` . Proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në RP të Maqedonisë (1946-1966) - TV SHENJA

Proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në RP të Maqedonisë (1946-1966)

Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare nga ana e UDB-së vinte për shkak se, siç thuhej në një dokument, “pjesa dërmuese e saj rrjedh nga shtresa konservatore”, përkatësisht “qarqet fetare, tregtare etj.”; prandaj te ajo kemi “shtrembërime ideore, si dhe dukuri të ndryshme armiqësore”, të përqendruara kryesisht ndaj këtyre çështjeve: “kërkesa që në shkollat shqipe të mësohet historia nacionale shqiptare; kërkesa që të hapen shkolla të mesme-profesionale në gjuhën shqipe; rezistenca ndaj krijimit të shkollave të përziera me motivacion se të njëjtat çojnë drejt asimilimit të popullatës shqiptare… etj”, thuhet, veç tjerash në këtë dokument.

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Siç është e njohur, faktori politik shqiptar në vitin 2016 hartoi një Platformë, në të cilën ndër të tjerave nga partitë politike maqedonase, në radhë të parë nga LSDM-ja, si trashëgimtare e ish Partisë (Lidhjes) Komuniste të Maqedonisë, u kërkua që shqiptarëve, në përgjithësi, së paku t’u kërkojë falje publike për krimet komuniste të kryera kundër tyre deri në vitin 1956. Ndaj kësaj pike pati reagime dhe mospajtime të shumta nga ana e strukturave politike, institucionet shtetërore dhe të shoqatat civile maqedonase, sepse sipas botëkuptimeve të tyre një kërkesë e tillë “është e paqëndrueshme”, ngase siç do të shprehen “të gjitha ato krime janë kryer nga udhëheqja komuniste jugosllave”, e jo nga “shteti i Maqedonisë”, sepse një “Maqedonia asaj kohe as që kishte shtetësi e tillë”. Po t’i hedhim një sy vendimit të mbledhjes së parë e KAÇKM-së, të mbajtur më 2 gusht 1944 në manastirin Prohor Pçinski, me të cilin Maqedonia u shpall “shet i popullit maqedonas” dhe me “dëshirën dhe vullnetin e përfaqësuesve të popullit (maqedonas – Q.L.) i bashkëngjitet federatës jugosllave”, atëherë del se përgjegjësia për të gjitha ato krime të kryera kundër shqiptarëve brenda territorit të Maqedonisë i bie udhëheqjes së atëhershme republikane e partiake maqedonase. Përveç kësaj, edhe PKM-ja, si parti diktatoriale, i pati organet e veta të pavarura, siç ishin Komiteti Qendror dhe Byroja Politike. Zaten, tërë ajo politikë antishqiptare që u zbatua deri në korrik të vitit 1966 dirigjohej nga dueti i mirënjohur maqedonas Kolishevski & Cërvenkovski, të cilët ishin në krye të P(L)KM-së.

Nisur nga ajo se muajin e kaluar në Maqedoni u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe në pritje është formimi i qeverisë së re, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës SHENJA të bëjmë një përshkrim kronologjik të proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Maqedoni të zhvilluara në harkun kohor 1946-1966, në të cilat në bankën e të akuzuarve ka qenë elita e atëhershme intelektuale e nacionaliste shqiptare. Kuptohet, me këtë nuk pretendohet zbardhja e plotë e krimit komunist jugosllavo-maqedonas, sepse për këtë nevojitet një studim shumë më i plotë dhe më gjithëpërfshirës, por vetëm një kujtesë për faktorin politik shqiptar për premtimet publike të shtruara në Platformën e vitit 2016.

Është e njohur botërisht se me ripushtimin e tokave shqiptare nga njësitë ushtarake komuniste jugosllave-maqedonase (nëntor-dhjetor 1944), burgjet jugosllave qenë stërmbushur me figura të shquara politike e ushtarake shqiptare. Ndër burgjet më të njohura komuniste jugosllave pa dyshim se duhet veçuar burgun e Idrizovës së Shkupit. Në këtë shtëpi ndëshkuese korrektuese gjatë vitit 1945 u dërguan për vuajtje të dënimit një numër i madh i të burgosurve politikë shqiptarë, figura të shquara të dijes e të pushkës, të cilët gjyqet e atëhershme komuniste jugosllave i kishin dënuar gjoja se ata kishin “bashkëpunuar” me pushtuesit nazifashist, e të cilët konsideroheshin si ballistë. Ata, në fakt, ishin nacionalistë të shquar shqiptarë, të cilët nuk kishin pranuar që tokat shqiptare sërish të ripushtoheshin nga jugosllavët. Prandaj ata gjatë viteve 1943-1944 ishin rreshtuar në organizatën e Lidhjes II të Prizrenit, në kuadër të së cilës vepronin njësi të armatosura vullnetare, të cilat ndryshe njiheshin si “forca kreshnike”. Ndër personalitet më të shquara të këtij grupimi politik ishin: Skender Kadriu-Presheva, Emin Roshi, Gajur Deralla, Hasan Deralla, hoxhë Sherif Jashar Sherifi nga Manastiri, Ibrahim Labënishti, Sami Jakupi, Nezir Beluli, Rushan Hoda, Abdyl Dervishi, Vedat Bekçe e shumë të tjerë.

 

Procesi gjyqësor kundër tre veprimtarëve të Lidhjes II të Prizrenit

 

Pas një procesi të mundimshëm e të stërzgjatur hetimor, në vjeshtën e vitit 1946 në Shkup u mbajt procesi gjyqësor kundër tre nacionalistëve shqiptarë nga Pollogu, veprimtarë të shquar të Lidhjes II të Prizrenit: Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Munir Abdyrrahman Ismaili dhe Rexhep Sejdi Rexhepi. Procesi gjyqësor kundër tyre u mbajt më 30 tetor 1946 në Gjykatën e Qarkut të Shkupit. Kjo gjykatë, pasi i shpalli fajtorë, ua shqiptoi këto dënime: i akuzuari i parë, Idriz Ibrahimi-Cërcëri, u dënua me 7 vjet privim nga liria, i akuzuari i dytë, Munyr Abdurrahman Ismaili, u dënua me 6 muaj privim nga liria dhe i akuzuari i tretë, Rexhep Sejdi Rexhepi, me 20 vjet privim nga liria. Ky i fundit, me vendimin K.Zh. Nr. 197/46 të datës 13 shkurt 1947 të Gjykatës Supreme të RS të Maqedonisë u dënua me dënimin maksimal – vdekje pushkatim. Pasi formalisht qenë kryer të gjitha procedurat ligjore, Rexhep Sejdi Rexhepi u pushkatua më datë 29 mars 1947 në orën 23,00 “në vendin e caktuar” nga ana e komisionit për zbatimin e vendimit në krye me Risto Bozhinovskin, Jovan Dukovskin dhe Gjorgji Gavrillskin.

 

Proceset gjyqësore kundër anëtarëve të Nacional Demokratike Shqiptare

 

Më 26 janar të vitit 1947 në Shkup filloi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (KQ të NDSH-së). Procesi u mbajt në sallën e madhe të Gjyqit të Qarkut të Shkupit me këtë përbërje: Panta Marina – kryetar, anëtarë të porotës Tekija Aliti dhe Vejsel Limani dhe procesmbajtësi Borçe Cvetkovski. Rëndësi të jashtëzakonshme këtij gjykimi i dhanë shtetet perëndimore, në radhë të parë Britania e Madhe, e cila e kishte autorizuar konsullin e vet në Shkup, Xhorxh Bruton, të merrte pjesë në seancat gjyqësore. Po ashtu në ato seanca mori pjesë edhe konsulli turk, Emin Vefa Geçek. Procesi gjyqësor u përcoll nga agjencitë e shumta telegrafike vendore e ndërkombëtare, si Tanjug, ATSH, Frans Press, Rojters, si dhe shtypi jugosllav dhe ai shqiptar: “Borba”, “Nova Makedonija”, “Flaka e Vllazërimit”, “Rilindja”, “Bashkimi” etj., të cilat si lajm kryesor e kishin procesin gjyqësor që po zhvillohej në Shkup.

Në informatat e përditshme të shtypit komunist jugosllav dhe shqiptar organizata kombëtare shqiptare NDSH etiketohej si një organizatë “terroriste”, “monarko-fashiste” etj., madje në këto shkrime kritikohej ashpër edhe politika anglo-amerikane dhe ajo turke. Gazeta “Borba”, organ i KQ PKJ-së, me 27 janar 1947, me shkronja të mëdha shkruante: “Organizata terroriste, e ashtuquajtura Nacional Demokratike Shqiptare, me dirigjimin e ndërkombëtarëve ka vepruar për shkëputjen e Kosovës, Metohisë dhe Maqedonisë Perëndimore nga Jugosllavia”. Sipas saj, kjo organizatë, ka vepruar “edhe për rrënimin e regjimit ekzistues në Jugosllavi dhe në Shqipëri”. Në një numër tjetër po kjo gazetë shkruante se: “Gjenerali Hodgson, shef i Misionit Ushtarak Britanik në Tiranë, i ka njoftuar ballistët se në rast të një kryengritjeje të suksesshme, do t’ju ndihmojë me armatim nga Anglia, si dhe përkrahje politike, e cila do të funksionojë në shtypjen kundër Jugosllavisë.”. Po kështu shkruante edhe gazeta maqedonase “Nova Makedonija”, organ i “Frontit Popullor” të Maqedonisë, ndërsa dy gazetat shqipe, “Flaka e Vllaznimit” , që botohej në Shkup, dhe “Rilindja” në Prishtinë, bënin përkthimin e shkrimeve që botoheshin nga dy gazetat e mësipërme jugosllave.

Me 7 shkurt 1947 u lexuan dënimet, të cilat u ekzekutuan në sheshin e qytetit të Shkupit, ku ishte tubuar një numër i madh i popullatës për t’i dëgjuar vendimet e gjyqit. Kryetari i gjyqit, në prani të jurisë, mbrojtësit formal dhe Prokurorit Publik, njoftoi se Gjyqi i Qarkut “pas tetë ditë seance solli vendim me të cilin 19 të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe ndaj tyre u shqiptuan këto dënime: Qemal Skenderi u dënua me vdekje-pushkatim; Azem Marana me vdekje-pushkatim, Mexhit Haki Zyberi u dënua me 10 vjet heqje lirie; Hasan Billali me 20 vjet; Mahmud Dumani me 4 vjet; Hysni Rudi me vdekje-pushkatim; Mehmed Bushi me vdekje-pushkatim; Hajdar Kurtish Jashari (Mulla Hajdari) me 12 vjet heqje lirie; Osman Cami me 15 vjet; Jonuz Balla me 8 vjet; Nazmi Emin Azemi me 4 vjet; Dr. Qeram Zllatku me 20 vjet, Spiro Harilla Theodosi me 3 vjet; Xhavit Abdulla Selimi me 6 vjet; Galip Rauf me 6 vjet, Xhamal Fezli Kasami me 15 vjet; Medat Tërshana me 18 vjet, Gani bej Mehmed Abdullau me 2 vjet dhe Sherif Mehmed Aliti me 2 vjet heqje lirie.

Është me rëndësi të theksohet se lënda e katër të akuzuarve me vdekje u shqyrtua në Presidiumin e Kuvendit Popullor të RFPJ-së. Кy organ, më i larti i federatës jugosllave, në mbledhjen e mbajtur me 7 mars 1947, nën udhëheqjen e Ivo Llolla Ribarit, solli vendim me të cilin u pranua lutja e Qemal Skënderit, i cili ishte i akuzuari i parë, me çka dënimi me vdekje-pushkatim i zëvendësohet në dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 vjetëve, ndërsa u refuzuan lutjet e Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit. Për një vendim të tillë nga ana e Presidiumit, Ministria e Drejtësisë e RP së Maqedonisë më 15 maj 1947 e njoftoi Gjyqin e Qarkut në Shkup, ndërsa ky i fundit me 16 maj,nëpërmjet një shkrese i drejtohet MPB të RP të Maqedonisë, me të cilën lejohej realizimi i vendimit me vdekje-pushkatim. Për rrjedhojë, komisioni për realizimin e vendimit, i udhëhequr nga Reiz Shaqiri, më 19 maj 1947, në orën 23.00 “në vendin e caktuar” i pushkatoi tre figurat e shquara të kombit shqiptar.

Dy muaj pasi përfundoi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së në Shkup, në qytetin e Tetovës filloi procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së, i përbërë prej 7 intelektualëve e atdhetarëve shqiptarë: Suad Sulejman Mehmedi, Hetem Tahir Aliu, Nexhmedin Besim Sezairi, Jetish Sali Vishi, Ymer Qemal Sadiku, Abdylfari Beqir Ademi dhe Xhevair Vesel Shaqiri. Në fakt, të gjithë ata ishin udhëheqësit e komiteteve të NDSH-së për rajonin e Dervenit e të Tetovës. Për dallim nga procesi i parë, i cili u zhvillua nga Gjyqi i Qarkut të këtij qytetit, procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së u zhvillua nga ana e Gjyqit Ushtarak – Divizioni i Tetovës, i cili më 24 mars 1947 shtatë të akuzuarit i shpalli fajtorë dhe u shqiptoi dënime me sa më poshtë vijon: Suad Sulejman Mehmedi u dënua me 12 vjet heqje lirie, Nexhmedin Besim Sezairi me 20 vjet, Jetish Sali Vishi me 7 vjet, Hetem Tahir Aliu me 17 vjet, Abdylfari Beqir Ademi me 5 vjet, Xhevahir Vejsel Hoxha me 3 vjet dhe Ymer Qemal Sadiku me 4 vjet heqje lirie.

Më tej, më 18 dhe 19 prill të vitit 1947, po nga Gjykata e Qarkut të Shkupit u zhvillua procesi gjyqësor kundër 10 anëtarëve të Komitetit të NDSH-së për qytetin e Shkupit. Aktakuza nr. 1587 kundër tyre ishte ngritur më 18 dhjetor 1946 nga ana Prokurorit Publik për qytetin e Shkupit. Në ditën e dytë të gjykimit (19 prill) kryetari i procesit gjyqësor, Toma Llazarov, i shpalli fajtor dhe ua shqiptoi këto dënime: Mehmet Selim Mehmeti u dënua me 2 vjet heqje lirie, Mahmut Hamdi Sopi me 5 vjet, Ajdin Ferat Bilimi me 2 vjet, Shukri Jashar Fejzullau me 1 vjet e 6 muaj, Iliaz Mustafa Sherifi me 2 vjet, Mehmet Riza Hasani me 1 vjet e 6 muaj, Mehmet Limani me 5 muaj, Sait Tefik Sadiu me 10 muaj, Ferat Faik Jakupi me 3 muaj dhe Sadik Ahmet Sadiku me 4 muaj heqje lirie. Është me rëndësi të theksohet se, Gjyqi Suprem i RP të Maqedonisë, me Vendimin K.Zh. 134/47 të datës 31 maj 1947, bëri një ndryshim ndaj vendimit paraprak, me çka i akuzuari i parë, Mehmet Selim Mehmeti, u dënua me 8 vjet heqje lirie e jo 2 sa i qe shqiptuar në vendimin e Gjyqit të Qarkut të Shkupit.

Në pranverë të vitit 1947 organet e UDB-së e burgosën grupin e teologëve që konsideroheshin si pasardhës të politikës së Ataullah Hoxhës, në krye me Fetah ef. Raufin, Mehmet ef. Sadikun, Xhemail ef. Xhemailin, Ferat ef. Ibrahimin, Menduh Qazim Ahmetin dhe Riza Hamid Xheladinin. Procesi gjyqësor kundër tyre u mbajt më 5 e 6 shtator të vitit 1947 në Gjyqin e Qarkut të Shkupit me këtë përbërje: Panta Marina, kryetar i gjyqit dhe gjyqtarët porotë: Mehmet Shaqiri dhe Remzi Ismaili, ndërsa Boris Isak ishte procesverbalist. Vendimi kundër tyre u soll më 6 shtator, me çka ata u shpallën fajtorë me këto dënime: Fetah Raufi me 7 vjet heqje lirie, Riza Xheladini me 1 vjet, Mendu Qazimi me 3 vjet, Memed Sadiku me 4 vjet, Xhemail Xhemaili me 6 vjet dhe Ferhat Ibrahimi me 6 vjet heqje lirie.

Në kuadër të komiteteve të NDSH-së, të formuara gjatë viteve 1945/46, rol të rëndësishëm luajti edhe Komiteti i Dervenit të Epërm ose, siç njihej asaj kohe, Komiteti i NDSH-së për Zhelinë. Meqenëse veprimtaria e këtij komiteti nuk u zbulua gjatë verës së vitit 1946, udhëheqja e komitetit së shpejti vendosi lidhje me Arif Dragomancin, i njohur në popull si Arif Kapiteni, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte zëvendëskomandant i njësive kreshnike shqiptare në Prefekturën e Tetovës, përkatësisht zëvendës i majorit Xhemë Gostivari.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se Arif Dragomanci ishte ndër personalitetet e rralla ushtarake shqiptare, për mos me thënë i vetmi në këto treva i cili ende vepronte në ilegalitet dhe nuk iu dorëzua pushtetit komunist jugosllavo-maqedonas. Krahas tij, deri në vjeshtën e vitit 1947 në Karadakun e Kumanovës vepronte edhe Sylë Hotla me grupin e tij, mirëpo OZN-a jugosllave, me ndihmën e disa elementeve tradhtare, arriti ta arrestojë atë së bashku me tetë shokët e tij më besnikë: katër vëllezërit Emini nga fshati Brezë: Aliu, Shefkiu, Hyseni dhe Rasimi, pastaj Ali Sylë Stanecin, Sami Shabedinin nga Orizarja dhe Hamzë Bilallin – Bellanoca me djalin e tij Arifin, të cilët më pas u ekzekutuan pa u zhvilluar ndonjë proces gjyqësor.

Në pjesën e dytë të muajit dhjetor 1947, për shkak kushteve të vështira klimatike, anëtarët e komitetit vendosën që Arifi me grupin e tij nga mali Ivanjë të vendoset në Zhelinë, te shtëpia e Ibrahim Musliut. Ai qëndroi aty plot 40 ditë, kuptohet nën mbikëqyrjen e plotë të anëtarëve të Komitetit. Ndërkohë, UDB-ja jugosllave-maqedonase kishte arritur që brenda Komitetit të Zhelinës të fusë disa bashkëpunëtorë të vet të besueshëm, përmes të cilëve tashmë ky shërbim sekret jugosllavo-maqedonas pati një pasqyrë të qartë për vendndodhjen e Arif Kapitenit. Për rrjedhojë, më 8 shkurt 1948 organet policore maqedonase e bastisën fshatin Zhelinë, me ç’rast vranë ushtarakun e mirënjohur shqiptar, Arif Dragomancin, si dhe gjashtë bashkëveprimtarët e tij.

Më vonë UDB-ja jugosllave-maqedonase i arrestoi edhe dhjetëra veprimtarë dhe anëtarë të Komitetit të NDSH-së së Zhelinës, siç ishin: Mulla Garip Ramiz Beadini nga Tetova, Hafiz Abdullah Hamid Abdullahu nga fshati Zhelinë, Zyber Kadri Baftjari nga fshati Zhelinë, Demir Hashim Demiri nga fshati Zhelinë, Jusuf Mehmet Bajrami nga Tetova, Ismail Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Adem Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Selim Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Elez Abaz Rexhepi nga fshati Zhelinë, Demirali Havzi Emini nga fshati Debërcë – Tetovë dhe Tahir Qahil Tahiri nga fshati Zhelinë. Procesi gjyqësor kundër tyre u zhvillua në shtator të vitit 1948, me ç’rast 13 të parët morën dënime të rënda nga 3 deri më 20 vjet heqje lirie, ndërsa Elez Rexhepi, Demirali Emini dhe Murat Elezi u dënuan me punë të detyrueshme. Vetëm Tahir Tahiri u lirua si i pafajshëm.

 

Proceset gjyqësore nga shpallja e Rezolutës së Informbyrosë e deri te rënia e Rankoviqit

 

Me shpalljen e Rezolutës së Informbyrosë, në kuadër të KQ të PKM-së u formua një dhomë e veçantë me detyrë speciale – përcjelljen e situatës politike në shtetet fqinje, në mënyrë të veçantë në RP të Shqipërisë, si dhe zhvillimi i agjitacionit dhe propagandës, me qëllim të “demaskimit të politikës së këtyre shteteve dhe afirmimin e politikës së shtetit të tyre”. Kjo dhomë mbikëqyrej prej anëtarit të KQ të PKJ-së, Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë të tjerë ishin: Mito Haxhi Vasilev, Koço Bituljano, Ilija Topallovski, Pero Korobar, Mihajllo Keremedxhiev, Mitre Inadevski dhe Bllagoja Popovski. Dhoma pati katër sektorë: sektori për Shqipëri, sektori për Bullgari, sektori për Greqi dhe sektori për shtetet perëndimore, duke përfshirë këtu edhe ato tejoqeanike.

Paralelisht me këto masa, Byroja Politike e PKM-së, Fronti Popullor, UDB-jaa, Mbrojtja Popullore, policia dhe armata zhvilluan një fushatë të egër, me ç’rast shumë shqiptarë (numri më i madh i tyre ishin mësues) do të burgosen, internohen e torturohen, ndërsa një pjesë e tyre do të detyrohen të shpërngulen në shtetet perëndimore. Këto masa “pushteti popullor” i cilësonte si masa të “revolucionit socialist”, në emër të të cilit duhej “pastruar” terrenin nga, siç thuhej, “mbeturinat e fashizmit dhe imperializmit perëndimor”, si dhe nga “informbyroistët”.

Nga këto masa nuk do të kursehen as edhe disa krerë të lartë komunistë, si ministri i Shëndetësisë Sociale dhe anëtari i KQ të Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së), Nexhat Agolli, dhe vëllai i tij, Qemal Agolli, i cili në atë kohë mbante post të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore të RFPJ-së në Beograd, të cilët u arrestuan kah mesi i muajit tetor të vitit 1948. Në pranverën e vitit 1949 Nexhat Agolli vdes në burgun e Idrizovës në rrethana të pasqaruara, ndërsa Qemali u dënua me burg të rëndë prej 14 vjetësh, prej të cilëve 10 i vuajti në burgun famëkeq të Goli Otokut.

Përveç tyre, UDB-ja jugosllavo-maqedonase, gjatë asaj periudhe kohore, kreu arrestime edhe të figurave tjera të shquara shqiptare, siç ishin: ish deputeti shqiptar në Perandorinë Osmane, Sait Hoxha, pastaj intelektuali dhe atdhetari i njohur nga Kumanova, Shaban Efendiu etj.. Është me interes të nxirret në pah sjellja dhe veprimi i egër dhe brutal i UDB-së maqedonase ndaj figurës së Sait Hoxhës, i cili edhe pse në moshë të thyer (i lindur në vitin 1877), me 3 janar të vitit 1949 arrestohet nga ana e shërbimit në fjalë, ndërsa familja e tij (bashkëshortja dhe dy vajzat) depërtohen në Turqi si “persona non grata”. Në procesin gjyqësor kundër tij, i cili u mbajt më 14 prill të vitit 1949, Sait Hoxha, pasi u shpall fajtor, u dënua me burg të rëndë prej 10 vjetësh. Ngjashëm sikurse Nexhat Agolli, edhe Sait Hoxha vdes në rrethana të panjohura në vitin 1950 në burgun e Idrizovës.

Ndërkohë arrestimi i Shaban Efendiut ndodhi më 13 shtator të vitit 1948, me pretekst se gjatë LDB-së, si udhëheqës i një delegacioni shqiptar, ka udhëtuar në Tiranë për të kërkuar që Shkupi, Kumanova dhe Presheva t’i bashkëngjiten Shqipërisë. Procesi gjyqësor kundër tij u zhvillua më 29 janar 1949. Ai u gjykua nga ana e Gjyqit të Qarkut të Shkupit me këtë përbërje: Vangjell Acev, kryetar; gjyqtarët juri – Boshko Petrov dhe Abdyl Selim, të cilët pasi e shpallën fajtor, sollën vendim me të cilin Shaban Efendiu u dënua me 6 vjet heqje lirie.

Një aksion i gjerë nga ana e shërbimit sekret, UDB, u zhvillua në maj të vitit 1949, me ç’rast u arrestua Sali Lisi, i cili asaj kohe konsiderohej një ndër figurat më të rëndësishme politike komuniste shqiptare në RP të Maqedonisë, duke e akuzuar atë se ka krijuar grupin “terrorist” e të “spiunazhit” dhe se gjoja ka vendosur lidhje me Legatën Shqiptare në Beograd dhe se nga ajo ka pranuar “direktiva” për veprim. Nuk vonoi shumë dhe UDB-ja arrestoi edhe figura tjera. si Ahmet Peren, i cili asaj kohe ishte përgjegjës i shkollave shqipe në rrethin e Gostivarit dhe deputet në Kuvendin e RP të Maqedonisë; Fariz Sharakatin, bashkëfshatarin e Sali Lisit; Melia Selmanin, nga fshati Raven i Gostivarit; Shaban Horvatin nga Dibra; Naumçe Çoçovskin nga fshati Radozhdë i Strugës, si dhe katër shtetas shqiptarë: Mitre Pilinç nga fshati Peshkëpi i Pogradecit; Xheladin Kuka nga fshati Ramen i Pogradecit; Bari Ahmeti nga fshati Pogor i Korçës dhe Qazim Duka nga fshati Bratomir i Pogradecit. Të gjithë ata u akuzuan se ishin përfshirë në grupin e Sali Lisit dhe se kishin pranuar të veprojnë sipas direktivave të tij.

Pasi u kryen të gjitha procedurat hetimore, në pjesën e dytë të muajit dhjetor 1950, në Gjyqin e Qarkut në Shkup filloi procesi gjyqësor kundër Sali Lisit dhe grupit të tij, i cili për nga rëndësia konsiderohej si procesi i dytë më antishqiptar i zhvilluar në Shkup, pas atij të vitit 1947 kundër 19 veprimtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Pasi përfunduan të gjitha seancat dëgjimore, kryetari i gjyqit, Vangjell Acev, më 12 janar e shpalli vendimin, me të cilin të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe ndaj tyre u shqiptuan këto dënime: “Sali Lisi u dënua me vdekje, me pushkatim e humbje të përhershme të të drejtave qytetare; Ahmet Pere u dënua me privim nga liria, me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 20 vjetësh; Fariz Shorakati u dënua me privim nga liria në kohëzgjatje prej 5 vjetësh; Melia Selmaniu dënua me privim nga liria me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 6 vjetësh e humbjen e të drejtave qytetare; Mitre Pilinçi u dënua me privim nga liria me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 16 vjetësh; Xheladin Kuka u dënua me privim nga liria dhe me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 18 vjetësh; Bari Ahmeti u dënua me privim nga liria dhe me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 15 vjetësh; Qazim Duka u dënua  me privim nga liria, me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 8 vjetësh; Shaban Horvati u dënua me privim nga liria dhe me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 18 vjetësh; dhe Naum Çoçovski u dënua me privim nga liria dhe me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 12 vjetësh”.

Ndërkohë, Gjyqi Suprem i RP të Maqedonisë, me Vendimin K.Zh. 19/50 të datës 14 janar 1950, i pranoi pjesërisht ankesat e Sali Lisit, Ahmet Peres dhe të Mitre Pilinçit, ku thuhej: “Ankesat e të akuzuarve Sali Ahmet Lisi, Mitre Lek Pilinç e Ahmet Abdulla Pere pranohen. Vendimi i ankimuar i Gjyqit të Qarkut në Shkup K. Nr. 3/50 nga 12 janari i vitit 1950 ndryshohet në lidhje me ta dhe të njëjtit për veprat penale, me të cilat u shpallën fajtor DËNOHEN: i akuzuari Sali Ahmet Lisi me 20 vjet privim nga liria; i akuzuari Ahmet Abdulla Pere me 18 vjet privim nga liria; i akuzuari Mitre Lekë Pilinç me 11 vjet privim nga liria”.

Në mbrëmjen midis 4-5 shtatorit të vitit 1950 Aqif Lleshi, njëri nga udhëheqësit më të lartë shqiptarë në RP të Maqedonisë, u arratis në Shqipëri. Së bashku me të u arratisën edhe djali i tij, Mustafë Lleshi, përndryshe nëntoger i UDB-së, dhe shef i zonës kufitare Strugë-Tetovë, Ferit Lleshi, anëtar i PKM-së për Rrethin e Dibrës, Gani Lleshi, kryetari Këshillit Popullor për f. Banjishtë, si dhe 16 anëtarë të familjes së tyre. Sipas burimeve policore maqedonase, largimi i tyre ishte kryer në brezin kufitar në afërsi të f. Sollokiq. Menjëherë pas kësaj, organet e UDB-së maqedonase i arrestuan 38 krerë dibranë, ndërsa familjet e tyre (në numër 262), i internuan në Maqedoninë Lindore. Nga të burgosurit pati edhe funksionarë lokalë partiakë, si Shaban Qamili e Ramadan Tërnova, që të dy anëtarë të Komitetit të PKM-së për Rrethin e Dibrës etj. Ata u akuzuan si bashkëpunëtorët më të ngushtë të Aqif Lleshit dhe të birit të tij, Mustafës, dhe – si rrjedhojë – Gjyqi i Qarkut të Gostivarit i dënoi me dënime të rënda nga 7 deri në 15 vjet heqje lirie. Të gjithë ata (38 të dënuar) e vuajtën dënimin në Goli Otok.

Më 24 shkurt të vitit 1951 organet e UDB-së jugosllave-maqedonase e arrestuan intelektualin dhe udhëheqësin e organizatës ilegale shqiptare “LIRIA”, Sadudin Abdulla Gjura, një organizatë e cila qe formuar menjëherë pasi u zbulua organizata e NDSH-së. Nuk vonoi shumë dhe autoritetet policore maqedonase i arrestuan edhe anëtarët tjerë të organizatës, siç ishin: Abdyselam Skenderi, Izmit Bajrami, Xhemail Beqiri, Vebi Lushi, Hysni Abduallau, Sabri Ramizi, Jusuf Selimi, Resul Sulejmani dhe Ibraim Zeqiri. Procesi gjyqësor kundër anëtarëve të organizatës “LIRIA” u mbajt nga ana e Gjyqit të Qarkut në Gostivar, i cili më 31 maj 1952 solli vendim me të cilin të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe ndaj tyre u shqiptuan këto dënime: “I akuzuari Sadudin Abdulla Gjura dënohet me 14 vjet burg të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare në kohëzgjatje prej 3 vjetësh; i akuzuari Rami Ruzhdi Sabriu dënohet me 10 vjet burg të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare në kohëzgjatje prej 3 vjetësh; i akuzuari Vebi Ahmet Vebiu dënohet me 7 vjet burg të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare në kohëzgjatje prej 2 vjetësh; i akuzuari Murat Raif Isaku dënohet me 9 vjet burg të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare në kohëzgjatje prej 3 vjetësh; i akuzuari Izmit Shain Bajrami dënohet me 11 vjet burg të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare në kohëzgjatje prej 3 vjetësh dhe i akuzuari Abdyselam Skënder Bejtullau dënohet me 8 vjet e gjashtë muaj burg të rëndë”.

Në kuadër të masave të dhunshme, që organet e UDB-së jugosllave-maqedonase i ndërmorën gjatë vitit 1952, duhet veçuar edhe burgosjen e Xhaferr Kodrës, i cili në momentin e arrestimit e mbante postin e ministrit të Drejtësisë së RP të Maqedonisë. Më pas Gjykata e Qarkut të Shkupit e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim të rëndë prej 7 vjetësh heqje lirie, të cilin e vuajti në burgun e Goli Otokut.

Është me rëndësi të theksohet fakti se në RP (S) të Maqedonisë, deri në vitin 1955, krahas organizatës LIRIA, u zbuluan edhe tre organizata tjera: “Shpresa” në krye me veprimtarin dhe disidentin e njohur Mehmet Murtezani – Gega, “Shkëndija” në krye me Murtezan Bajraktarin dhe organizata e NDSH-së në krye me vëllezërit Purde. Si rrjedhojë e tërë kësaj u arrestuan mbi 150 veprimtarë (intelektualë të kohës, si mësues, studentë, shkollarë të mesëm etj), ndaj të cilëve më pas u shqiptuan dënime të rënda nga 3 deri më 14 vjet heqje lirie nën pretekstin se kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”.

Ndër proceset e shumta gjyqësore të zhvilluara në atë periudhë kohore duhet veçuar procesin gjyqësor kundër organizatës “Shpresa”, i cili u mbajt më 22 tetor 1955 në Gjyqin e Qarkut të Gostivarit. Të akuzuar ishin Mehmet Murtazani – Gega, Abdullah Kalishta, Hysen Xhaferri – Spahiu dhe Muharrem Jusufi. Pasi i shpalli që të gjithë fajtorë, Gjyqi ndaj tyre i shqiptoi këto dënimet: i akuzuari i parë, Mehmet Riza Murtezani – Gega, u dënua me 10 vjet heqje lirie; i akuzuari i dytë, Abdulla Kalishta, u dënua me 3 vjet heqje lirie; i akuzuari i tretë, Hysen Xhaferri, u dënua me 2 vjet e 6 muaj heqje lirie dhe i akuzuari i katërt, Muharrem Jusufi, u dënua me 2 vjet heqje lirie.

Gjatë viteve 1955-1956 në Gjyqin e Qarkut të Shkupit janë mbajtur disa procese gjyqësore, ku të akuzuar kanë qenë anëtarë të organizatës së NDSH-së, përkatësisht “Taravari-Purde”. Procesi qendror kundër kësaj organizate u mbajt nga data 11 -25 korrik 1956 nga po e njëjta gjykatë, ku të akuzuar ishin 8 veprimtarë të organizatës, që të gjithë intelektualë, përkatësisht mësues dhe studentë. Këshilli gjyqësor i udhëhequr nga Boro Doganxhijevski, më datë 25 korrik 1956, i shpalli të gjithë fajtorë dhe u shqiptoi dënime të rënda, si: “I akuzuari i parë, Burhan Shaip Pasholli u dënua me 8 vjet heqje lirie; i akuzuari i dytë. Abdyrahim Taravari, u dënua me 10 vjet e 6 muaj heqje lirie; i akuzuari i tretë, Rifat Palloshi, u dënua me 5 vjet heqje lirie; i akuzuari i katërt, Sherafedin Agai, u dënua me 5 vjet heqje lirie; i akuzuari i pestë, Abaz Dukagjini, u dënua me 4 vjet heqje lirie; i akuzuari i gjashtë, Raif Ali Raifi – Maleziu, u dënua me 7 vjet heqje lirie; i akuzuari i shtatë, Adnan Agai, u dënua me 4 vjet heqje lirie dhe i akuzuari i tetë, Remzi Pustina, u dënua me 5 vjet heqje liri. Në kuadër të kësaj organizate qenë arrestuar dhe dënuar edhe shumë personalitete tjera, si: Murtezan Bajraktari, Nevaip Purde, Naxhi Purde, Mehdi Bajraktari, Eshref Hoxha, Isak Çavoli, Zijadin Çyra, Gajur Deralla, Sejdi Rauf Bajrami e shumë të tjerë.

Me qëllim të neutralizimit të popullsisë shqiptare, pozita e së cilës sa vinte e rëndohej, në mars të vitit 1959 Këshillit Ekzekutiv i KQ të LKJ-së i solli disa konkluzione, përmes të cilave u rekomandohej organeve partiake e shtetërore jugosllave të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e pozitës së rëndë të popujve josllavë, në radhë të parë të shqiptarëve e hungarezëve, në të gjitha fushat e jetës, sidomos në ngritjen e statusit të tyre nga “pakicë nacionale” në “kombësi”, në përfshirjen e tyre në administratën komunale, krahinore e republikane, si dhe në sipërmarrjet ekonomike shtetërore, në zhvillimin e menjëhershëm kulturore e arsimor të tyre, në lejimin e përdorimit të gjuhës së tyre në komunat ku ata përbënin shumicën e popullsisë… etj.. Por, konkluzionet e udhëheqjes politike jugosllave nuk u morën në konsideratë fare nga udhëheqja shoviniste maqedonase, e cila përmes shërbimit të atëhershëm sekret UDB e vazhdonte dhunën dhe terrorin institucional kundër shqiptarëve në përgjithësi e të inteligjencës së saj në veçanti. Në emër të, siç thuhej, “përmbysjes së irredentizmit shqiptar”, UDB-ja maqedonase vetëm brenda harkut kohor 1960-1963, “zbuloi” veprimtarinë e 5 grupeve ilegale irredentiste shqiptare, në të cilat, siç bëhej me dije, krahas studentëve “qenë përfshirë edhe disa nxënës të shkollave të mesme”. Të gjithë ata studentë dhe nxënës shqiptarë, numri i të cilëve shkonte mbi 100, u arrestuan dhe më pas u dënuan përmes proceseve të montuara nga ana e gjykatave të atëhershme komuniste jugosllave-maqedonase.

Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare nga ana e UDB-së vinte për shkak se, siç thuhej në një dokument, “pjesa dërmuese e saj rrjedh nga shtresa konservatore”, përkatësisht “qarqet fetare, tregtare etj.”; prandaj te ajo kemi “shtrembërime ideore, si dhe dukuri të ndryshme armiqësore”, të përqendruara kryesisht ndaj këtyre çështjeve: “kërkesa që në shkollat shqipe të mësohet historia nacionale shqiptare; kërkesa që të hapen shkolla të mesme-profesionale në gjuhën shqipe; rezistenca ndaj krijimit të shkollave të përziera me motivacion se të njëjtat çojnë drejt asimilimit të popullatës shqiptare… etj”, thuhet, veç tjerash në këtë dokument.

Nga gjithë kjo që u tha shihet qartë se çfarë presione përjetoi inteligjenca e atëhershme shqiptare nga UDB-ja jugosllave, e cila udhëhiqej e kontrollohej nga dueti i mirënjohur shovinist serb Rankoviq & Stefanoviq, përkatësisht ai maqedonas Kolishevski & Cërvenkovski. Pozitën e shqiptarëve në RP të Maqedonisë më së miri e përshkruante korrespondenti i gazetës “Financial Time” nga Londra, Lendvaj Paml Andor, i cili gjatë vizitës që ia bëri Maqedonisë më 29 maj-1 qershor 1962 do të deklarojë: “Në Jugosllavi njerëzit mund t’i ndajmë në disa kategori, si: më të diskriminuar janë romët dhe shqiptarët; pastaj vijnë punëtorët në përgjithësi dhe pas këtyre vijnë të gjithë qytetarët e tjerë”.