Protestat e “jelekëve të verdhë” në Francë, 18 të arrestuar

Protestat e “jelekëve të verdhë” në Francë, 18 të arrestuar

Demonstruesit e lëvizjes së “jelekëve të verdhë” dolën në rrugët e Parisit dhe në ato të pjesëve të ndryshme të Francës në të shtunën e tetë me radhë në të cilën shprehin revoltën e tyre ndaj presidentit francez, Emanuel Macron, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi në rrugët e Parisit filloj qetë, por më vonë u shndërrua në dhunë e cila shpërtheu në kohën kur protestuesit filluan të hedhin gurë mbi postbllokun e policisë mbi lumin Sena.

Si kundërpërgjigje, policia përdori gaz lotsjellës në mënyrë që të ndalojë protestuesit në përpjekjen për të arritur te ndërtesa e Parlamentit.

Në Bulevardin Saint-Germain, protestuesit u vunë zjarr disa automjeteve.

Përleshje mes demonstruesve dhe policisë kishte edhe në qytetin e Nantit, ku të paktën një person u plagos rëndë.

Sipas të dhënave të policisë franceze, në demonstratat e fundit kanë marrë pjesë rreth 25.000 njerëz, nga të cilët rreth 3.500 në Paris.

Si pasojë e dhunës, policia thotë se ka arrestuar 18 persona.

Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin e Parisit, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në protesta gjatë periudhës 17 nëntor-17 dhjetor kanë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 1.000 të tjerë janë plagosur, mbi 4.500 janë ndaluar dhe 216 janë arrestuar.