Putin hap burgjet, kriminelët do t`i bashkohen ushtrisë në Ukrainë!

Putin hap burgjet, kriminelët do t`i bashkohen ushtrisë në Ukrainë!

Vladimir Putin firmosi ligjin që lejon mobilizimin e personave të cilët kanë kryer krime të rënda mes përpjekjeve për të mbushur radhët e ushtrisë ruse, në mesin e humbjeve të mëdha të pësuara në Ukrainë.

Duke folur para disa të rinjve dhe vullnetarëve në Moskë, shefi i Kremlinit u shpreh se  318.000 persona i janë bashkuar luftës qëkur u shpall mobilizimi në shtator, përfshirë edhe 18.000 vullnetarë, çka tejkalon objektivin fillestar prej 300,000 të vendosur nga Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Gjesti i tij i fundit megjithatë, u interpretua si akt dëshpërimi dhe tregues se realiteti mund të jetë tjetër.

“Me sa e di unë, 49.000 mijë nga të mobilizuarit kanë kryer vetëm detyra luftarake. Të tjerët janë ende duke u trajnuar.”- tha Putin

Ligji përjashton personat e dënuar për abuzim seksual të fëmijëve, tradhti, spiunazh ose terrorizëm. Jashtë tij mbeten po kështu ata  që janë dënuar për tentativë vrasjeje të një zyrtari qeveritar, rrëmbim avioni, aktivitet ekstremist dhe trajtim të paligjshëm të materialeve bërthamore dhe substancave radioaktive.

Rusia ka mbledhur gjithashtu të burgosur dhe qytetarë të cenueshëm për të shërbyer në kompaninë ushtarake private ruse Wagner Group, e cila aktualisht po vepron së bashku me forcat e armatosura të rregullta ruse. Ministria ukrainase e mbrojtjes pretendon sakaq se nga grupi Wagner janë rekrutuar edhe të burgosur me HIV dhe Hepatit C.

Pas nisjes së agresionit ndaj vendit fqinj në muajin shkurt, Rusia fillimisht pushtoi territore të mëdha të Ukrainës, por pas kësaj për muaj të tërë, Kremlini ka pësuar humbje të mëdha ushtarësh e territoresh për shkak të dy kundërofensivave të Kievit.