` . Protagonist në përmbysjen e Werderit, Rashica në formacionin e javës - TV SHENJA

Protagonist në përmbysjen e Werderit, Rashica në formacionin e javës

Fitorja e rëndësishme e Werder Bremenit në kampionat ndaj Eintracht Frankfurt me përmbysje, që ishte edhe tejet e rëndësishme për t’u shkëputur nga zona e ftohta dhe mbi të gjitha loja e shprehur dhe impakti që pati në këtë sukses, i siguruan Milot Rashicës një vend në formacionin titullar të javës në Bundesligën gjermane.

Futbollisti Dardan u vlerësua me notën 8.2 dhe u vendos në majën e sulmit të formacionit bashkë me Robert Lewandowskin, që si zakonisht ishte udhëheqësi i Bayernit të Mynihut në suksesin ndaj Kolnit. Në ndeshjen e zhvilluar të premten, Rashica luajti 86 minuta në suksesin ndaj jeshilëve dhe me lojën e tij ndikoi në përmbysjen e Werderit ndaj Eintrachtit duke qenë frymëzues për skuadrën përpara.

Madje Rashica në minutën e 35-të iu afrua edhe vetë shumë golit teksa goditi edhe shtyllën, duke shtyrë gjithmonë Werder Bremenin në fazën e sulmit. Përveç Rashicës dhe Lewandowskit, që formojnë majën e sulmit, në rreshtimin në formacionin më të mirë janë përzgjedhur gjithashtu dhe emra të tjerë të rëndësishëm si Sule në mbrojtje apo Goretzka në mesfushë, ndërsa dardani ishte i vetmi i përzgjedhur i ekipit të tij në këtë formacion jave, pavarësisht se nuk mundi të shënonte dot vetë.