Putin përgëzon ushtarët e tij: Çliruat Luhansk-un, do dekoroheni

Putin përgëzon ushtarët e tij: Çliruat Luhansk-un, do dekoroheni

Presidenti rus, Vladimir Putin përgëzoi trupat e tij për çlirimin e rajonit lindor të Ukrainës, Luhansk. Në një takim me ministrin e mbrojtjes, Sergei Shoigu, shefi i Kremlinit tha se ushtarët e përfshirë në atë betejë duhet të pushojnë dhe të dekorohen, ndërsa njësitë e tjera duhet të vazhdojnë luftën.

“Kërkoj që t’i jepen nderimet shtetërore të gjithë personelit që triumfoi në këtë aksion ushtarak. Bazuar në raportimet e përditshme, e di që ka shumë ushtarë të zotë, profesionistë dhe të guximshëm, në ushtrinë e Rusisë. Të gjithë ata duhet të dekorohen me vlerësimet përkatëse shtetërore”, tha presidenti Putin.

Ndërkohë, presidenti Putin nuk do të përgëzojë homologun amerikan, Joe Biden, për ditën e pavarësisë.

Këtë e konfirmoi Kremlini që thekson se shkak për këtë janë bërë veprimet jomiqësore të Uashingtonit ndaj Moskës. Ndërkohë, ngjitur me Luhansk, në rajonin e Dontesk, jeta duket se po vijon normalisht, pavarësisht bombardimeve dhe luftimeve.

Mediat pro-ruse kanë publikuar disa imazhe të një grupi personash që vallëzojnë në një pistë kërcimi të ndërtuar në vitin 1990 nga ish Bashkimi Sovjetik.

Spektatorët dhe banorët e tjerë që I vështrojnë, thonë se jeta e tyre merr pak gëzim dhe gjallëri mes zymtësisë së luftës dhe frikës se kjo situatë mund të vazhdojë për shumë gjatë.