimi i rrugës drejt qeverisë të bëhet duke tejkaluar këtë urë, pra koalicioni të vendos relacione të drejtpërdrejta me LSDM-në, duke anashkaluar BESË-n dhe duke e trajtuar vetëm si pjesë të koalicionit “Mundemi” dhe asgjë më shumë. Gjithsesi në politikë gjithçka është e mundur dhe sidomos kur është në pyetje pushteti, urat ndërtohen shpejtë. Kjo urë, ndonëse as për së afërmi nuk e ka simbolikën e “Urës së fshejtë” e njohur në mitologjinë shqiptare, kërkon sakrifikim! Të dy palët në heshtje të pranojnë realitetin e ri të supozuar politik.

Nëse lexohen drejt deklarimet e Zaevit, duket se partinë e Ahmetit nuk e ka në agjendën koalicionuese, gjithsesi nëse numrat e deputetëve të fituar mundësojnë që ky synim i kreut të LSDM-së të bëhet fakt politik. Kësaj analize politike, përveç statistikës aritmetike zgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve sipas modelit të Dontit për të arritur deri tek 61 i famshëm, duhet shtuar edhe një dimension tjetër thelbësor të demokracisë dhe funksionimit të sistemit politik sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe parimit të Badenterit. Bëhet fjalë përlegjitimitetin demokratik që opozita duhet të arrijë tek shqiptarët, i cili duhet të jetë i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm. Thënë me terma real- politik, ky legjitimitet do të ishte i arrirë dhe i pacenuar nëse rezultati me BDI-në do të ishte minimalisht baras. Nga perspektiva e sotme do të jetë i mundur nëse jehona e votuesve në zgjedhje tejkalon shifrën 55 %, duke pasur parasysh se dalja nën 50 % i shkon për shtati pushtetit, meqë vota në Maqedoninë e Veriut në masë dominuese është klienteliste. Kjo do të thotë se pavarësisht temperaturave të larta të korrikut dhe ambientit që mbretëron me Covid 19, dalja e votuesve që kanë relacione klienteliste me partitë në pushtet nuk vihet në dyshim, prandaj opozita nëse dëshiron rezultat të mirë, duhet të ndikojë ndaj psikologjisë së zgjedhësve me metoda motivimi dhe mobilizimi. Fakti që në dy pozicionet e para të kandidatëve të sigurt për deputetë në njësinë 1, 2, 5 dhe 6 zgjedhore numri i grave është 0, siç është edhe i të rinjve, nuk i jep shumë komoditet se këto kategori të motivohen vetëm nga listat. Meqë listat janë ashtu siç janë, tashmë legjitimiteti do të varet nga artikulimi i platformës zgjedhore në terren dhe nga përballjet mediatike me oponentët politik, kryesisht BDI-në, por pa harruar edhe LSDM-në me BESË-n, sepse ata jo vetëm që nuk kanë hequr dorë nga vota shqiptare, por si duket marrjen e saje kanë plan strategjik afatgjatë. Nuk ka shumë të re në këtë artikulim dhe pa pretenduar këshill-dhënie “gratis”, përvoja na mëson se opozita duhet të motivojë me ide dhe me besimin se projektin e saj politik do ta bëjë pjesë të agjendës qeveritare. E themi këtë, me qëllimin e mirë, që pozicionet politike, si të BDI-së ashtu edhe të opozitës shqiptare të jenë të qartësuara që tani, ndërsa më 16 korrik secili ta dijë ku e ka vendin. Në pushtet apo në opozitë! Variantet tjera do të ripërsërisnin skenarin e vitit 2006- 2008, kur BDI-ja kthehet fuqishëm, duke atakuar (jo) legjitimitetin e PDSH-së!Kjo do t’i hapte rrugën BDI-së që sërish të kthejë diskursin etnik shqiptar, me patriotizëm folklorik në stilin “Kadal Zoran, se i ke hipur kalit mbrapshtë” siç bënte me Nikolla Gruevskin. Ani se vetë Ahmeti është shkelësi i parimit “fituesi me fituesin”, sepse VMRO- DPMNE-ja në zgjedhjet e vitit 2016 kishte fituar jo vetëm më shumë vota, por edhe më shumë deputetë se sa LSDM-ja! Jorastësisht nga Saraji u drejtua figurativisht me fjalët “Ne gjuajmë me top”!

 

Vetëm me legjitimitet bëhesh vendimmarrës

Opozita shqiptare në anën tjetër vetëm me legjitimitet të plotë nga vota etnike, do të arrijë të jetë faktor relevant në qeveri, duke imponuar konceptet e saj politike dhe duke marrë pjesë në ndarjen reale të pushtetit. Legjitimiteti me “paterica” do të vazhdojë rrugëtimin e të qenit vetëm partner koalicioni, e jo faktor i rëndësishëm i vendim- marrjes politike, ndërsa “Shteti për të gjithë” do të vazhdojë të funksionojë në stilin “Shoqëri për të gjithë”, i cili do të jetë pak për ata,e pak për ne, më shumë për ata, më pak për ne. Kjo e fundit, e përshtatur nga thënia e një votuesi, partia e së cilit kishte humbur zgjedhjet.

Se rimodelohet një koalicion i ri qeverisës, duhet shtuar edhe disponimin e përfaqësuesve shqiptarë brenda LSDM-së, që janë të pozicionuar anti-integristëve. Për ta bërë mozaikun e plotë, këtu duhet shtuar edhe faktin që përveç disa kritikave kryesisht ndaj menaxhimit qeveritar me Covid 19, retorika e koalicionit Aleancë për Shqiptarët me Alternativë është e butë ndaj LSDM-së. Padiskutim, që është shumë e ashpër ndaj BDI-së, sepse targetimi i votuesve shqiptarë është në dioptrinë e BDI-së dhe koalicionit (gjysmë) opozitar shqiptar.

Mund të duket se ndërrimi i kandidatit për deputet, Arben Zyberi nga pozita e drejtorit është taktikë e “finguar” me qëllim të ngritjes së ndërsjellë të rejtingut mes dy partive. Është e kundërta dhe dëshmon se anomiziteti mes këtyre partive vjen e shtohet. Sado që i njëjti mund të ketë efekte anësore në kuptimin e besueshmërisë që mund të rrisin tek votuesit për ndonjë përqindje, i njëjti ravijëzon spektrin politik të vendit në nivelin e preferencave gjatë fushatës. Meqë pas zgjedhjeve mund të “ndërrojnë hesapet”. E kam shkruar shpesh: në politikë nuk ka emocione, por vetëm interesa. Ndërsa interesi është i përjetshëm!