Qeveria e Ciprasit në ditën e dytë të debatit votëbesimin (Video)

Qeveria e Ciprasit në ditën e dytë të debatit votëbesimin (Video)

Kuvendi grek ka vazhduar edhe sot diskutimin dyditor për votëbesimin e Qeverisë, me kërkesë të kryeministrit Aleksis Cipras, pas largimit nga Qeveria të partisë Grekët e Pavarur, e cila kundërshton Marrëveshjen e Prespës. Partitë opozitare janë shprehur se dalja e Kammenos nga koalicioni nuk do të devijojë qëllimin e qeverisë për të votuar marrëveshjen e arritur me Maqedoninë.

Lideri i opozitës, Kirjakos Mitsotakis, duke folur për marrëveshjen e emrit, ka deklaruar se qeveria e ka humbur prej kohësh besimin e popullit grek dhe nuk është në gjendje të mbrojë interesat kombëtare. Por, zëdhënësi qeveritar, Dimitris Canakopulos, ka përsëritur edhe një herë për televizionin grek Open se ka shumicë parlamentare të nevojshme për votimin e marrëveshje dhe sipas tij, Qeveria ka për qëllim që kjo marrëveshje të votohet me mbi 151 vota.

DIMITRIS CANAKOPULOS, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Qëllimi i Qeverisë është që Marrëveshja e Prespës të kaloj me më së paku 151 vota, teknikisht kjo nuk është e nevojshme, por vlerësimi im është se derisa të vijë marrëveshja, në periudhën vijuese do të kemi kohë që publikisht të diskutojmë për pozicionin e çdokujt individualisht”.

Canakopulos nuk ka dhënë informata se kur konkretisht marrëveshja do të shkojë në Kuvend, por ka thënë se ajo nuk do të vonohet.

DIMITRIS CANAKOPULOS, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Sot gjendemi në fazën në të cilën parlamenti grek debaton për votëbesimin që e kërkoi kryeministrin. Sa po të përfundoj ky proces, kryeministri do të vendos për kohën konkrete për dorëzimin e marrëveshjes. Në këtë moment nuk mund të caktoj një datë konkrete, por vlerësimi im është se nuk do të vonohet”.

Mediat shkruajnë se përveç 145 deputetëve të partisë së tij, Cipras për marrëveshjen e emrit ka mbështetje e 4 deputetëve nga partia e Kamenosit, një deputeti të qendrës së majtë dhe një deputeti të pavarur.

Nëse kryeministri grek, nuk arrin të fitojë votëbesimin e parlamentit sonte në mesnatë, Greqia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Teuta Buçi /SHENJA/