Putini emëron kryetarët e katër rajoneve ukrainase të aneksuara

Putini emëron kryetarët e katër rajoneve ukrainase të aneksuara

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka caktuar të mërkurën “kryetarët në detyrë” të katër rajoneve ukrainase të aneksuara ilegalisht, shkruan CNN-i.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, katër liderët e sapoemëruar do të qeverisin derisa krerët zyrtarë për rajonet të zgjidhen në përputhje me ligjet ruse.

Të katër drejtuesit në detyrë janë po të njëjtët zyrtarë që udhëhoqën rajonet nën pushtimin rus përpara se Putini të nënshkruante dokumentet e aneksimit, të cilat janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Denis Pushilin u emërua ushtrues detyre i kreut të Republikës Popullore të Donetskut dhe Leonid Pasechnik tani është ushtrues detyre i kreut të Republikës Popullore të Luhanskut.
Yevgeny Balitsky do të jetë ushtrues detyre i guvernatorit në rajonin e Zaporizhzhias dhe Vladimir Saldo është tani guvernatori në detyrë në rajonin Kherson.

Të katër zyrtarët nënshkruan të ashtuquajturat traktate për pranimin e katër rajoneve përkatëse në Rusi më 30 shtator gjatë një ceremonie të mbajtur në Kremlin.