Pse Gjermania ka nevojë më shumë se kurrë për Kinën

Pse Gjermania ka nevojë më shumë se kurrë për Kinën

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Kinë mëngjesin e së premtes me një ekip drejtuesish të lartë dhe një mesazh të qartë – “biznesi me ekonominë e dytë më të madhe në botë duhet të vazhdojë”. Kur merret parasysh pengesa e ekonomisë gjermane, është e qartë pse Scholzi dëshiron bashkëpunim me Pekinin, pozicioni gjeopolitik i të cilit aktualisht nuk është i favorshëm, shkruan CNN.

Scholzi u takua me liderin kinez Xi Jinping dhe kancelari gjerman pritet të takohet me kryeministrin Li Keqiang. Scholzi shoqërohej nga një delegacion prej 12 industrialësh gjermanë, duke përfshirë shefin e Volkswagenit, Deutsche Bankit, Siemensit dhe gjigantin kimik BASF. Ata do të takohen me kompanitë kineze me dyer të mbyllura.

Vizita e liderit gjerman është vizita e parë e liderit të një vendi të G7-s në tre vjetët e fundit dhe vjen në një kohë kur Gjermania po rrëshqet në recesion. Për shkak të një situate të tillë, interesat ekonomike të ekonomisë më të madhe të Evropës priren të mbeten të lidhura ngushtë me interesat e Pekinit, pavarësisht pozicionit negativ gjeopolitik të Kinës.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së po përkeqësohen dhe Pekini kohët e fundit deklaroi se miqësia e tij me Rusinë “nuk ka kufij”. Megjithatë, Gjermania nuk është në gjendje të distancohet nga Kina, ndërsa lufton për të ringjallur ekonominë e saj “të sëmurë”. Për shkak të kësaj, disa në qeverinë e koalicionit të Scholzit janë gjithnjë e më nervozë dhe thellimi i lidhjeve midis Berlinit dhe Pekinit nuk do t’i qetësojë partnerët e Scholzit.

Tensioni është theksuar kohët e fundit nga një debat i nxehtë mbi një ofertë të gjigantit shtetëror kinez të transportit Cosco për të blerë 35 për qind të aksioneve në operatorin e një prej katër terminaleve në portin e Hamburgut. Nën presionin e disa anëtarëve të qeverisë, madhësia e investimit u kufizua në 24.9 për qind. Marrëveshja e mundshme ka ngritur shqetësime në Gjermani se lidhjet më të ngushta me Kinën do ta linin infrastrukturën kritike të ekspozuar ndaj presionit politik nga Pekini dhe do të përfitonin në mënyrë disproporcionale kompanitë kineze.

Megjithatë, që nga pushtimi i Ukrainës këtë vit, Gjermania është detyruar të heqë dorë nga varësia e saj e gjatë nga burimet ruse të energjisë dhe si rrjedhojë ka probleme të mëdha. Konsumatorët dhe kompanitë e tyre kanë mbajtur peshën kryesore të krizës energjetike evropiane, një recesion i thellë po afrohet dhe çdo bashkëpunim, qoftë edhe me Kinën, është i mirëpritur.

Drejtoresha e Qendrës për Ekonominë Ndërkombëtare, Lisandra Fiach, ka thënë se ndarja e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë nga Kina do të çonte në “humbje të mëdha të PBB-së” për ekonominë gjermane. Instituti i Kinës vlerëson se një reduktim i tregtisë midis BE-së dhe Kinës do të reduktonte GDP-në e Gjermanisë me një për qind. Gjermania nuk do të dëshirojë ta humbasë këtë treg.