Propozim-buxheti për vitin 2023 në seancë qeveritare

Propozim-buxheti për vitin 2023 në seancë qeveritare

 Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 98-të, në rend dite të së cilës është Propozim-buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

Muajin e kaluar, në kolumnë ministri i Financave, Fatmir Besimi paralajmëroi se deficiti buxhetor do të vazhdojë të ngushtohet dhe me buxhetin e ri për vitin 2023, me çka shkohet me konsolidim gradual fiskal.

Në kolumnë Besimi thekson se vitin e ardhshëm skadojnë edhe obligimet e vjetra në vlerë prej 800 milionë euro, ndër të cilat edhe eurobondi prej 450 milionë eurosh të emetuar në vitin 2016. Interesat për vitin e ardhshëm janë rreth 240 milionë euro, ose totali i borxhit së bashku me kamatat i kalon një miliard euro.

“Megjithatë, duke i pasur parasysh të gjitha masat që po planifikojmë në drejtim të konsolidimit fiskal, mbetemi në rrugën e uljes graduale të deficitit. Sipas kontureve të buxhetit për vitin e ardhshëm, deficiti fiskal po ngushtohet gradualisht për të përmbushur objektivat afatmesëm. Pritjet për vitin e ardhshëm janë që deficiti buxhetor të zvogëlohet në krahasim me këtë vit, që do të thotë se do të vazhdojmë ta zvogëlojmë deficitin për të tretin vit radhazi pas vitit 2020, gjegjësisht pas krizës së Kovid-it”, shkruan Besimi në kolumnë.

Në periudhën afatmesme, siç thekson ai, ka ende disa barriera që duhen kapërcyer sa i përket financimit të detyrimeve të prapambetura, në radhë të parë të detyrimeve të akumuluara gjatë krizës së Covid-it, por, thotë ai, me një qasje të moderuar dhe përzierjen e kursimeve dhe menaxhimin e politikave të përshtatshme që do të stimulojnë rritjen dhe rrisin të ardhurat, do t’i kapërcejmë edhe ato.

Sipas Besimit, gjithçka shkon me konsolidim gradual fiskal, i cili do ta mbështesë rritjen ekonomike. Miksi, siç thekson , përbëhet nga përmirësimi i pagesës së ardhurave buxhetore përmes forcimit të kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e shërbimeve të DAP-it dhe Doganës, masat për reduktimin e ekonomisë gri dhe reformën tatimore, reduktimin dhe ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore, uljen e shpenzimeve vijuese, mbështetje më e madhe për sektorin privat, mbështetje për inovacionin dhe forcimin e konkurrencës, rishikimin e metodologjive të transfertave dhe subvencioneve dhe ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor, riprogramimin e borxhit publik, diversifikimin më të madh të burimeve të financimit të deficitit, por edhe financimi dhe realizimi i projekteve të caktuara përmes partneriteteve publiko-private, Fondi i Zhvillimit për investime strategjike dhe mobilizimi i kapitalit financiar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe sektori privat.