Protokolli dhe fajtorët kujdestarë

Protokolli dhe fajtorët kujdestarë

Këtu është ushtruar dhunë shtetërore dhe është protestuar kundër arsimit shqip me parullën “dhoma gazi për shqiptarët”. Është protestuar kundër ndërrimit të emrit të shtetit me të njëjtën parullë. U protestua kundër Protokollit me Bullgarinë dhe sërish nuk munguan britmat e atyre që kërkonin vrasjen në masë të shqiptarëve. Gjuha e urrejtjes dhe veprimet që shkaktojnë tensione ndëretnike janë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, ndonëse do të duhej të ishin të tejkaluara.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Për Maqedoninë janë grindur shumë mëtues, prandaj fuqitë e mëdha filluan ta trajtojnë si problem europian dhe ta kenë nën përkujdesje. Përkundër parashikimeve të zymta, shteti i themeluar pas shpërbërjes së RSFJ, që tani quhet Maqedonia e Veriut, arriti të mbijetonte. Jo për mençurinë e elitave politike të këtushme, por falë përkujdesjes së fuqive e mëdha, që nuk donin të cenoheshin ekuilibrat rajonalë, siç kishte ndodhur në të kaluarën.

Anëtarësimi në NATO dhe çelja e negociatave për anëtarësim në BE janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë së Veriut. Ata që nuk i mirëpritën këto dy ngjarje janë kundër këtij shteti.

Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se shtetet me këtë status dhe që i kanë kryer detyrimet e parapara, shënuan përparim të madh në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, tani e tutje, do të përballen me shumë sfida. Rruga drejt anëtarësimit nuk do të jetë e lehtë. Në të dy vendet janë krijuar klasa politike që i kanë keqpërdorur fondet publike dhe janë pasuruar nëpërmjet tyre. Politikanët e lidhur me oligarkët grykës nuk e duan integrimin europian. Janë si ujqit që duan mjegull. E duan një botë pa rregulla.

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë edhe ndryshime kushtetuese. Ato refuzohen nga qarqet që duan ta pengojnë procesin e integrimit europian. Ndryshimet kushtetuese duhet t’i përfshijnë jo vetëm kërkesat bullgare, por nga kushtetuta duhet të hiqet formulimi përçmues për “popullin mbi 20 për qind”. Partitë politike shqiptare nuk duhet të lejojnë që shqiptarët të jenë popull pa emër, edhe pse elitave që deklarohen si nacionaliste më pak u pengon ndryshimi i kushtetutës për shkak të kërkesave të Bullgarisë sesa heqja e këtij formulimi përçmues.

 

*          *          *

 

Në RMV ka qarqe që shqiptarët i projektojnë si “fajtorë kujdestarë” ose “si armiq të brendshëm”. Ashtu si në periudhën komuniste.

Lëvizjet e shqiptarëve për të drejta kombëtare këtu janë shtypur me dhunë. Pushtetet kanë nxitur përplasje ndëretnike për të heshtur afera të mëdha. Këtë metodë e praktikuan LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Këtu është ushtruar dhunë shtetërore dhe është protestuar kundër arsimit shqip me parullën “dhoma gazi për shqiptarët”. Është protestuar kundër ndërrimit të emrit të shtetit me të njëjtën parullë. U protestua kundër Protokollit me Bullgarinë dhe sërish nuk munguan britmat e atyre që kërkonin vrasjen në masë të shqiptarëve. Gjuha e urrejtjes dhe veprimet që shkaktojnë tensione ndëretnike janë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, ndonëse do të duhej të ishin të tejkaluara.

Kësi manifestimesh të rrezikshme nuk shprehen vetëm nga turma, por edhe nga elitat intelektuale. “Enciklopedia” është shembull se këto elita nuk e durojnë diversitetin etnik e kulturor. Tekstet shkollore i provojnë këto qëllime të mbrapshta, por e provojnë edhe paaftësinë e politikanëve shqiptarë.

Ndryshe nga qarqet nacionaliste maqedonase, “të moderuarit” donin t’i bindin (në fakt t’i mashtronin) shqiptarët se kërkesat kombëtare janë anakronike. Sipas tyre, qytetarët nuk duhej më të identifikoheshin nëpërmjet identitetit kolektiv, por atij personal. Ndërkaq, identitetin kolektiv të tyre ngulmonin që ta mbronin me institucione, ligje e kushtetutë.  Hilet i kanë gëlltitur “tëmoderuarit” shqiptarë. Ata, që të duken “mendjehapur”, e përçmojnë kombin e tyre. Shprehin snobizëm të pështirë. Pasi kanë vetëdije robi, duan ta lartësojnë veten duke e përçmuar identitetin e tyre kolektiv.

 

*          *          *

 

Përse sërish luhet me kartën e nacionalizmit? Sepse përvoja ka dëshmuar që në këtë shoqëri zgjedhjet fitohen me parulla nacionaliste. Mjerisht, shqiptari ende projektohet si “qytetar i rendit të dytë”, që nuk duhet të ketë të drejtë reagimi ndaj “padronëve” të shtetit.

Praktika, gjithashtu, ka dëshmuar se ata që udhëheqin politikë nacionaliste bëhen qyqarë kur e humbin pushtetin. Politikanët, që tani përballen me drejtësinë, për shkak të keqpërdorimeve financiare, sillen si qyqarë para organeve të drejtësisë. Njëri që deklarohej se ishte i gatshëm të vetëflijohej për Maqedoninë, iku në Hungari. Por, qyqarët kanë një ves të keq. Ata sillen si lepuj kur zihen ngushtë dhe bëhen luanë kur kanë pushtet. Veçanërisht në raport me shqiptarët dhe për fajin e shqiptarëve. Tani janë trimëruar dhe u janë rikthyer deklaratave që nxisin urrejtje ndëretnike.

Partia më e madhe opozitare problemin me Bullgarinë e ndërlidh me shqiptarët. “Protokolli kapitullues”, sipas Hristijan Mickovskit, vetëm Shqipërisë ia çel dyert për negociata, por jo edhe Maqedonisë së Veriut “që do të përballet me sfida”. Sfidat mund të lindin nëse kjo parti i pengon ndryshimet kushtetuese. Sipas kësaj qasjeje, në këtë proces paska fituar vetëm Shqipëria dhe paska humbur Maqedonia e Veriut.

Edhe analistë e aktorë të skenës politike tentojnë që t’i futin shqiptarët në indeksin e “fajtorëve kujdestarë”.

Një aktiviste e “moderuar”, pasi e quajti “të tmerrshëm”, “përçmues”, “të papranueshëm”, “të turpshëm” Protokollin me Bullgarinë, shtoi se atë “nuk do të duhej ta firmoste asnjë ministër nga Maqedonia e Veriut”, e “më së paku një shqiptar etnik”. Pra, problemin e fokuson te shqiptarët.

Liderthi i një partie minore tha se “shqiptarët, duke i tradhtuar maqedonasit, e tradhtuan nderin dhe fytyrën e tyre, nëse ndonjëherë i kanë pasur!”.

Qëndrimet e këtilla antieuropiane as nuk i fshehin qarqet që nuk e duan RMV-në si gjithë Europa, sepse busulla e tyre është e orientuar në drejtim tjetër. Nuk është rastësi që sa herë ky shtet ka qenë pranë integrimit në NATO dhe BE, aty janë nxitur trazira e protesta.