Punë dhe baste në Irlandë, baste pa punë në shqiptari

Punë dhe baste në Irlandë, baste pa punë në shqiptari

Gjuha e pafuqisë që përdoret shpesh nga politikanët shqiptarë, e tipit «bashkimit i ka ikur koha» apo «bashkimin e duam, por nuk na lejohet» është gjuhë e dembelisë. Po aq dembeli është edhe gjuha e kërcënimit, kur bashkimin synojnë ta përdorin si tezë me të cilën të shantazhojnë ndërkombëtarët, me formatin «nëse Europa nuk na pranon, do të ndodhë bashkimi». Dhe, me të vërtetë, me dembeli e me gjuhën e saj, bashkimi nuk ka për të ndodhur. Dembelia është shterpë, nuk prodhon asgjë.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Bastexhinjtë britanikë, që dominojnë tregun europian me faqet e tyre të basteve online, përveç sporteve të ndryshme, vendosin rregullisht kuota bastesh edhe për ngjarje politike. Së fundi, njëra prej ngjarjeve së cilës po i lëviz probabiliteti ndjeshëm, është bashkimi i Irlandës.

Viti 2021 është viti i njëqindvjetorit të traktatit ango-irlandez, që prodhoi pavarësinë e Republikës së sotme të Irlandës, e po ashtu edhe vit kur mbush shekullin ndarja e Irlandës së Veriut prej pjesës tjetër të ishullit, duke mbetur pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë këtij shekulli, politika e Irlandës e ka pasur kryefjalë çështjen e bashkimit, ide e cila ka prodhuar edhe konflikt të vazhdueshëm, herë të armatosur e herë jo. Konflikti ka vazhduar deri në historinë e vonë, madje në një farë mënyre ai u paqtua vetëm më 1998, me marrëveshjen e së Premtes së Mirë. Në atë marrëveshje palët u pajtuan që Irlanda e Veriut të vazhdonte të ishte pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por që të kishte mundësinë të vendoste edhe për bashkim në të ardhmen, kurdo që publiku në mënyrë demokratike do të vendoste kësisoj.

Shumëkush në Irlandë, në të dyja anët e kufirit, ka zënë të mendojë se momenti për ta marrë atë vendim, është pikërisht tani. Së pari, për arsye demografike, pasi për herë të parë prej më shumë se dy shekujsh, në Irlandën e Veriut në dekadën 2021-2030 pritet të jenë shumicë katolikët (e jo anëtarët e kishës së reformuar, të cilët karakterizohen si grup i prira për të qenë më pranë bashkimit me Britaninë e Madhe). Së dyti, për arsye ekonomike, për shkak të daljes së Mbretërisë së Bashkuar prej Bashkimit Europian (BREXIT), proces i cili ka krijuar situata të reja, për shkak se nga njëra anë është vendosur që Irlanda e Veriut të vazhdojë marrëdhënien e saj me R. e Irlandës njësoj si më parë e pa pengesa të tjera kufitare, nga ana tjetër pikërisht si pasojë e kësaj, pengesa janë vendosur në transportin detar mes Irlandës së Veriut e Britanisë së Madhe. Kjo gjë ka prodhuar acarimin e partive pro-britanike, të cilat kanë vendosur të hedhin në gjyq qeverinë britanike, për shkak se masat e tilla e largojnë Irlandën e Veriut nga Londra dhe e lidhin atë më fort me Dublinin dhe me Brukselin. Fenomenet e lidhura me BREXIT-in po fitojnë mbështetës për çështjen e bashkimit të Irlandës edhe në radhët e atyre që më përpara nuk ishin fort të interesuar për çështje të tilla, por që aktualisht do të zgjidhnin bashkimin irlandez për të qenë ende pjesë e BE-së, dhe të tillët shpesh janë edhe pjesë të komunitetit jokatolik (të reformuar ose protestant). E, së treti (por kjo nuk është fare më pak e rëndësishmja), rol kryesor në aktualizimin e fortë të temës së bashkimit të Irlandës luan edhe ardhja në fuqi në SHBA e presidentit Joe Biden, një politikani katolik e me origjinë irlandeze, për të cilën ka shprehur krenari. Madje, në njërin nga momentet euforikë post-zgjedhorë, kur një gazetar iu afrua jashtë protokolli, për t´i marrë ndonjë deklaratë, duke iu prezantuar si i BBC-së (e famshmja Korporatë Britanike e Transmetimit), Joe Biden në mënyrë simpatike e refuzoi pyetjen por në vend se t´i thoshte thjesht që s´kishte kohë për të marrë pyetje të tilla i tha «unë jam irlandez». Mund të jetë thjesht shaka babaxhane kjo e presidentit Biden. Por, edhe mund të mos jetë. Shakatë e një njeriu aq të fuqishëm sa presidenti i SHBA-së përmbajnë gjithnjë brenda një farë potenciali që mund të shndërrohet në realitet.

Republika e Irlandës nuk dëshiron ta lërë rastin t´i ikë. Në buxhetin për vitin 2021 qeveria e Dublinit ka vendosur të ndajë si kapitull më vete një zë të quajtur «shared island» ose «ishulli i përbashkët». Nën këtë zë buxhetor Republika e Irlandës do të shpenzojë 500 milionë euro deri në vitin 2025, për projekte që ndërlidhin dhe afrojnë dy shtetet irlandeze. Projektet do të jenë infrastrukturore, arsimore, kulturore, tregtare, të fushës së sigurisë e të mbrojtjes, të avancimit teknologjik etj. Nuk mund të mos lexohet qartë se cili është synimi i kësaj politike dhe i këtij buxheti, nga ana e Dublinit, sado që janë treguar mjaftueshëm elegantë sa për të mos e përmendur bashkimin politik të «ishullit të përbashkët».

Opinioni publik në Republikën e Irlandës gjerësisht ka qenë gjithnjë pro-bashkim, edhe pse jo të gjithë kanë qenë gati për çdo mjet, e jo të gjithë me të njëjtën zjarrmi. Derisa në Irlandën e Veriut opinioni ka qenë i ndarë (dhe vazhdon të jetë), ndërrimi i balancës demografike në favor të katolikëve dhe sidomos dalja në skenë e jokatolikëve, që nuk e kundërshtojnë bashkimin e ishullit, e rrisin shumë probabilitetin për një bashkim irlandez. Universitete e profesorë të njohur të katedrave të Dublinit, Belfastit e qyteteve të tjera kanë nisur të shqyrtojnë skenarë të mundshëm që do të çonin në bashkim, si do të dukej ai bashkim nga aspektet ekonomikë, konstitucionalë e juridikë, gjeopolitikë apo administrativë. Qysh tash duket se versioni i konfederatës nuk gëzon ndonjë mbështetje të madhe, ndërsa shteti unionist ose ai federativ janë opsionet më të përkrahura prej shumicës së komunitetit akademik. Shumëkush po përkrah idenë e një federate, e cila nuk ruan kufijtë aktualë (sepse nuk e duan memorien që përfaqësojnë ato kufij), por e ndan ishullin në tre ose pesë pjesë të tjera, me kufij të tjerë. Kjo federatë do të kishte një decentralizim të institucioneve qeveritare, duke çuar disa ministri në Belfast, disa në Dublin, e disa në qendrat e tjera, në mënyrë që të mos shndërrohej bashkimi në një provincializim të Belfastit e shndërrim të tijin në qytet të dorës së dytë.

Zhvillimin e këtij fenomeni po e ndjek me vëmendje (aq sa lejon largësia) edhe unë, me ndihmën e miqve prej atje, që më sugjerojnë burime të informacionit ose më ftojnë të përcjell lajmet, ligjëratat e diskutimet online. Me vëmendje, sepse, natyrisht, si shqiptar që dëshiron bashkimin demokratik e paqësor të Kosovës me Shqipërinë, mendoj se kemi ç´të mësojmë prej Irlandës.

Mirëpo, sado me vëmendje që po e ndjek atë proces, nuk po arrij ta kuptoj dot se cili është Pandeli Majko i Irlandës. Domethënë, nuk po arrij të gjej ndonjë politikan irlandez, i cili në të shkuarën ta ketë mbajtur veten për nacionalist, që të dalë e të thotë se bashkimit i ka ikur koha pikërisht tani kur në fakt po i vjen koha. Po ashtu, nuk gjej në diskutimin e atjeshëm argumentin naiv se dy Irlandat kanë qenë të ndara për një shekull, prandaj nuk ka kuptim të bashkohen sepse janë mësuar të jenë të ndara. As argumentin idiot se dy vota në OKB do ta ndihmonin Irlandën më shumë sesa një votë në OKB. Jo, jo, atje pozitat janë të qarta: irlandezët masivisht janë për bashkim, ndërsa minoriteti i ardhur gjatë kolonizimit britanik, i cili kryesisht është me prejardhje angleze ose skoceze, përgjithësisht ka qenë kundër, edhe pse kjo gjë po ndryshon.

Gjuha e pafuqisë që përdoret shpesh nga politikanët shqiptarë, e tipit «bashkimit i ka ikur koha» apo «bashkimin e duam, por nuk na lejohet» është gjuhë e dembelisë. Po aq dembeli është edhe gjuha e kërcënimit, kur bashkimin synojnë ta përdorin si tezë me të cilën të shantazhojnë ndërkombëtarët, me formatin «nëse Europa nuk na pranon, do të ndodhë bashkimi». Dhe, me të vërtetë, me dembeli e me gjuhën e saj, bashkimi nuk ka për të ndodhur. Dembelia është shterpë, nuk prodhon asgjë..

Bashkimi, sigurisht, nuk është as fillimi i punëve ose puna e parë që duhet bërë, po as puna e fundit ose mbarimi i punës për shqiptarët. Është një aspiratë historike, e cila thjesht romantike apo folklorike mund të jetë vetëm në mendjet e thjeshta romantike e folklorike. Por, në mendjet e cilitdo që e njeh historinë e politikën e rajonit tonë (por edhe më gjerë atë të botës), e cilitdo që mbërrin ta shohë varësinë e ekonomisë dhe të demokracisë së brendshme prej faktorëve të ndryshëm, që nga stabiliteti i shtetit e deri te balanca e fuqive, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, larg çdo patetizmi, do të ishte një kontribut i fortë për të ardhmen e vetë vendeve të interesuara, por edhe për stabilizimin e rajonit. Nuk është larg mendsh që me punë e me angazhimin e lobit shqiptar e atyre proshqiptarë në SHBA, edhe Uashingtoni të nisë të ketë interes në këtë çështje, që zgjidh shumëçka.

Faktorët politikë, ekonomikë, akademikë, kulturorë dhe shtetërorë në Irlandë, janë angazhuar dhe punojnë për ta arritur bashkimin e tyre, duke u përpjekur që të mos e lënë të pashfrytëzuar asnjë rast që u paraqitet. Në punë e sipër, gjejnë kohë edhe të vënë baste se bashkimi irlandez do të ndodhë, në mos në pesë vitet e ardhshme, në dhjetë. Ndërsa te shqiptarët, ku pandelimajkot dhe ediramët e shpallin si të vdekur në shekullin e shkuar idenë e bashkimit, në të njëjtën kohë kur shpallin si të gjallë e të shekullit të tanishëm idenë surrogate të Jugosllavisë, minishengenin, sigurisht që basti vihet se bashkimi ynë nuk do të ndodhë.

Por, gjërat kanë nisur të ndryshojnë. Rritja e madhe dhe e paprecedentë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe fitorja e Albin Kurtit në Kosovë, përbën një ndryshim të madh për shqiptarët në rajon, por edhe për çështjen e bashkimit demokratik e paqësor të Kosovës me Shqipërinë. Jo me flamurë e me daulle dasmash, as me foto me gishtat shqiponjë si në mbledhjet e shkuara ndërqeveritare, por me punë konkrete dhe me buxhet, siç po vepron Irlanda.

“Vetëm llafe janë edhe këto”, do thotë ciniku i zakonshëm dhe se “nuk ndryshon gjë Albin Kurti nga të tjerët”. Mirëpo, në ato pak javë sa ishte në pushtet, Albin Kurti, për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës dha një buxhet prej 500.000 eurosh. Ndërkaq për tetë vite me radhë qeveritë bombastike të Ramës e të Thaçit-Mustafës, kanë dhënë gjithsej nga 50.000 euro. Në tetë javë, Albin Kurti dha për Luginën dhjetë herë më shumë se ç´dhanë Tirana e Prishtina për tetë vjet. Kështu që, ciniku bën mirë të përveshë mëngët dhe t´i vihet punës. Sepse, bashkimi as nuk është larg, as nuk është i së shkuarës dhe as nuk është i rrezikshëm për askënd, për asnjë popull fqinj, për asnjë minoritet brenda nesh e, sigurisht, për askënd prej nesh, përveç dembelëve dhe atyre që kanë vënë bast për dembelinë.