PSG, gati t’i rinovojë kontratën shtatë herë fituesit të Topit të Artë

PSG, gati t’i rinovojë kontratën shtatë herë fituesit të Topit të Artë

Pas rinovimit të kontratës së Kylian Mbappesë, pikërisht në momentin kur të gjithë e menduan lojtar të Realit të Madridit, PSG tashmë ka nisur të mendojë edhe për zgjatjen e kontratës së Lionel Messit.

E përditshmja spanjolle Marca shkruan se kampionët e Francës duan ta mbajnë “Pleshtin” të paktën deri në vitin 2024,

Po sipas Marca-s, klubi pariziean, i cili ditët e fundit zëvendësoi trajnerin Mauricio Pochettino me Christophe Galtier, nuk ka formuluar ende një ofertë zyrtare për lojtarin. Pavarësisht kësaj, besimi që rrjedh nga disa burime shumë të afërta me klubin kampion francez është se pas një sezoni të parë përshtatjeje, Messi është gati dhe i motivuar për të përballuar të gjitha sfidat që do të ketë përpara, nga Championsi deri te Kupa e Botës “Katar 2022” me Argjentinën e tij.

Pasi kaloi pushimet në Ibiza me familjen e tij, duke festuar gjithashtu ditëlindjen në shoqërinë e miqve të mëdhenj, Luis Suarez dhe Cesc Fàbregas, dhe shokët e tjerë të kombëtares, Leo rifilloi stërvitjen në qendrën sportive të skuadrës tashmë më 5 korrik, gati një javë më herët.