Pushteti patrimonialist: “baballarët” që na sollën demokracinë

Pushteti patrimonialist: “baballarët” që na sollën demokracinë

Në rastin e vendit tonë, gjatë 110 vjetëve të fundit, nuk e kemi pasur mundësinë që një udhëheqës të mbetet në tekstet e historisë për lavdinë dhe begatinë që u ka sjellë këtyre trojeve, por ama askush nuk mund ta hedhë poshtë faktin se gjithsecili prej këtyre liderëve e ka dhënë kontributin e tij në perceptimin se ‘politikanët janë e keqja më e madhe e këtij vendi’.

 

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Përgjatë viteve të fundit të komunizmit, në Bashkimin Sovjetik ekzistonte një emision në radio i quajtur “Radio Erevani”. Ky emision transmetohej në Armeni dhe formati i tij ishte i llojit satirik, ku publiku bënte pyetje dhe “Radio Erevani” ia thoshte gjithmonë “të vërtetën”. Një ditë, njëri nga dëgjuesit e radios shtron pyetjen: “Radio Erevani, cili është dallimi midis socializmit dhe kapitalizmit?” dhe Radio Erevani përgjigjet: “Kapitalizmi është sistemi që favorizon shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, ndërsa në socializëm ndodh saktësisht e kundërta.” Në këtë nivel mund të vëzhgohen edhe problemet e tranzicionit shqiptar. Prirjet autoritare të udhëheqësve dhe teknikat klanore të qeverisjes vijojnë të mbeten të njëjtat, pavarësisht ndryshimit të sistemit politik.

Në momentet kur po mbërrijmë në dekadën e tretë pas rënies së regjimit komunist, demokracia dhe institucionet shqiptare duket se vijojnë të shfaqin një pjesë të konsiderueshme të simptomave të së shkuarës. Pavarësisht se, ndryshe nga periudha enveriste, mobilizimi i popullit nuk ndodh më nën dritën e një ideologjie dominuese, gjithsesi simptoma e “Big Brotherit” oruelljan vazhdon të jetë e pranishme në politikëbërje. Duke shfrytëzuar legjitimitetin e demokracisë në përforcimin e qeverisjes mbi baza të ngushta klanore, mund të thuhet se qeveritë e tri dekadave të fundit përgjithësisht janë karakterizuar nga një përkrahje më e gjerë në popull sesa qeveritë e regjimit të kaluar. Në këtë kuptim, duke gërshetuar tiparet antropologjike të shoqërisë sonë me elementet e demokracisë, që u adoptuan në fillim të viteve ’90-të, sot kemi të bëjmë me një sistem totalitar me rrjete shumë më të sofistikuara se në periudhën e regjimit komunist. Por, cila është trashëgimia socio-politike dhe kulturore që mban në këmbë një sistem të tillë politik? Mbi ç’baza qëndron ‘maska” e re e pushtetit që u ndërtua nën rrënojat që la rrëzimi i diktaturës? Mbi të gjitha: si realizohet kombinimi i mikro-kozmosit familjar me makro-kozmosin shtetëror në perceptimin e individit të një shoqërie si kjo e jona?

Në librin “Ekonomia dhe Shoqëria”, sociologu Max Veber trajton faktorët që ndikojnë në instalimin e një forme ekstreme të pushtetit patrimonialist, të cilin autori e quan “sulltanizëm”. Ajo që synon të shpjegojë Veberi me këtë koncept lidhet me stilin e dominimit dhe udhëheqjes së një sistemi politik. Sipas tij, “Kudo ku dominimi tradicional sjell një administratë të re në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e “udhëheqësit të madh” dhe ky i fundit e qeveris vendin me një liri të theksuar veprimi, të karakterizuar nga konturet e pushtetit suprem, atëherë, në çdo rast të tillë, kemi të bëjmë me tiparet e një regjimi sulltanist”. Duhet thënë se nocioni “sulltanizëm” është tërësisht i zhveshur nga botëkuptimi fetar i termit “sulltan”, ndonëse mund të ndodhë që në disa raste figura e liderit mund të marrë një përmasë gati hyjnore në sytë e popullit të tij. Veberi thekson se në këtë regjim patrimonialist “sektori publik dhe ai privat janë të ndërthurur me njëri-tjetrin dhe ekziston një prirje drejt pushtetit familjar, klanor ose dinastive të trashëguara; mungon racionalizimi i ideologjive (si p.sh në totalitarizëm), ndërsa suksesi ekonomik varet nga lidhja personale me udhëheqësin dhe shpurën e tij”. Udhëheqësi dhe miqtë e tij janë shpërndarësit kryesorë të mirëqenies në vend, kurse sektori privat në mënyrë që të zhvillohet e ka të domosdoshme të futet në negociata me klanin e udhëheqësit. Ky model regjimi, sipas Veberit, është i privuar nga shteti i së drejtës dhe ka një zhvillim shumë të ulët të institucionalizmit; në sulltanizëm mund të ketë një pluralizëm të zgjeruar shoqëror, por thuajse kurrë një pluralizëm politik, sepse pushteti politik është i lidhur ngushtësisht me rregullat e lojës që i përcakton vetë udhëheqësi. Karakteristika bazë e kësaj teknike qeverisjeje është se të gjithë individët, grupet ose institucionet janë gjithnjë subjekt i ndërhyrjes së pakufizuar të udhëheqësit. Trajtimi i tezave të sulltanizmit është rimarrë në shqyrtim disa dekada më vonë nga studiuesit e shkencave politike Juan Linz dhe Alfred Stepan. Në librin “Problems of Democratic Transition and Consolidation”, por veçanërisht te “Sultanistic Regimes”, ata kanë dhënë një përshkrim të detajuar për nga mënyra se si mund ta dallojmë këtë model regjimi patrimonialist nga regjimet e tjera autoritare. Juan Linz-i argumenton se ka një dallim themelor midis funksionit dhe pasojave të ideologjisë në regjimet totalitare dhe në ato sulltaniste. Në regjimet totalitare, jo vetëm që ekziston një ideologji e përpunuar sunduese, por kjo lloj ideologjie e ka fuqinë e legjitimimit të regjimit, dallimit të së mirës nga e keqja ose skicimit të një vije ndarëse mes “heroit të punës” dhe “tradhtarit të atdheut”. Udhëheqësit e shohin këtë ideologji si formë justifikimi për aktet e tyre. Përkundrazi, një udhëheqës sulltanist nuk karakterizohet nga një ideologji e përpunuar si justifikim i akteve të tij. E vetmja formë justifikimi për udhëheqës të tillë ndodh në ato raste kur ai ka ardhur në pushtet si përfaqësues i një shumice të zgjedhur. Në këtë rast nuk është më ideologjia që legjitimon aktet e udhëheqësve, por zgjedhja e tyre nga votuesit. Në këtë kuptim, çrrënjosja e një lideri me prirje diktatoriale bëhet më e vështirë kur ky i fundit vjen në pushtet përmes “makijazhit” të demokracisë. Sa herë që ai sulmohet nga kundërshtarët e qeverisë, ai mund të mbrohet përherë nëpërmjet vullnetit të votuesve që e votuan. Prandaj, në një rast të tillë bëhet më e vështirë kritika ndaj sistemit politik, sepse problemi kësaj here nuk qëndron te sistemi politik në vetvete, por te kultura politike që vë në lëvizje ingranazhet e këtij sistemi politik.

 

Nga autoritarizmi pa zgjedhje në autoritarizmin e zgjedhur

 

Kur demokracia i sjell në pushtet udhëheqës të tillë, ata nuk kanë më nevojë të fshihen pas perdes së ideologjisë, por përkundrazi, duhet të jenë sa më të dukshëm. Atyre nuk u leverdis që të krijojnë një vijë ndarëse që përcakton qartazi kufirin mes “heroit” dhe “tradhtarit”. Në rastin e regjimeve sulltaniste, të instaluara përmes rregullave të lojës së demokracisë, kufiri mes “mikut” dhe “armikut” merr trajtat e një vije imagjinare. Në rast se kufiri do të ishte lehtësisht i dallueshëm, kjo do ta cënonte mundësinë e rizgjedhjes së tyre në mandatin e ardhshëm. Studiuesi Alfred Stepan shkruan se “Në një shoqëri të dominuar nga patrimonializmi, mund të ekzistojnë ligjërime thellësisht personale me pretendimin se janë ideologji, por këto lloj ligjërimesh performohen vetëm pasi lideri ka marrë pushtetin. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe zgjedhësit. Ata janë shumë të ndërgjegjshëm se nuk po votojnë programin politik, por udhëheqësin që e mundëson parashtrimin e programit politik”. Siç u tha më sipër, udhëheqja personale e këtyre baballarëve të pushtetit qëndron mbi pretekstin e ideologjisë. Si përkrahja e tyre, ashtu edhe sulmet ndaj tyre, mbështeten në vartësinë e njerëzve ndaj pushtetit që ata kanë akumuluar, në rastin e parë për shkak të shpërblimeve që ai jep për luajalitet, në të dytin për shkak të frikës ndaj tij. Në këtë aspekt, frika dhe luajaliteti ndaj udhëheqësit janë tipare të përbashkëta, si në totalitarizëm, ashtu edhe në patrimonializmin sulltanist. Në këtë drejtim, për shembull, Stalini dhe Somoza janë të ngjashëm. Megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme. Alfred Stepan shkruan se “Artikulimet ideologjike të një lideri totalitar merren seriozisht jo vetëm nga vartësit e tij, por nga e gjithë shoqëria, duke përfshirë edhe klasën intelektuale. Kjo krijon një përgjegjësi organizative në lidershipin totalitar, gjë që nuk është e pranishme në rastin e regjimeve patrimoniale, të cilët janë instaluar mbi bazat formale të demokracisë. Në rastin e këtij regjimi, mund të thuhet se disidentët më të rrezikshëm të tij janë pikërisht ata që e marrin shumë seriozisht ideologjinë e udhëheqësit”. Këto modele regjimesh hibride, që lindin si një ndërthurje të demokracisë me tiparet patrimonialiste të pushtetit të udhëheqësit, mund të vëzhgohen empirikisht në raste të shthurjes së superstrukturës së një regjimi totalitar. Linz-i shton se “një ndër faktorët e përbashkët të këtyre regjimeve është se ato mund të identifikohen në vende me pozita gjeografike tepër të favorshme nga pikëpamja strategjike dhe për këtë arsye kanë qenë nën ndikimin e vazhdueshëm të fuqive të mëdha”. Nuk mund të mohohet se edhe në vendin tonë faktori ndërkombëtar ka qenë një element me impakt të rëndësishëm mbi formën që morën sistemet politike në Shqipëri. Udhëheqësi i regjimit të kaluar erdhi në pushtet si rezultat i mbështetjes që kishte nga ana e bllokut lindor. Gjithashtu, edhe në periudhën post-komuniste, ndërkombëtarët kanë vijuar të jenë një faktor politik me peshë në politikën shqiptare. Protagonizmi i ambasadorëve amerikanë gjatë dekadave të fundit, siç ishte për shembull emërtimi i ish-kryeministrit si “Burrë shteti” (Berisha pas 21 Janarit), dhe, së fundmi, shpallja e tij “non-grata” nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përforcojnë më tej perceptimin publik të kësaj shoqërie se trazirat e këtij vendi mund të na i zgjidhë vetëm pushteti i ‘baballarëve’.

 

Legjitimimi i popullit: të gjithë fajin e ka pushteti i “baballarëve”       

 

Në rastin e vendit tonë, gjatë 110 vjetëve të fundit, nuk e kemi pasur mundësinë që një udhëheqës të mbetet në tekstet e historisë për lavdinë dhe begatinë që u ka sjellë këtyre trojeve, por ama askush nuk mund ta hedhë poshtë faktin se gjithsecili prej këtyre liderëve e ka dhënë kontributin e tij në perceptimin se “politikanët janë e keqja më e madhe e këtij vendi”. Për të kuptuar rolin që mbart figura e “babait të popullit”, si dhe për t’i parë në një dritë të re funksionet që i atribuohen udhëheqësit në vendin tonë, është e udhës t’i referohemi konceptit “Emri i babait” të formuluar nga psikanalisti francez Jacques Lacan. Sipas Lacan-it, “Emri i babait mishëron shënjuesin qendror që ndrydh dëshirat dhe fantazitë e subjektit. Ky “Big Other” përfaqëson mungesën dhe represionin, mungesë e cila përmes autoritetit të tij kalon në perceptimin e një dëshire të papërmbushur. Emri i babait identifikohet me funksionin e parandaluesit të realizimit të dëshirave të subjektit”. Figura e babait simbolik mund të identifikohet që në mikro-komunitetet, si familja, ashtu edhe në makro-komunitete, si shteti. E në raste të tilla si vendi ynë, ku organizimet/organizatat private ngatërrohen shpesh me organizimet/organizatat publike, ashtu sikundër edhe vetë publikja me privaten apo informalja me formalen, udhëheqësi politik që të jetë i suksesshëm, shpeshherë duhet të asocohet me figurën e një udhëheqësi-baba, duke i mishëruar njëherësh të dy rolet. Në këtë kuptim, nëse udhëheqësi mbart tiparet e babait, populli performon rolin e subjektit dëshirues – fëmijës. Po t’i qëndrojmë formulimit të Lacan-it, dëshirat e popullit shtohen falë mospërmbushjes së tyre nga “babai simbolik”. Sa më shumë që udhëheqësi-baba perceptohet si autoriteti që pengon dëshirat e popullit dhe realizimin e aspiratave të tij historike, aq më shumë realitet fitojnë këto dëshira në popull. Prandaj, domethënia simbolike e pushtetit të tij patrimonial na shfaqet në trajtën e dyfishtë të parandaluesit/garantuesit (prohibitor/inhibitor), ku nga njëra anë liderët tanë perceptohen si fajtorët kryesorë për faktin se kemi mbetur të pazhvilluar e të paintegruar me botën perëndimore, nga ana tjetër ata janë një ndër arsyet pse duhet “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ose masivizimit të emigracionit, me braktisjen e vendit që bëhet më e dëshirueshme pikërisht falë frikës se udhëheqësi-baba “nuk do të na integrojë në BE”. Sipas këtij kuptimi, dëshirat nuk reshtin së ekzistuari në momentin që përballen me një pengesë. Përkundrazi, arsyeja pse ato janë të dëshirueshme është pikërisht për shkak se ato na pengohen. Te libri “Did Somebody Say Totalitarianism?”, Slavoj Zizek-u e portretizon figurën e diktatorit në petkun e “mbartësit të fajit në shoqëri”. Roli i diktatorit është i domosdoshëm për një shoqëri që e percepton veten në kushtet e një regjimi diktatorial dhe që beson te “konteksti i favorshëm për instalimin e diktaturave”. Vetëm nëse imagjinohet figura e diktatorit, shoqëria mund të shfajësohet nga problemet e saj. “Një nga aktet më çnjerëzore të një despoti” – shkruan Zizek-u – “është grabitja e sensit të fajit në shoqëri. Duke u identifikuar nga shoqëria si përgjegjësi kryesor i gjendjes në vend, despoti e forcon më tej pushtetin e tij patrimonialist e, për rrjedhojë, populli kthehet në një fëmijë të pabindur që nuk mban dot përgjegjësi për kushtet e vështira ku ndodhet”. Udhëheqësi patrimonialist garanton shpresën, frikën, lavdinë, dështimet, progresin ose prapambetjen e fëmijës/popull në gjuhën më të qartë të mundshme, gjuhën që të bind më mirë: gjuhën e pushtetit atëror. Një fenomen të ngjashëm përfaqësojnë edhe figurat e udhëheqësve në vendin tonë. Imazhi i tyre si liderë të korruptuar, që nuk mendojnë fare për interesat e vendit, na mundëson të kemi përherë një figure simbolike që kryen funksionin e parandaluesit të dëshirave tona, madje për t’ia konfirmuar shpeshherë vetes se problemet e një shoqërie shkaktohen nga udhëheqësit, ekzistenca e liderëve, si Berisha, Nano, Meta apo Rama, ia lehtëson detyrën popullit për ta zhvendosur përgjegjësinë. Si do mund të ishte kaq e lartë shkalla e pakënaqësisë ashtu sikurse edhe transferimi i sensit të fajit, dëshira për t’u integruar me perëndimin apo ëndrra për të ikur jashtë, në mungesë të liderëve të tillë? Pa këta baballarë të shtetit, si do mund të ishte kaq e lartë dëshira për t’u bërë “si gjithë Europa”, edhe pse në çdo rast Europa na e projekton integrimin në një të ardhme të largët? Në mungesë të tyre, si do mund ta asoconim Europën Perëndimore të sotme me kulturën demokratike, meritokracinë apo mundësitë e punësimit? Nëse pranojmë se dëshirat lindin nga konstatimi i një mungese, duhet të themi se gjatë këtyre 110 vjetëve pavarësi, udhëheqësit tanë na kanë furnizuar me një bollëk dëshirash.

 

Dëshirat e militantëve: një demokraci tarafesh

 

Pasi u përmendën autoritetet që e mbajnë në këmbë gjithë strukturën e mekanizmave socio-kulturorë dhe politikë të vendit tonë, në vijim do të përshkruhet shkurtimisht performimi i institucioneve në paradën e demokracisë shqiptare. Meqenëse thamë se në vendin tonë nuk ekziston një dallim i qartë ndërmjet privates dhe publikes, mikro-kozmosit familjar dhe makro-kozmosit shtetëror apo meritokracisë dhe nepotizmit, nga kjo rrjedh se roli i kryetarit të vendit, në mënyrë që të bëhet kulturalisht i pranueshëm, duhet të ngjasojë me rolin e kryetarit të familjes. E meqenëse qeverisja e këtyre “baballarëve” është e organizuar në mënyrë të tillë që pushteti të ndahet vetëm brenda klanit të tij të ngushtë, është e kuptueshme që edhe riciklimi i elitave në institucionet shtetërore ndodh sipas së njëjtës logjikë. Nëse institucionet perëndimore bazohen mbi procedurat formale të organizimit të shtetit, në vendin tonë mungesa e kufirit ndarës midis karakterit formal të një institucioni dhe kulturës informale (shpeshherë mbi bazë finsore) të shoqërisë ku merr formë ky institucion, bën që përzgjedhja e nëpunësve të konceptohet veç si një akt shpërblimi i luajalitetit ndaj udhëheqësit. Ky fenomen, në thelb, nuk përfaqëson ndonjë risi, pasi karakterin informal të institucioneve shqiptare e ka konstatuar Faik Konica qysh në vitet e ’30-ta të shekullit të kaluar, kur shkroi librin “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Te pjesa “Robotët – Njerëzit-makina”, Konica i portretizon në këtë mënyrë nëpunësit e administratës në Shqipëri: “Pazotësia për të gjykuar vetë e për të marrë masat e duhura pa pyetur – kjo është kryeshenja e nëpunësve të Shqipërisë. Prandaj është përhapur në zyrat e Guvernës një sëmundje e çuditshme për rregulla. Këta Robotë nëse i lë të lirë, mbeten në vend. Është për të mos besuar numri i rregulloreve që dalin përditë nga fabrikat qeveritare. Gjërat më të vetëkuptuara e më panevojë që të formulohen e të porositen, se çdo njeri i merr vesh si pjesë e detyrës së tij, në Shqipëri shtihen në rregullore e në nyja. Për shembull, ca kohë më parë, Ministria e Mësimit botoi një rregullore mbi detyrat e nxënësve të dërguar në shkolla të jashtme; ndër të tjera është një nyje që thotë se nxënësit duhet të nxënë; një tjatër që thotë se nxënësit e përkrahur financiarisht nga Guverna duhet të njohin Guvernën etj. Një rregullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme thotë se një përfaqësonjës diplomatik ose konsullar, kur hiqet, duhet t’i dorëzojë vulat dhe arshivat atij që vjen të zërë vendin e tij. Gjithë nga kjo Ministri ka dalë një tjatër rregullore e cila porosit përfaqësonjësit të mos falsifikojnë çeqe”. Gjendja e përshkruar nga Konica na flet për një Shqipëri e cila ende nuk e kishte nivelin e edukimit që ekziston sot. Por, megjithatë, mjafton t’u hedhim një sy ligjërimeve të deputetëve në parlament ose gabimeve drejtshkrimore në dokumente zyrtare nga ana e nëpunësve shtetërorë, për të kuptuar se nuk do përbënte habi vendosja e disa rregulloreve të vetëkuptuara si “Në këtë institucion shkruhet vetëm gjuha shqipe standarde”. Mendësia e institucioneve që u fertilizuan rishtazi nga “baballarët” e tranzicionit shqiptar u konceptuan si ofiqe vetëm për “fëmijët” e bindur, pra ata që e kanë merituar shpërblimin e udhëheqësit patrimonialist dhe miqve të tij. Në këtë kuptim, vendosja e rregulloreve të vetëkuptuara mund të shtrihet gjerësisht në institucione të tjera, si universitetet, spitalet, gjykatat etj. Përmes mosfunksionimit të këtyre institucioneve dhe injektimit të vazhdueshëm të dozave të shpresës për integrim europian, militantët do t’u jenë përherë falënderues “baballarëve” të tyre, madje në fakt edhe vetë ekzistenca e këtyre udhëheqësve në shoqërinë tonë mund të kuptohet vetëm si një emblemë falënderimi.