` . Qëndrimi i SHBA-së ndaj qeverisë së përkohshme të Enver Hoxhës - TV SHENJA

Qëndrimi i SHBA-së ndaj qeverisë së përkohshme të Enver Hoxhës

Rol të rëndësishëm në përforcimin e miqësisë amerikane, krahas Presidentit Wilson, pa dyshim se pati edhe drejtuesi i shkollës Teknike në Tiranë, z. Harri T. Fulc (Hyrry T. Fultz), e cila shkollë deri në vitin 1933 mirëmbahej nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Qeveria Mbretërore Shqiptare, ndërsa nga ai vit, nën pretekstin e “reformës së arsimit kombëtar”, kaloi nën administrimin e plotë shtetëror.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Shqiptarët, kudo që jetojnë, janë mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe presidentit W. Wilson, për rolin vendimtar që e luajtën në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, për shpëtimin nga copëtimi të shtetit shqiptar, siç ishte caktuar prej traktatit të fshehtë të Londrës në vitin 1915. Është pikërisht kjo arsyeja që shqiptarët, asaj kohe, tek SHBA-të shihnin garancinë e plotë për ekzistimin e shtetit shqiptar. Komiteti i Kosovës, përmes një letre drejtuar Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919, në mënyrë kategorike e hodhi poshtë çfarëdolloj tentimi, i cili do të kishte për qëllim copëtimin e Shqipërisë, vendosen e protektoratit italian ose të ndonjë shteti tjetër, me përjashtim të SHBA-së:

“…Ne dëshirojmë e kërkojmë një Shqypnië tëlirë e të pa-varëshme edhe refuzojmë me energjië zbatimin e paktit tëLondrës së v. 1915 mbastë cilit i shkëputen Shtetit Shqyptarë, Shkodra, Vlona e nji pjesë e Shqypnisë Jugore; gjithashtu i kundërshtojmë çdo protektoratit Italian e të tjervet, si dhe pushtimit të çdo pjesë toke Shqyptare,prej anës së huejvet… Por në kjoftë se shifet nevoja e nji garancije ose protektorati, atëherë mund t’i pushtetet nji Pushtedit qi nuk ka interes për ktë kishte me t’ju përshtat Amerika vetum…”.

Po në këtë frymë është edhe letra e parisë së Beratit, dërguar Fuqive të Mëdha në po atë konferencë, ku ndër të tjerave thuhej:

“…Në kioftë se shtetet e mbëdhenj qi po mëshirohen për liriën e popujve të vegjlë e sidomos për ne shqiptarët qi jemi populli mâ i vjetrë e mâ i famshëm e mjerisht mâ i pikëlluar e mâ i përgjunjëzuar i Europës: nuk mundet t’i pushojnë intrigat e Ballkanit e në e shohin të domosdoshme qi shteti shqiptar të mbetet nën mandat të nji Guvernes së madhe, atëherë na dishirojëm mandatin amerikan qi kështu të mundet të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulzimit të vendit tonë…”.

Rol të rëndësishëm në përforcimin e miqësisë amerikane, krahas Presidentit Wilson, pa dyshim se pati edhe drejtuesi i shkollës Teknike në Tiranë, z. Harri T. Fulc (Hyrry T. Fultz), e cila shkollë deri në vitin 1933 mirëmbahej nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Qeveria Mbretërore Shqiptare, ndërsa nga ai vit, nën pretekstin e “reformës së arsimit kombëtar”, kaloi nën administrimin e plotë shtetëror. Rolin e Fulc-it më së miri e përshkruan njohësi i mirë i çështjes shqiptare, historiani amerikan Bernd Fischer, i cili në librin e tij “Shqipëria 1943-1945” shkruan:

“…Jo vetëm në Shqipërinë Jugore, por edhe kur shkon gjetkë, do të takosh shqiptarë që flasin anglisht dhe që flasin me lavdërime për z. Fulc. Në fakt, madje edhe në rrethet zyrtare mund të dëgjosh pohime se ishte zoti Fulc ai që u mësoi shqiptarëve artet, zanatet dhe si të punojnë….”

Një rol tjetër me rëndësi për fatin e Shqipërisë, gjithsesi se është edhe deklarata e SHBA-ve dhënë gjatë muajit dhjetor të vitit 1942, ku në mënyrë taksative thuhej se “pas mbarimit të luftës, Shqipëria do të njihet si shtet i pavarur”. Kjo deklaratë, e dhënë në mënyrë publike pa dyshim se i detyroi edhe dy fuqitë e tjera aleate, Bashkimin Sovjetik dhe Britaninë e Madhe, të dalin me deklarata të ngjashme, megjithëse kjo e fundit, krahas se e bëri me vonesë, njëkohësisht shprehte rezervë të madhe mbi kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë. Duhet theksuar se kjo nismë amerikane erdhi si rrjedhojë e një fushate të gjerë të organizatës shqiptare në SHBA, “Shqipëria e Lirë”, me të cilën udhëhiqte Kosta Çekrezi. Kjo organizatë, përmes organit të vet informativ “Liria”, thuajse në çdo numër shkruante për sukseset e çetave antifashiste shqiptare, të udhëhequra nga Muharrem Bajraktari, Mislim Peza e të tjerë, të cilat shkrime, siç duket, e nxitën Departamentin e Shtetit të ndërmarrë një nismë të tillë.

Burimet diplomatike jugosllave hedhin dritë për një interesim të shtuar të autoriteteve shtetërore amerikane ndaj problemit shqiptar, në përgjithësi, e shtetit shqiptar, në veçanti, gjatë viteve 1943-1945. Duke iu referuar këtyre burimeve, e kuptojmë se në qershor të vitit 1943, me qëllim të zgjerimit sa më të madh të ndikimit amerikan te krerët e atëhershëm politikë e ushtarakë shqiptarë, autoritetet amerikane hartojnë një plan konkret, për zbatimin e të cilit qenë angazhuar disa specialistë amerikanë, në mesin e tyre edhe drejtori i gazetës “Liria”, e cila botohej në Nju Jork, Lazër Papastoli, i cili më vonë e mori emrin ilegal “Lary Post”. Plani parashikonte organizimin e rezistencës antifashiste në Shqipëri, e cila do të zhvillohej në frymën e demokracisë anglo-amerikane e jo në atë jugosllavo-sovjetike. Për këtë qëllim L. Papastoli në Uashington takohet me disa përfaqësues të zyrës së CSS-së për Shqipëri. Më vonë u caktua grupi, i cili do t’i kryente ndërmarrjet në Shqipëri, ku krahas Papastolit merrnin pjesë edhe majori Coon, kapiteni Hamstafat, togeri Geer, një radio-telegrafist e dy të tjerë.

Grupi, përmes Kajros, udhëtoi për Bari të Italisë. Aty ata menjëherë fillojnë me regrutimin e disa shqiptarëve, të cilët qëndronin në Itali për shkak të studimeve, tregtisë ose sepse kishin qenë të internuar. Numri i tyre shkonte deri më 38 vetë. Nga nëntori i vitit 1943 grupit i bashkëngjitet edhe Hary Fultz. Me vajtjen e tij, fillon organizimi i një kursi për shqiptarët, të cilët qenë ndarë në tre grupe: grupi i intelektualëve, grupi i radio-telegrafistëve dhe grupi i aksioneve të sabotimit. Grupi i parë, përkatësisht grupi i intelektualëve, përbëhej nga: Kol Berisha me pseudonimin “Leci”, Adem Derhemi – “Demi”, Qazim Hoxha – “Zimi”, Ali Aliu – “Shani”, Hasan Reci – “Koci”, Niko Kavaçi – “Lozi”, Foto Vesni – “Al”, Aleks Pelesni, Ndue Nikolla – “Lin”, Galip Hatibi – “Gjaku”, Haki Harvati – “Bobi”, Spiro Ruco – “Ciang”, Qazim Katroshi – “Igli”, Koco Gjika – “Nino”, Fadil Kertusha, Vasil Llazari – “Sili”, Stamat Stamatiadhi, një mik i ngushtë i Galip Hatibit etj. Në grupin e dytë janë përfshi këta persona: Sinan Gjoni – “Nano”, Spiro Dhima – “Pipi”, Osman Shehi – “Mani”, Shefqet Kavaja – “Vaja”, Faik Mane – “Toni” dhe Sali Doda. Në grupin e tretë kanë marrë pjesë këta persona: Shate Della, Hamit Gryksi – “Myti”, Preng Shkoreti – “Niti”, Ramazan Metalia – “Zani”, Ethem Beluli – “Gerry”, Shahin Pertefi – “Jerry”, Qamil Lamia – “Milo”, Haxhi Braja, Osman Alla, Nikoll Bruka – “Nik”, Ndue Gega – “Mujo”, Selman Xhebrota dhe një tregtar nga Durrësi.

Pas përfundimit të punës edukative, grupet u dërguan në Shqipëri, edhe atë 22 prej tyre gjatë muajit maj të vitit 1944, ndërsa në tetor të atij viti edhe të tjerët, në mesin e të cilëve ishte edhe Lazër Papastoli. Paraprakisht atyre, nga ana e Fultz-it, u është rekomanduar se si të vepronin në Shqipëri, për ta ndryshuar situatën, e cila zhvillohej në favor të politikës komuniste jugosllave-sovjetike, si dhe të vendosin lidhje me kapitenin Thom Stefani, shefin e Misionit Ushtarak Amerikan pranë Shtabit Suprem të LNÇSh-së.

Mirëpo, ndërkohë, nën ndikimin e drejtpërdrejt të instruktorit jugosllav, Velimir Stojniq, në Konferencën II të FNÇSH-së, e cilau mbajt në Berat më 22 tetor të vitit 1944, udhëheqja e FNÇSh-së u shpall si “Qeveri e Përkohshme e Shqipërisë”, ndërsa Enver Hoxha, kryetar i asaj qeverie. Më herët, Tito – përmes misionit të tij ushtarak, kërkoi nga E. Hoxha dhe SHP i LNÇSH-së, dërgimin e dy divizioneve komuniste shqiptare në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare, përkatësisht në Prefekturën e Dibrës e të Tetovës. Dërgimi i këtyre njësive ushtarake në këtë pjesë shqiptare, siç njoftohemi nga raportet ushtarake jugosllave, kishin për qëllim “shuarjen e reaksionit shqiptaro-madh” dhe “krijimin dhe përforcimin e vëllazërim-bashkimit” midis popujve jugosllavë dhe atij shqiptar.

Burimet diplomatike e ato ushtarake jugosllave vënë në dukje se ishin pikërisht këto dy vendime që ndikuan në përkeqësimin e marrëdhënieve të udhëheqjes komuniste shqiptare me aleancën anglo-amerikane. Anëtari i Misionit Ushtarak Jugosllav në Tiranë, Vojo Todoroviq, i raportonte SHP të LNÇJ-së, se Misioni Ushtarak Amerikan ka refuzuar t’ia ofrojë ushtrisë shqiptare “pjesën e ndihmës materiale që u takonte këtyre dy divizioneve për arsye se qenë dërguar në Jugosllavi…”. Menjëherë pas këtij refuzimi, J. B. Tito i shkruante SHP të LNÇSh-së se dy divizionet shqiptare “do të furnizohen dhe pajisen plotësisht në Jugosllavi pa marrë parasysh se aleatët do ta ndërpresin ndihmën në armatim dhe në pajisje dhe se Jugosllavia këtë obligim e merr mbi supet e veta”.

Për rrjedhojë, me propozim të Korparmatës I Shqiptare, në drejtimin Elbasan-Prizren u dërgua Divizioni V, me dy brigadat e veta: V dhe XXIII, ndërsa Divizioni VI, me brigadat: VI, VII, VII dhe XXII, rreth datës 18 tetor 1944, u nis në drejtimin Mat-Mirditë-Shkodër-Kuç, për t’u lidhur me njësitë e Korparmatës II jugosllave. Këto njësi, posa u vendosen në ato toka shqiptare, “u futën nën komandën e njësive jugosllave”, nga të cilat i merrnin detyrat operative.

Ndërkohë, Enver Hoxha në fillim të muajit janar 1945, në emër të “Qeverisë së përkohshme”, kërkoi nga qeveritë e tre Fuqive të Mëdha, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, ta pranojnë qeverinë e tij. Lidhur me këtë, Sekretari Shtetëror i SHBA-ve, u deklaroi përfaqësuesve të shtypit se “Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një përfaqësues të tyre diplomatik në Shqipëri me qëllim të informimit për situatën e atjeshme” dhe se “Ministria për Punë të Jashtme dëshiron të ketë informata të detajuara për kushtet politike në Shqipëri para se të marrë vendim…”. Rrjedhimisht, gjatë muajit maj të atij viti, në Tiranë arriti ekipi diplomatik i SHBA-ve në krye me G. Jakobs.

Është me interes të theksohet fakti se kryediplomati amerikan, në takim me gazetarët, lidhur me kërkesën e mësipërme të Hoxhës, të ashtuquajturën “Qeveri Demokratike Shqiptare” e emërtonte si “Fronti Nacionalçlirimtar të Shqipërisë”, me çka u pa paqartë se SHBA-të nuk e kishin ndërmend ta pranonin një qeveri, e cila nuk mund të konsiderohej ndryshe, përveçse një krijesë jugosllave. Janë një sërë dokumentesh të kohës që këtë e pohojnë, ndërsa me këtë rast po i referohem letrës së Millovan Gjillasit dërguar Nako Spiros, ku ai përpiqet ta arsyetojë se përse nuk e ka pa të arsyeshme ta përmendë Shqipërinë në broshurën e fundit të tij, ku ai flet për të gjitha regjimet tjera komuniste, të cilat i emërton si “vende me demokraci të vërtetë”, me përjashtim të regjimit komunist shqiptar:

“…Unë kam menduar një kohë të gjatë se a duhet ta përmendi Shqipërinë dhe më në fund kam vendosur ta heshti, sepse pikërisht në atë kohë u shtrua çështja e juaj para Kombeve të Bashkuara. Siç e sheh, në broshurën time çështjet dalin në mënyrë shumë të hapur dhe neve një qasje aq e hapur na u bë e mundur, sepse pozita jonë ndërkombëtare u stabilizua në përmasa të dukshme. Për Shqipërinë nuk kam guxuar të flas sikurse edhe për vendet tjera, sepse ajo – në zhvillimin e saj – ka shkuar më së largu pas Jugosllavisë, aq më tepër – sipas disa linjave themelore të zhvillimit – është identike me Jugosllavinë. Unë kam pasur drojë se një konstatim i tillë do të ndikonte shumë keq në pozitën tuaj ndërkombëtare dhe mund të shërbente si mjet i propagandës armiqësore kundër jush. Dikush nga bota e jashtme ka mund ta merrte atë si shkas për të hapur fushatë kundër Shqipërisë, nën pretekstin se ajo e mori si model Jugosllavinë dhe se asaj Jugosllavia ‘i jep udhëzime’, se Jugosllavia vepron në vendosjen e regjimit, i cili është edhe në Jugosllavi etj….”.

Ndikimi i Beogradit ndaj Tiranës erdhi në shprehje veçmas pas vendimit të Qeverisë jugosllave që edhe zyrtarisht ta pranojë qeverinë e Hoxhës dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me të. Ky vendim u soll në mbledhjen që Qeveria Jugosllave e mbajti më 28 prill 1945, ku shprehimisht thuhej: “Të pranohet Qeveria shqiptare e gjeneral-kolonelit Enver Hoxha dhe me të të vendoset lidhje diplomatike”. Ky akt u përcoll me një eufori të paparë ndonjëherë nga udhëheqja komuniste shqiptare dhe shtypi i tyre. Gazeta “Bashkimi”, organ i PKSH-së, në artikullin e saj kryesor nën titullin “Dëshmitë e reja të vëllazërisë” shkruante: “Pranimi i qeverisë sonë nga ana e qeverisë demokratike të mareshalit Tito përbën veprën me të cilën dëshmohet një herë e përgjithmonë vëllazëria e sinqertë që e lidhë popullin shqiptar me popujt e Jugosllavisë së re Federative. Përveç kësaj, ajo përbën garanci për sigurinë e paqes ekonomike në Ballkan”.

Enver Hoxha, në një takim me gazetarët e mediumeve jugosllave theksoi se “miqësia” midis udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave përbënte “një rëndësi jetësore. “Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë – u shpreh Hoxha – ekziston një miqësi aq e madhe, saqë nuk ka qenë asnjëherë më herët. Ne tashmë nuk e ndjejmë dallimin midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ndaj Jugosllavisë dhe mareshalit Tito kultivojmë dashuri të madhe. Nuk ekziston njeri, në fshatin më të thellë të Shqipërisë, i cili nuk do ta dinte emrin e mareshalit Tito, ndërsa te Jugosllavia të gjithë shohin një mik të madh që vazhdimisht do të jetë në anën tonë…”.

Në një intervistë për gazetën “Bashkimi”, njëri ndër udhëheqësit e lartë komunist jugosllav të kohës, MillovanGjillas, u shpreh se “Jugosllavia e tanishme dëshiron që Shqipëria si fqinji i saj më i afërt dhe shoku i besueshëm në luftë, ta përforcojë sa më parë që është e mundshme pozitën e saj ndërkombëtare” dhe se “Jugosllavia e tanishme nuk ka kurrfarë interesi tjetër ndaj Shqipërisë vetëm se të jetë vërtetë shtet i pavarur. Për këtë arsye Jugosllavia ka dashur ta theksoj këtë politikë të saj….”.

Mirëpo, vendimi për pranimin zyrtar të qeverisë së Hoxhës nga jugosllavët, mediumet demokratike perëndimore e komentuan si një përpjekje e Beogradit që Shqipërinë ta fusë brenda kufijve të saj. Gazeta prestigjioze franceze “Figaro”, në një artikull të saj gjatë muajit gusht të vitit 1945, kushtuar problemit shqiptar, ndër të tjerash, shkruante se: “Tito përpiqet ta përfshijë Shqipërinë në Jugosllavinë Federative” dhe se është në konflikt me Greqinë “për shkak të Maqedonisë”.

Është me rëndësi të theksohet fakti se brenda udhëheqjes së atëhershme komuniste shqiptare pati edhe zëra që e kundërshtonin orientimin e plotë të politikës së jashtme kah lindja, përkatësisht kah Beogradi dhe Moska. Në ballë të saj qëndronte krahu intelektual, i udhëhequr nga Sejfulla Maleshova. Ky i fundit dhe grupi i tij e mbronte politikën e gjerë liberale ndaj anglo-amerikanëve dhe vendeve të tjera kapitaliste. Legata jugosllave në Tiranë e njoftonte Beogradin për ndikimin dhe rolin e jashtëzakonshëm të inteligjencës shqiptare në, siç e quante ajo, “orientimin e gabuar” të politikës së jashtme shqiptare: “…Ajo inteligjencë – theksonte ajo – menjëherë pas çlirimit përbënte dhe edhe tash përbën shtyllën kryesore si në aparatin shtetëror, ashtu edhe në jetën publike. Nëse e kemi tash parasysh, se pjesa më e madhe e inteligjencës së këtushme është me prejardhje tregtare-bejlere, e shkolluar qind për qind në Perëndim – Itali, Francë, Angli – atëherë është e qartë, se ajo së bashku me grupet tjera sociale të Shqipërisë së vjetër është bartëse e fuqishme e traditës së vjetër nacionale, njëkohësisht me orientim perëndimor dhe se në kushtet e udhëheqjes së papjekur dhe lëvizjes së dobët, ka arritur t’i imponojë lëvizjes njëfarë orientimi nacionalist, të pikëpamjeve perëndimore, ndërsa në politikën e jashtme ta fusë tezën se Jugosllavia e tanishme nga këndvështrimi i Shqipërisë është identike me Jugosllavinë serbomadhe ose imperialiste të paraluftës…”.

Për ta penguar këtë frymë pro anglo-amerikane, Legata propozonte që MPJ e Jugosllavisë të ndërmarrë masa urgjente, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim:

“1. Pranë Legatës të themelohet institucioni i atasheut për shtyp, me qëllim që Legata të mund të zhvillojë aktivitet propagandues;

  1. Të vendosen konsullatat e nevojshme në Shqipëri, sidomos në Shkodër dhe Korçë;
  2. Në Jugosllavi të themelohet Shoqata për lidhje kulturore me Shqipërinë”.

Përveç kësaj, i deleguari jugosllav në Tiranë,V. Stojniq, i propozonte Aleksandër Rankoviqit që në kuadër të ushtrisë shqiptare të vendosen instruktorë ushtarakë jugosllavë, edhe atë për këmbësorinë, artilerinë, marinën, aviacionin dhe për shkollën ushtarake. “Nëse do të pranohej propozimi për vendosjen e instruktorëve – theksonte Stojniq – është shumë me rëndësi që ata të jenë njerëz profesionistë, përveç asaj edhe të besueshëm, sipas mundësisë komunistë…”.

I tërë angazhimi i diplomatëve jugosllavë në Tiranë, siç kuptojmë nga raportet e tyre, përbëhej në “riorientimin e politikës së jashtme shqiptare nga Perëndimi në Lindje” dhe, si rrjedhojë, e tërë atij angazhimi që “BRSS-ja dhe Jugosllavia bëhen faktorët themelorë”, me të cilët llogaritej secili veprim i politikës së jashtme komuniste shqiptare. Një qasje e tillë e udhëheqjes komuniste shqiptare gjithsesi se i dëmtoi shumë relacionet me aleatët perëndimorë, në radhë të parë ma atë anglo-amerikanë, të cilët tashmë qeverinë Hoxha e konsideronin si vegël të zgjatur të Beogradit. Nisur nga kjo, Uashingtoni zyrtar, në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, të cilat ishin caktuar të mbaheshin më 2 dhjetor të vitit 1945, përmes zëvendës-ushtruesit të Dhomës së Politikës së Jashtme të SHBA-ve në Tiranë, Hyrry T. Fultz, i dorëzoi E. Hoxhës, notën e qeverisë amerikane për “pranimin e kushtëzuar” të qeverisë së përkohshme të tij. Tirana zyrtare, fillimisht, e kuptoi notën amerikane, si pranim i pakushtëzuar i SHBA-ve. Gazeta Bashkimi, në numrin e 14 nëntorit, në faqen e parë me shkronja të mëdha shkruante:

“B.H. FULDS, zëvendës-ushtrues i detyrës së Dhomës së Politikës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, pardje më 12 nëntor kryetarit të Qeverisë sonë gjeneral kolonel Enver Hoxhës, i dorëzoi Notën e Qeverisë amerikane për pranimin e Qeverisë sonë”.

Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme e SHBA-së, më 13 nëntor 1945 dha një deklaratë për shtyp, me të cilën shprehu “gatishmërinë për pranimin e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë nëse ajo i plotëson tre kushte”. Teksti i plotë i notës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kishin dorëzuar Enver Hoxhës, e kishte këtë përmbajtje:

“Duke e shqyrtuar notën e Qeverisë shqiptare me të cilën ajo lutë të pranohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më udhëzoi t’ua bëj me dije se ajo është e gatshme të hyjë në marrëdhënie diplomatike me regjimin ekzistues në Shqipëri, sikurse edhe me Qeverinë e përkohshme të Shqipërisë.

Duke i vendosur marrëdhëniet zyrtare me Qeverinë shqiptare, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron të veproj në përputhje me obligimet dhe parimet, të cilat ajo i ka nënshkruar në Deklaratën e Kretës për vendet e çliruara të Evropës, prandaj kërkon deklaratë se zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin Kushtetues do të zbatohen mbi bazën e lirisë së vërtetë, votimin e fshehtë pa kërcënime dhe frikësime; se të gjithë demokratët, individët dhe grupet në Shqipëri do ta gëzojnë lirinë e të folurit dhe të drejtën përmes rrugës ligjore vendosjen dhe ndihmën e kandidatëve të tyre; dhe korrespodentëve të shtypit të huaj t’u lejohet të vijnë në Shqipëri, të vëzhgojnë dhe të dërgojnë lirshëm raporte për zgjedhjet dhe për punën e Kuvendit Kushtetues.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherazi shpreh dëshirën që pushtetarët shqiptarë të deklarojnë se kontratat dhe marrëveshjet, të cilat janë arritur deri më 7 prill të vitit 1939 midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë të ngelin në fuqi. Nga ana e saj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaron se këto marrëveshje do të ngelin në fuqi edhe më tej.

Gjatë pranimit të deklaratës së kërkuar Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë e gatshme t’i qaset shkëmbimit të përfaqësuesve diplomatikë.

Unë njëherazi jam i autorizuar t’ua bëj me dije për atë se ky propozim i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike nuk duhet komentuar si masë, e cila do të mund të ndikonte në zgjidhjen e çështjeve tjera nga rëndësia ndërkombëtare, të cilat e përfshijnë edhe Shqipërinë.

Unë do të isha shumë i lumtur kur qeverisë sime do të mund t’ia përcillja përgjigjen ndaj propozimeve të cilat u rreshtuan më lart”.

Siç u tha më sipër, udhëheqja komuniste shqiptare fillimisht i pranoi pa asnjë rezervë të gjitha kushtëzimet dhe rezervat e parashtruara, nga ane e Qeverisë së SHBA-së dhe një hap të tillë e vlerësoi“ si pranim i plotë dhe si një fitore të pakontestueshme” dhe prandaj u organizuan manifestime të shumta falënderuese dhe u zhvillua një fushatë e gjerë në shtyp.

Mirëpo, tërë kjo nuk zgjati shumë, për arsye se shumë shpejt ndërhyn qarqet diplomatike jugosllave dhe udhëheqja komuniste shqiptare i hodhi poshtë kërkesat amerikane. Për rrjedhojë, qeveria amerikane në shenjë proteste e tërhoqi nga Shqipëria misionin e vet diplomatik. Lidhur me bisedimet e zhvilluara midis qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare dhe mospranimin e kushteve amerikane nga ana e Hoxhës, i deleguari diplomatik jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, më 15 prill 1946 i raportonte MPJ të Jugosllavisë me sa vijon:

“Pas ofertës së dhjetorit për pranim e deri më sot thuajse për çdo muaj ka pasur kontakte midis qeverive amerikane e shqiptare. Duke insistuar në kushtin e vet të parë, Amerika në disa momente, së paku në shikim të parë, ka treguar vullnet që ta zbusë kushtin e vet, me çka zbulon dëshirën ose domosdoshmërinë që me Shqipërinë të vendos marrëdhënie diplomatike normale. Kështu, kah fundi i shkurtit erdhi deri te bisedimet në të cilat përfaqësuesi amerikan çështjen e ka shtruar në mënyrën si vijon: Shqipëria le ta pranoj kushtin amerikan. Atëherë do të jetë e pranuar. Nëse nuk do ashtu, le t’i shqyrtojë obligimet e veta ndërkombëtare të paraluftës, nga njëra anë, dhe ato amerikane-shqiptare, nga ana tjetër. Kur Enver Hoxha e parashtroi pyetjen se a bëhet fjalë për pranimin e vetë obligimeve ndërkombëtare të karakterit të përgjithshëm dhe jo edhe në mënyrë të veçantë për marrëveshjet shqiptare ndaj Amerikës, përfaqësuesi amerikan shprehu mendimin se gjoja pikërisht është ashtu, mirëpo me kërkesë të Enver Hoxhës, se për atë çështje dëshiron qëndrim të precizuar nga ana e Amerikës, me çka edhe ai do të jepte përgjigje precize, përfaqësuesi amerikan nuk iu përgjigj. Në fund të bisedimeve kushti amerikan u shndërrua në këtë: Shqipëria në letrën me rastin e shkëmbimit të dokumenteve për pranimin të shpreh gatishmëri që Amerikës t’i pranojë ‘la nation la plus favorisé’. Enver Hoxha e refuzoi me fjalët se ‘për atë çështje mund të bisedoj vetëm pas pranimit’. Që atëherë marrëdhëniet janë përkeqësuar, që u manifestua me protestat e Misionit Amerikan, gjoja për shkak jokorrektësisë së Shqipërisë ndaj Misionit etj., dhe për rrjedhojë në kohë të fundit nuk ka kurrfarë kontakti”. Krejt në fund të raportit, pasi Gjergja e përshëndet përgjigjen negative të Qeverisë Shqiptare ndaj kërkesës amerikane, shprehet: “…politika e jashtme shqiptare vërtetë mori një drejtim të ri. Nga atëherë fillon orientimi i fuqishëm kah Lindja, kah BRSS-ja dhe Jugosllavia dhe vendet ballkanike danubiane; ajo shkëputet nga politika e spekulimeve joparimore dhe koketimit me Perëndimin…”.

Nuk vonoi shumë pas kësaj kur autoritetet policore shqiptare i arrestuan dhjetëra figura të shquara shqiptare, me pretekst se ata si “agjent” të Misionit Ushtarak të SHBA-ve, nga pranvera e vitit 1944, ishin “kyçur” në radhët e LNÇ-së, me qëllim që, siç thuhet në një dokument të OZN-ës jugosllave, “të ndryshimit të situatës, e cila shkonte në favor të komunistëve”.

“Posa ky grup arriti në Shqipëri – theksonte më tej OZN-a – u shpërnda në brigada të ndryshme të LNÇ-së. Kjo shpërndarje nuk zgjati shumë. Pas çlirimit të Shqipërisë këta elementë filluan të tubohen në Tiranë dhe vendosën lidhje me Misionin Ushtarak Amerikan në Tiranë. Në janar të vitit 1945 filloi përpjekja e parë e Misionit Ushtarak Amerikan për krijimin e rrjetit informativ…”.

Numri i përgjithshëm i personave që akuzoheshin si “agjentë” anglo-amerikan e arrinte shifrën prej 38 vetash, mirëpo ky numër, sipas OZN-ës jugosllave, ishte shumë më i lartë.

“Të gjithë emrat që janë në listë janë nga Tirana. Me ta është përfshi vetëm qendra. Mirëpo, është më se e sigurt se H. Fulc ka organizuar nënqendrat e tij edhe jashtë Tiranës. Ai ka numër të madh të nxënësve të tij, nga ish shkolla amerikane, të cilët janë në pozita të ndryshme nëpër qytete të tjera të Shqipërisë, prandaj nuk përjashtohet që këta ish nxënësit e tij t’i ketë shfrytëzuar…”.

Gjithnjë sipas OZN-ës jugosllave, në mesin e të dyshuarve, të cilët ende qëndronin të lirë, ishin edhe dy deputetë: Abedin Cici dhe Selaudin Toto, sekretari i Shoqërisë për Miqësi me Jugosllavinë, Vasil Llazari, si dhe kryeredaktori i “Bashkimit”, Petro Marko etj.. Në procesin gjyqësor kundër këtij grupi, i cili u zhvillua në shtator të vitit 1947 nga Gjyqi Ushtarak Suprem në Tiranë, prokurori i përgjithshëm, Josif Pashko, i akuzoi ashpër misionet ushtarake anglo-amerikane, sidomos këta të fundit, të cilët, përmes Fulc-it, gjoja paskan bërë përgatitje serioze për një luftë të re, me qëllim të dominimit të tyre ndaj pjesës tjetër të Ballkanit:

“…Nga ky proces – shprehet Pashko – del qartazi se misionet zyrtare anglo-amerikane nga dita e parë e çlirimit kanë zbatuar urrejtje ndaj pushtetit tonë popullor, duke tubuar rreth vetes të gjithë spiunët e huaj, veçmas amerikanët, në krye me Fulcin. Në këtë proces janë zbardhë fakte të shumta, të cilat dëshmojnë për qëndrimin armiqësor të qeverive anglo-amerikane ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë dhe dëshmojnë se misionet zyrtare anglo-amerikane, duke e organizuar reaksionin për vepra terroriste dhe sabotime kundër pushtetit popullor, janë përzier drejtpërdrejti në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Imperialistët anglo-amerikanë, e sidomos amerikanët, një kohë të gjatë kanë punuar në organizimin e elementeve të tilla përmes të cilëve në Shqipëri do të mund t’i realizonin qëllimet e tyre imperialiste…. Qëllimet e tyre kanë dështuar, sepse populli ynë është vigjilent, sepse armata jonë heroike është roja e pathyeshme e kufijve tanë, sepse me politikën e saj të drejtë dhe largpamëse qeveria jonë dhe pushteti popullor kanë miq të sinqertë. Populli ynë ka asi miq te popujt e Bashkimit Sovjetik të cilët neve na duan sinqerisht e të cilët edhe ne i duam sinqerisht, sikurse edhe te popujt e Jugosllavisë së Titos, që përbën garancinë e shëndoshë për pavarësi dhe mirëqenie të popullit tonë….etj”.

Lidhur me këtë proces gjyqësor, i cili u zhvillua në Tiranë, ndihmës-sekretari amerikan për Punë të Jashtme, në një konferencë për shtyp deklaroi se “nuk është fare e vërtetë padia dhe se të akuzuarit në asnjë mënyrë nuk kanë qenë në shërbim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose të përfaqësisë së saj në Shqipëri”. Duke iu kundërvu deklaratës së mësipërme, gazeta “Bashkimi”, në një artikull të vetin, shkruante se deklarata e diplomatit amerikan “ka për qëllim ta hedhë poshtë atë që agjentët e Fulc-it, d.m.th. të qeverisë amerikane, e kanë deklaruar lirshëm në gjyq”. Më tej në artikull thuhej se misionet amerikane dhe angleze, që në kohën e luftës kanë punuar kundër “popullit shqiptar”, duke u dhënë ndihmë morale e materiale “organizatave tradhtare të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit”, përmes të cilave kanë dashur t’i realizojnë qëllimet e tyre “imperialiste” dhe “agresive” dhe të përgatisin “pushtimin e ri anglo-amerikan të Shqipërisë”. Pas “çlirimit”, theksohej më tej në artikull, “përderisa populli shqiptar iu rrok ndërtimit paqësor të vendit të vet”, misionet amerikane dhe angleze “kanë organizuar rrjetin e agjenturës dhe kryengritjen e armatosur kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Pa dyshim se pas tërë atij mllefi që klika komuniste shqiptare asaj kohe e shprehte kundër politikës anglo-amerikane dhe përkrahësve të tyre, qëndronte klika komuniste jugosllave, e cila si mashë të veten e pati Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Kjo më së miri shihet në fjalimin që E. Hoxha e mbajti në Gjirokastër të fillim të muajit tetor 1947, i cili duke e ngritur në pijedestal udhëheqjen komuniste jugosllave shprehet:

“Shqipëria e vogël ka fat të madh, sepse në kufirin e saj ka shtetin e madh demokratik siç është Jugosllavia e re dhe se ai shtet është mik i dashur dhe i sinqertë i popullit tonë. Paramendoni, shokë dhe shoqe, se çfarë fati do të na ndodhte, çfarë fati do t’i ndodhte popullit tonë të ri, pa Jugosllavinë demokratike e mike. Populli shqiptar i vogël nuk do ta kishte lirinë që e ka sot, por do të përjetonte ditë të errëta dhe fat të zi. Kështu duhet të vlerësohet miqësia, vëllazëria dhe aleanca që neve na lidh me Jugosllavinë e Titos. A thua vendi ynë i vogël, i varfër, nëse do të ishte i rrethuar me shtetet, siç është Greqia e sotme, do të mund t’i mbronte frytet e gjakut të derdhur në luftë për vendosjen e rregullimit të sotshëm demokratik, njërin ndër rregullimet më të drejta? A thua vendi ynë do të mund të ngrihej në këmbë dhe do të mund të ndërtonte jetë të re në mënyrë të lirë e të ndershme? Kjo do të ishte shumë rëndë, do të ishte e pamundur. Ja përse për popullin tonë është aq e çmueshme miqësia e ngushtë me popujt e Jugosllavisë”.