Prodhuesit e njohur synojnë të investojnë 300 miliardë dollarë për automjetet elektrike

Prodhuesit e njohur synojnë të investojnë 300 miliardë dollarë për automjetet elektrike

Prodhuesit e veturave planifikojnë të rrisin investimet në teknologjinë e automjeteve elektrike për 300 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme, dhe gati gjysma e kësaj shume do të kanalizohet në Kinë.

Shpenzimet kapitale të pashembullta janë ushqyer kryesisht nga përpjekjet e qeverisë kineze për të reduktuar emetimet e dyoksidit të karbonit.

Kina dhe vendet e tjera vendosin kufizime shtesë për motorët benzinë dhe naftë, kështu që kompanitë kanë përshpejtuar procesin e kalimit në automjetet elektrike.

Kështu, një vit më parë, prodhuesit njoftuan se po planifikonin të investonin 90 miliardë dollarë në zhvillimin e automjeteve elektrike.

Ndërkohë, kjo shifër është rritur në 300 miliardë dollarë për të krijuar kushte për prodhimin masiv të automjeteve elektrike në Kinë, Evropë dhe Amerikën e Veriut, transmeton KosovaPress. Shuma tejkalon vlerën e aktiviteteve ekonomike në Egjipt dhe Kili, thuhet në analizën e Reutersit.

Agjencia arriti këtë shifër duke analizuar buxhetin e investimeve dhe prokurimeve publike të njoftuara nga 29 prodhuesit kryesorë të automobilave në botë gjatë dy viteve të fundit, kryesisht nga SHBA, Kina, Japonia, Koreja e Jugut, India, Gjermania dhe Franca.

Analiza nuk përfshin ndonjë investim të lidhur me furnizuesit në industrinë e automobilave, kompanitë e teknologjisë dhe kompanitë e mëdha në sektorë të tjerë, nga energjia përmes aviacionit deri tek elektronika dhe telekomunikacionet, thuhet në raport.