“Pse kaq negativitet ndaj CR7?”, Ozil: Akoma prisni të shënojë nga 50 gola?!

“Pse kaq negativitet ndaj CR7?”, Ozil: Akoma prisni të shënojë nga 50 gola?!

Mesut Ozil ka shkruar tri statuse në Twitter në lidhje me situatën e Cristiano Ronaldos. Fantazisti gjerman me origjinë turke, ka luajtur dhe fituar së bashku me legjendën portugeze te Reali i Madridit.

Raporti mes tyre ka qenë fantastik, ndërkohë që Ozil kërkon më shumë respekt për golashënuesin më të mirë të historisë së futbollit.

“Unë nuk mendoj se dikush nga brezi i ri do të jetë në gjendje të përsërisë numrat e tij. Të gjithë duhet të tregojnë më shumë respekt për një nga sportistët më të mëdhenj në historinë e sportit… Ai do të jetë gjithmonë i një tjetër niveli.
Ai do të mbushë së shpejti 38 vjeç, pra çfarë është surprizë, fakti që nuk shënon më 50 gola në sezon? Çdo tifoz futbolli duhet të jetë i lumtur që e ka parë atë duke luajtur futboll të klasit botëror për 20 vite.

Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se nga vjen gjithë ky negativitet i vazhdueshëm nga shtypi për Cristianon… Mediet thjesht po përpiqen të marrin klikime.

Edhe ekspertët që nuk kanë më një karrierë, thjesht duan të tërheqin vëmendjen me emrin e tij të madh duke u përpjekur ta bëjnë të duket keq”, shkruan Ozil, i cili u shpall kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014.