` . PSG pa rivalë në Francë, Tuchel zemërohet nga ngacmimet e gazetarëve - TV SHENJA

PSG pa rivalë në Francë, Tuchel zemërohet nga ngacmimet e gazetarëve

Paris SG mposhti Lionin pas gjuajtjes së 11-metërshave në finalen e Kupës së Ligës dhe klubi kryeqytetas ia doli në këtë mënyrë për të plotësuar ciklin e fitoreve edhe për sezonin 2019-20. Një sezon i gjatë dhe i vështirë, duke patur parasysh ndërprerjen e gjatë për shkak të pandemisë së Koronavirusit, megjithatë klubi parizien konfirmoi përsëri se në Francë nuk ka ende një kundërshtar të denjë që të mund ta rivalizojë.

Rrallëherë del ndonjë skuadër që i prish punë, si për shembull në rastet e Guingampit apo Renesë që sezonin e kaluar i hoqën nga duart ekipit të drejtuar nga Thomas Tuchel respektivisht Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës, sidoqoftë, ashtu si edhe në vitin 2018, Paris SG arriti ta mbyllë sezonin në këtë vend me katër trofe, duke fituar gjithçka mund të fitohej. Një marshim i gjatë që nisi në fillimin e gushtit të vitit të kaluar me Trofeun e Kampionëve apo Superkupën e fituar në Lindjen e Largët, në Shenzhen të Kinës ndaj Renesë, ndërsa pas kampionatit ekipi parizien ia doli të triumfonte në harkun e vetëm 8 ditëve gjithashtu edhe në dy aktivitetet e fundit, që ishin shtyrë për shkak të izolimit dhe masave të forta shtrënguese që u morën nga qeveria franceze për të frenuar përhapjen e virusit COVID-19.

Të dy takimet u zhvilluan në kryeqytet, në Saint – Denis dhe pas fitores minimale ndaj Saint Etienne, ku u dëmtua Kylian Mbappe, pavarësisht vështirësive skuadra pariziene mundi gjithashtu edhe ekipin e Rudi Garsisë, e për pasojë një klub si Lioni do të mungojë në Kupat e Evropës për herë të parë pas pothuajse cerek shekulli, më saktë që nga viti i largët 1997.

Pas ndeshjes trajneri Thomas Tuchel u shfaq tepër i kënaqur për suksesin e skuadrës së tij. 46-vjeçari gjerman, që u emërua si trajner i klubit më të mirë francez në majin e vitit 2018, kur zëvendësoi spanjollin Unai Emery, deklaroi se ndihet krenar për ekipin e tij. Trajneri shvab e humbi shpejt qetësinë, kur u pyet nga njëri prej gazetarëve në lidhje me rendimentin e ulët sa i përket shënimit të golave. Ekipi parizien e mbylli sezonin e shkurtuar në “Le Championnat” me vetëm tri humbje gjithsej, me Rennes dhe Dijon jashtë fushe, si dhe me Reimsin në shtëpi, duke grumbulluar 68 pikë në 27 ndeshje, me 75 gola të shënuar dhe 24 të pësuar, sidoqoftë kjo skuadër ia doli të gjente rrjetën vetëm një herë në 210’, në dy sfidat e fundit me kundërshtarë si St. Etienne dhe Lyon. Tuchel shpërtheu me zemërim duke ironizuar me gazetarin se skuadra e tij nuk ka kuaklitetin e duhur, por fiton në sajë të fatit. Trajneri gjerman shtoi se në futboll janë gjëra që ndodhin, madje Tuchel kujtoi edhe disfatën e rëndë 3-0 që Liverpooli pësoi në Camp Nou ndaj Barcelonës, pavarësisht lojës shumë të mirë të bërë nga “të kuqtë”, duke kujtuar se pavarësisht rezultatit të atij takim ekipi nga Merseyside fitoi Champions League-n.

46-vjeçari theksoi se në futboll është e pamundur për të shënuar nga 4 apo 5 gola në çdo ndeshje, madje ai sulmoi gazetarin duke shpjeguar se pavarësisht 99 pikave pozitive që mund të ketë skuadra e tij përmendet përherë 1% që mbetet, për të gjetur gjithmonë diçka negative.

Paris SG nuk e ka përfunduar akoma sezonin, sepse, siç dihet, më datë 12 gusht, në Stadiumin “da Luz” të Lisbonës klubi i famshëm francez do të matë forcat me një ndër skuadrat më simpatike të Kontinentit të Vjetër, Atalantën e Gian Piero Gasperinit. Tuchel qartësoi se ekipi bergamask e ka ritmin e duhur, ndërsa skuadra e tij ka zhvilluar vetëm dy ndeshje zyrtare. Trajneri gjerman kujtoi stilin e veçantë të ekipit zikaltër, duke e konsideruar Atalantën si një kundërshtar tepër të fortë. Ai tha se gjatë kësaj kohe nuk është marrë fare me ekipin italian, por thjesht është munduar të përqëndrohet vetëm te kundërshtarët e radhës, pra St. Etienne dhe Lyoni.

I pyetur për mbrojtësin spanjoll Juan Bernat Tuchel qartësoi se javën e ardhshme ekipi parizien do të përballet në një takim miqësor me skuadrën e Sochaux dhe ai shpreson që ta ketë edhe 27-vjeçarin valencian në dispozicion, për të parë më mirë gjendjen e vërtetë të lojtarit si dhe për të kuptuar nëse futbollisti i ardhur nga Bayerni është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi, apo jo. Juan Bernat u dëmtua në pjesën e pulpës që në mesin e muajit shkurt dhe është në dyshim për duelin me Atalantën, sidoqoftë Paris SG në takimin çerekfinal të Championsit me shumë gjasa do t’i mungojë sulmuesi kryesor Kylian Mbappe, ndërsa në krahun tjetër Gasperini nuk do të ketë në dispozicion futbollistin slloven Josip Ilicic.