` . Problemi i Kosovës gjatë viteve 1989-1990 - TV SHENJA

Problemi i Kosovës gjatë viteve 1989-1990

Nëse problemi i Kosovës deri në vitin 1988 trajtohej në kuadër të dy kryesive të atëhershme jugosllave, Kryesisë së KQ LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, pas shpërthimit të demonstratave të mësipërme ky problem kaloi në kompetencë të plotë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të RSFJ-së.

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Udhëheqja komuniste jugosllave, ngjashëm sikurse demonstratat studentore të vitit 1981, edhe demonstratat në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974, të cilat në Kosovë shpërthyen në nëntor të vitit 1988, për të vazhduar edhe gjatë muajve shkurt-mars 1989, i vlerësoi si demonstrata kundërrevolucionare me elemente “të kryengritjes së armatosur, të orientuar drejtpërdrejti kundër rregullimit kushtetues dhe integritetit të RSFJ-së”. Ajo më tej shprehej se ato demonstrata ishin në përputhje të plotë me “strategjinë e përgjithshme të nacionalizmit shqiptaro-madh për veprimtari të organizuar në drejtim të destabilizimit të Jugosllavisë, në rrënimin e integritetit të saj territorial dhe shkëputje të pjesëve të saj, në të cilat jetojnë pjesëtarët e kombësisë shqiptare, dhe bashkëngjitjen e tyre me Shqipërinë”. Për komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës, përbënte një befasi, përkatësisht “tragjedi”, fakti se ato demonstrata hasën në mbështetje të fuqishme tek inteligjenca shqiptare, e cila doli haptas në mbrojtje të kërkesave legjitime të demonstruesve shqiptarë. Sekretari Krahinor i Punëve të Brendshme, Rrahman Morina, në fjalimin e tij të mbajtur më 17 janar 1989 në Beograd, ndër të tjerave akuzoi disa intelektualë shqiptarë, në radhë të parë akademik Rexhep Qosen, i cili siç do të shprehet “në kohë të fundit ka çuar krye”, duke dalë publikisht kundër masave të dhunshme në Kosovë: “…Është me interes të theksohet se tash, në kohën më të re, kanë çuar krye disa nacionalistë shqiptarë, të cilët deri më tash kanë heshtur, të cilët nuk kanë guxuar ta ngrenë zërin e tyre dhe ta shprehin publikisht atë që e mendojnë (për shembull Qosja). Ky është edhe një fenomen, një dëshmi se ata janë forcuar, se kanë marrë fuqi etj. Pra, ata dalin nëpër gazeta, ata dalin në opinion, madje kemi raste që të tillët propozohen nëpër aktivitetet zgjedhore në vend të disa punëtorëve të dalluar shoqërorë-politikë, të cilët janë dëshmuar se janë për këtë Jugosllavi, për luftën kundër nacionalizmit shqiptar etj. Të tillët (konkretisht si Qosja etj.) propozohen. Kjo është tragjedi…”.

Nëse problemi i Kosovës deri në vitin 1988 trajtohej në kuadër të dy kryesive të atëhershme jugosllave, Kryesisë së KQ LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, pas shpërthimit të demonstratave të mësipërme ky problem kaloi në kompetencë të plotë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të RSFJ-së. Si dëshmi e kësaj janë stenogramet nga mbledhjet e shumta që ky sekretariat i mbajti me sekretarët republikanë e krahinorë, ku si temë kryesore ka qenë Kosova dhe “veprimtaria armiqësore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, që ruhen në Arkivin e Sllovenisë në Lubjanë, fondi “Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme të RS Sllovenisë (1931)”. Në ato mbledhje, të cilat asaj kohe konsideroheshin si tepër sekrete, janë shqyrtuar analiza dhe vështrime të shumta kushtuar situatës politike e të sigurisë së RSFJ-së në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, pastaj janë dhënë vlerësime dhe konkluzione për tejkalimin e tyre etj.

Në këtë numër të revistës SHENJA e pamë të arsyeshme që të publikojmë dy dokumente të hartuara në prill të vitit 1990: “Vlerësimet dhe Konkluzionet nga mbledhja e 27 shkurtit dhe 23 marsit të vitit 1990 të sekretarit Federativ të Punëve të Brendshme me sekretarët republikanë e krahinorë” dhe “Ndikimi i faktorit të huaj në ndodhitë dhe në situatën e sigurisë në Jugosllavi”. Më duhet të them se, për shkak hapësirës së kufizuar, dokumentet nuk jepen të plota, por vetëm ato pjesë ku flitet për shqiptarët dhe Kosovën.

*          *          *

  1. Vlerësimet dhe konkluzionet nga mbledhja e 27 shkurtit dhe 23 marsit të vitit 1990 të sekretarit Federativ të Punëve të Brendshme me sekretarët republikanë e krahinorë

“Situata aktuale dhe e sigurisë”

Është dhënë vlerësimi unanim se situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në vend është tepër e ndërlikuar, me shkallë të lartë të jostabilitetit, ndërsa në disa pjesë të vendit – si në Kosovë – situata është dramatike….Në mbledhje është vlerësuar se situata politike dhe e sigurisë, e përkeqësuar, në KSA të Kosovës ende ruhet mbi lëvizjet e përgjithshme të sigurisë në vend.

Mungesa e sjelljes së unifikuar ndaj kësaj vatre serioze të sigurisë, si një problem i përgjithshëm jugosllav, sikurse edhe përkrahja nga bota e jashtme, ndikon negativisht në atmosferën politike e të sigurisë në Krahinë.

Është vlerësuar se gjeneratori bazik për rrethana të këtilla edhe më tej është aktiviteti ofensiv i  separatistëve shqiptarë. Përveç grupeve e organizatave ilegale, këtë vit në rritje të dukshme është aktiviteti i alternativës kosovare, veçanërisht të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Në udhëheqjen e saj gjenden kryesisht separatistët shqiptarë nga mjediset intelektuale, si dhe numri më i madh i ish të burgosurve politikë.

Ndër tezat themelore të veprimtarisë së tyre është masovizimi, për çka kanë arritur rezultate të dukshme. Njëkohësisht kryejnë agjitim për shpërbërjen e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe e kontestojnë legjitimitetin e sistemit institucional. Në vend dhe në botën e jashtme insistojnë se përbëjnë fuqinë reale politike, me të cilën duhet të udhëhiqet dialogu për stabilizimin e gjendjes në Kosovë.

Duke e shfrytëzuar përvojën e partive të porsaformuara në përcaktimet programore, nuk i përjashtojnë qëllimet e veta strategjike, e as implementimin e metodave terroriste tashmë të komprometuara në opinionin botëror, megjithëse në aksionet konkrete e stimulojnë atmosferën e ndarjes ndërnacionale dhe procesin e shpërnguljes së serbëve e malazezëve.

Është konstatuar se separatistët shqiptarë aktivitetin e tyre e kanë intensifikuar jashtë territorit të KSA të Kosovës. Në RS të Maqedonisë është zbuluar një grup ilegal, dhe janë themeluar degët e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Në RS të Malit të Zi në rritje e sipër janë përpjekjet e separatistëve për të kryer homogjenizim negativ të kombësisë shqiptare nga kjo republikë. Në RS të Kroacisë është ripërtërirë veprimtaria e klubit “Shkëndija”, i cili në periudhën e mëhershme ka qenë çerdhe e separatistëve shqiptarë. Kanë vazhduar kontaktet e separatistëve shqiptarë, të eksponuar nga udhëheqja e alternativës me shoqatën “Migjeni”, në Lubjanë. Veprimtaria ofensive e këtij lloji është prezente veçanërisht në APJ, ku në vitin e kaluar janë zbuluar 39 grupe ilegale, me rreth 200 anëtarë.

Pas provokimit dhe përpjekjes për mashtrim të opinionit të brendshëm e botëror në lidhje me inskenimin e “helmimit” të fëmijëve dhe qytetarëve tjerë vetëm të kombësisë shqiptare, është vlerësuar se situata e sigurisë në KSA të Kosovës është përkeqësuar dukshëm. Separatistët shqiptarë kanë pasur për qëllim, që duke e shfrytëzuar shkallën e lartë të indoktrinimit të kryer, të nxisin reagime emocionale masive dhe hakmarrje ndaj serbëve, malazezëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare. Deri te reagimet e tilla ka ardhur – veçanërisht në Podujevë dhe në disa vende tjera.

Marrëdhëniet ndërnacionale janë ashpërsuar deri në ato përmasa, të cilat mund të nxisin dukuri incidentale të përmasave të gjëra, madje edhe luftë qytetare me pasojat e paparashikuara për sigurinë e mbarë vendit.

Megjithëse me angazhimin e përforcuar të forcave të organeve të punëve të brendshme dhe prezencën e njësive të APJ-së, është vendosur rendi dhe qetësia publike, situata në Krahinë edhe më tej është e rëndë dhe e ashpërsuar. Realisht, mund të pritet që separatistët shqiptarë do të përpiqen që, përmes aksioneve të kombinuara, të mund të nxisin destabilizimin e mëtutjeshëm të situatës në KSA të Kosovës.

Për këtë opsion strategjik interesohet edhe emigracioni armiqësor shqiptar, i  cili në mënyrë aktive e ndihmon aksionin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Organizatat e emigracionit programet e tyre i kanë përshtatur në parimet formale demokratike, megjithëse nuk tërhiqen nga aksionet terroriste e aksionet tjera subversive…”.

 

  1. Ndikimi i faktorit të huaj në ndodhitë dhe në situatën e sigurisë në Jugosllavi

Hapësira e gjerë e veprimtarisë, përmbajtja, format, metodat dhe mjetet e llojllojshme që përdoren në aktivitetin e faktorit të huaj ndaj Jugosllavisë përfshijnë pjesëmarrjen e numrit të madh të subjekteve si bartës dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet. Në këtë rol paraqiten shërbime kundërzbuluese të huaja, të cilat veprojnë nga qendrat e tyre në botën e jashtme dhe përmes përfaqësive konsullore-diplomatike dhe përfaqësive tjera në Jugosllavi, institucioneve tjera të ndryshme shtetërore e jashtështetërore e ngjashëm, pastaj përmes emigracionit armiqësor me prejardhje nga Jugosllavia dhe strukturave kundërshtare dhe armiqësore në Jugosllavi.

 Shërbimet informative të huaja

Shërbimet informative të huaja paraqiten më së shpeshti si organizatorët dhe frymëzuesit e veprimtarisë së armikut të jashtëm, madje edhe të brendshëm, të RSFJ-së, si dhe kryerësit e planeve konkrete subversive të vendeve të tyre. Njëkohësisht, pozitat e agjenturës e të pozitave tjera të shërbimeve informative të huaja janë kryesisht edhe bërthama themelore të armikut të brendshëm, përkatësisht atij të jashtëm.

Në realizimin e qëllimeve të politikës së vendeve të tyre sistemet e të dy blloqeve i implementojnë të gjitha metodat legale dhe ilegale në disponim, për çka me një shkathtësi shumë elastike shfrytëzohen marrëdhëniet bilaterale e multilaterale, bashkëpunimi në suazat e grupimeve ekonomike më të ndryshme dhe institucioneve të tjera të specializuara.

Shërbimet e zbulimit kanë identifikuar më shumë pika në botën e jashtme, përmes të cilave shërbimet informative të huaja veprojnë ndaj Jugosllavisë. Shërbimet perëndimore, në mënyrë aktive, veprojnë në 25 qendra tejkufitare, në të cilat janë të përfshirë 58 kundërzbulues, veprimtaria e të cilëve është e orientuar kah Jugosllavia. Nën kontrollin e Shërbimit janë 35 agjentë të tyre. Deri te ndryshimet e njohura në Lindje, shërbimet e këtyre vendeve ndaj Jugosllavisë kanë vepruar përmes 38 qendrave, me 184 kundërzbulues, të cilët lidhjet me Shërbimin i kanë mbajtur përmes 160 agjentëve të njohur. Për momentin Shqipëria ka 19 qendra, 60 kundërzbulues dhe 37 agjentë të cilët veprojnë në drejtim të Jugosllavisë.

Qendrat tejkufitare të Shërbimit Informativ Shqiptar (ShISh)

Në përpjekjet për të ndikuar në ndodhitë aktuale në vendin tonë, një agresivitet të posaçëm tregon Shërbimi Informativ Shqiptar. Aktiviteti i këtij Shërbimi nga bota e jashtme zhvillohet përmes dy drejtimeve bazë: nga qendra e Sigurimit në Tiranë, Shkodër, Tropojë, Kukës, Peshkopi, Pogradec, Korçë, PKD-ve shqiptare në Stamboll, Vjenë, Romë, Bon, Paris, Bruksel, Stokholm, Nju Jork, Sofje, Varshavë dhe Bukuresht.

Në qendrat e nënvizuara rreth 60 kundërzbulues me përgatitje të mirë janë të orientuar kah Jugosllavia. Me urdhër të qendrës nga Tirana, varësisht nga nevoja, ata lëvizin nga një qendër në qendër tjetër. Shërbimi ka njohuri se në vendin tonë mbajnë në lidhje 37 agjentë, prej të cilëve 28 janë nën kontroll të SHSSHJ-së (Shërbimi për Sigurimin Shtetëror të Jugosllavisë – Q. L.). Ata kryesisht janë persona të rinj e të arsimuar nga fusha e arsimit, ekonomisë, komitetit të MPP-ës dhe VMSH-ës (Mbrojtja e Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtja Shoqërore – Q. L.) e ngjashëm.

Për shkak, si të thuash, përcjelljes së përditshme të situatës në Jugosllavi, veçanërisht atje ku jeton shumica e popullsisë shqiptare SHISH-i, ndër të tjera, i shfrytëzon marrëdhëniet e ndërsjella familjare të shtetasve tanë e ata shqiptarë, shtetasit e tyre, të cilët për shkaqe të ndryshme qëndrojnë përkohësisht ose udhëtojnë përmes Jugosllavisë, qytetarët tanë të cilët arratisen në Shqipëri e ngjashëm.

Në këtë ose në mënyra tjera, ndër të tjerave, SHISH-i në kohë të fundit përpiqet veçanërisht të jetë në rrjedhë të aktiviteteve të liderëve partiakë në Kosovë (Ibrahim Rugovës, Idriz Ajetit, Zekiria Canës, Shkëlzen Maliqit etj.).

Për SHISH-in është karakteristike që, krahas hulumtimeve informative në mënyrë të drejtpërdrejtë, zbaton edhe aksion të gjerë, përmes emigracionit armiqësor shqiptar dhe separatistëve shqiptarë në vend, të cilët paraqesin instrument shumë të rëndësishëm në zbatimin e politikës shqiptaromadhe në Kosovë dhe në viset e tjera të vendit tonë, ku jetojnë pjesëtarët e kombësisë shqiptare.

Përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë dhe përfaqësuesit e tjerë në RSFJ 

Përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë të SHBA-ve në mënyrë shumë studimore e hulumtojnë alternativën politike jugosllave dhe realizojnë takime të shumta me përfaqësuesit e partive dhe lëvizjeve të reja. Kanë organizuar takime me: K. Çavoshkin, N. Popovin, M. Nikoliqin dhe B. Shpadijevin. Ambasadori Waren Zimmermann më 23 shkurt k.v. në rezidencën e tij i ka ftuar përfaqësuesit e partive demokratike: K. Çavoshkin, D. Miçunoviçqin, S. Iniqin, Gj.  Ninkoviqin, V. Koshtunicës dhe V. Ognjanoviqin. Me rastin e vizitës së Lowrenc Eagleburgerit në Jugosllavi, më 26 shkurt, k.v. ka organizuar bisedë me qytetarët jugosllavë të interesuar për reformat politike, si dhe me përfaqësuesit e grupeve alternative nga mbarë Jugosllavia, që të kuptohet mendimi i tyre rreth perspektivës së pluralizmit politik në Jugosllavi. Me atë rast personalitetet e ftuara i kanë paraqitur programet e partive të tyre. Prezent kanë qenë: P. Miliq, B. Sekuliq, S. Golldshtajn, V. Sheks, V. Surroi, I. Rugova, D. Budimski, N. Strokovski, M. Pekoviq, J. Danilloviq, V. Peshiq, V. Dimitrijeviq, T. Petovar, M. Jamberger, Kristian dhe D. Veselinoviq. Konsulli komercial i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve, Douglas Grene, para do kohe pati një bisedë me Franjo Tugjmanin. Përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë të SHBA-ve, në kohë të fundit, angazhohen veçanërisht në lidhje me organizimin e mbledhjeve e seminareve të ndryshme me përfaqësuesit e partive politike alternative. Lidhur me këtë, është paralajmëruar ardhja e përfaqësuesit të Institutit Kombëtar Demokratik Amerikan, i cili ka pasur kontakte edhe më herët me parti të caktuara politike alternative në Slloveni dhe Kroaci. Është planifikuar që në Zagreb, përmes profesorit Zvonimir Shepareviq, të organizohet seminari me temën: “Zgjedhjet, si t’i qasemi opinionit publik, fushatës, mediumeve, sjelljes zgjedhore dhe partive politike”. Si ligjërues në këtë seminar përmenden përfaqësuesit e Komitetit Zgjedhor Federal, Richard Bond, anëtar i fushatës presidenciale të Bushit dhe “Komisionit të Bakerit”, Paul Duke etj… Në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, gjatë muajit mars, janë ftuar: I. Rugova, M. Nikoliq dhe V. Gligorov (“burimi më i mirë i informimit”), që të mund të marrin pjesë në dialogun televiziv ndërmjet studios në Beograd, Zagreb, Pragë dhe Uashington.

Përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë të Ambasadës së Britanisë së Madhe gjatë muajit shkurt të vitit 1990 kanë qëndruar në Kosovë me dëshirë që të vendosin kontakt me personalitete të caktuara udhëheqëse të grupeve të atjeshme alternative.

Përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë të Ambasadës së Suedisë për çdo ditë i përcjellin proceset e themelimit të partive dhe lëvizjeve të reja, duke treguar interesim të madh për të kontaktuar me Ibrahim Rugovën.

Delegacioni i Bashkimit Ekonomik Evropian më 28 shkurt të vitit 1990 organizoi bisedë ndërmjet përfaqësuesve të grupeve politike të porsaformuara nga mbarë Jugosllavia: Në këtë bisedë kanë marrë pjesë: K. Çavoshki, D, Miçunoviq, V. Gligorov, V. Koshtunica, M. Mlladenoviq, D. Dimitrijeviq, S. Gollshtajn, A. Vujiq, F. Tugjman, V. Sheks, I. Horvat, P. Matvejeviq, D. Rupell, J. Puçnik, Pazarnik, G. Sekuliq, Pajiq, L. Stankoviq, Gj. Marjanoviq, I. Rugova, V. Surroi, Profesor Janiçek nga UJDI dhe L. Stojanoviq (nga intelektualët e shquar të papërcaktuar).

Nga të dhënat që i posedon Shërbimi, Ambasada e RPS të Shqipërisë në Beograd nga viti 1981 e ka ndërpre veprimtarinë e vet zbuluese klasike… Veprimtaria kryesore e Ambasadës shqiptare në dy-tre vitet e fundit zhvillohet në planin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Ambasadori shqiptar, në komunikim me ambasadorët e vendeve perëndimore, të akredituar në RSFJ, është shumë aktiv, shërbehet me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, duke u përpjekur që t’ua tërheqë vëmendjen, sa më shumë që të jetë e mundur, përfaqësuesve të vendeve të ndryshme për pikëpamjet shqiptare për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Gjatë kësaj ambasadori shqiptar në Beograd, por edhe bashkëpunëtorët e tij, në mënyrë arbitrare i falsifikojnë faktet historike dhe agjitojnë për autonomi më të madhe të Kosovës, për frenimin dhe heqjen e masave politike e masave të tjera serbe ndaj Kosovës, për dhënien e përkrahjes grupimeve dhe partive alternative nga radhët e kombësisë shqiptare, për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, për tërheqjen e organeve të sigurimit dhe të Armatës nga Kosova etj.

Emigracioni armiqësor me prejardhje nga Jugosllavia, në funksion të ndikimit të ndodhive në RSFJ

 …Organizata e emigracionit nacionalistë kroat, Kuvendi Popullor Kroat (KPK), dhe lideri i saj, Mate Meshtroviq, vite të tëra vepron në linjën e strategjisë së Perëndimit ndaj Jugosllavisë. Vitin e kaluar Stejt Departamenti i pranoi zyrtarisht Mate Meshtriviqin dhe Mlladen Zorkun, të cilët kanë zhvilluar bisedë me zëvendës-sekretarin e Punëve të Jashtme të SHBA-ve, Timoti Dill dhe shefin e seksionit për Jugosllavi, Jhon Smith. Sipas deklaratës së Meshtroviqit, që e përcolli shtypi ustash, Dilli e ka paraqitur qëndrimin e administratës amerikane sipas të cilit SHBA nuk janë kundër konfederatës së Jugosllavisë, por vetëm me kusht që ajo të zbatohet përmes rrugës paqësore. Sipas deklaratës së Meshtroviqit, qëndrimi i administratës amerikane e vërtetoi korrektësinë e idesë së tij për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të kroatëve me shqiptarët dhe sllovenët në botën e jashtme dhe në vend, kjo me qëllim të dezintegrimit të Jugosllavisë dhe nevojës së ndarjes paqësore me serbët.

Në kohë të fundit lidhja e emigracionit armiqësor shqiptar e kroat është gjithnjë e më e shprehur, veçanërisht organizatat e tyre terroriste. Qarqet e caktuara në Perëndim i ofrojnë emigracionit armiqësor shqiptar ndihmë të hapur. Ofrimi i asaj ndihme arsyetohet me mbrojtjen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi. Edhe pse përfaqësuesit zyrtarë të vendeve perëndimore deklarohen në favor të stabilitetit të Jugosllavisë, si faktor i sigurisë në Evropë, në praktikë tolerohet veprimtaria antijugosllave e EASh-së (Emigracionit Armiqësor Shqiptar – Q. L.) (demonstrata, tubime të ndryshme të emigracionit dhe aktivitete tjera subversive-propaganduese), me arsyetimin e njohur se një veprimtari e tillë në vendet e tyre është legale dhe e lejueshme.

Me qëllim të komprometimit të RSFJ-së dhe marrjen e përkrahjes nga faktori ndërkombëtar (përfshi edhe legalizimin dhe pranimin ndërkombëtar të “Lëvizjes”), udhëheqjet e emigracionit në kohën më të re janë të angazhuara veçanërisht në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për pozitën e shqiptarëve në RSFJ-ë për çka kanë pasur suksese të rëndësishme. Simpati të veçantë manifestohet ndaj dy figurave më të thelluara në veprimtarinë e EASh-së, Xhafer Shatrit dhe Emin Fazliut (Xhafer Shatri është personaliteti më i rëndësishëm e LPRK-së i cili qëndron në prapavijë të organizimit dhe përgatitjes së aksioneve terroriste në RSFJ (përpjekja për vrasjen e oficerit të sigurimit në Istok, Baboviq). Për EminFazliun është vërtetuar se është agjent i BND-së, e cila përmes tij e orienton aktivitetin e NDSh-së në krye të së cilës gjendet Fazliu).

Aktiviteti subversiv-propagandistik, i cili zhvillohet në suazat e fushatës për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, nacionalistët e separatistët shqiptarë i paraqet si “luftëtarët e vërtetë për emancipimin e plotë të kombit shqiptar”, ndërsa platformën politike e tyre si “luftë për çlirimin kombëtar e social”.

Për shkak të realizimit të këtyre qëllimeve, Misionit të OKB-së në Gjenevë, Sekretarit të Përgjithshëm dhe organeve yë tjera të OKB-ës, Parlamentit Evropian, OSBE, “Amnesty International” – “Seksionit për të drejtat e njeriut” dhe organizatave dhe institucioneve të tjera joqeveritare, qeverive dhe personaliteteve me ndikim në vendet perëndimore u dërgohen gjithnjë e më shumë peticione, memorandume dhe material tjetër propagandistik, në të cilat shtrohen edhe kërkesa të caktuara. Kanë arritur deri te debati në Parlamentin Evropian, ku si “urgjente” është shqyrtuar “shkelja e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në RSFJ dhe është miratuar rezolutë”. Individë të caktuar kanë arritur të lidhen me organizatën “Qendra Evropiane e Botës së Tretë” në Zvicër, përfaqësuesit e së cilës marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit e KB për të drejtat e njeriut në Gjenevë dhe në përbërjen e delegacionit të kësaj organizate marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit dhe të pranishmëve u shpërndajnë material propagandues me përmbajtje armiqësore.

Në kohën më të re kanë ardhur në shprehje veçanërisht ndikimi i emigracionit armiqësor shqiptar te një pjesë e anëtarëve të trupave përfaqësuese amerikane (grupi i senatorëve dhe kongresmenëve: Diogardi, Krejn, Brumfilld, Sajmon, Doll, Regell, Llantosh), të cilët janë shumë të angazhuar në “luftën për të drejtat e shqiptarëve në RSFJ”. Kjo rezultoi me sjelljen e rezolutës nga Kongresi amerikan. EASH-i në SHBA vepron nën emrin “Komuniteti Shqiptar në Amerikë” dhe ka mbështetje dhe ndihmë të fuqishme nga i ashtuquajturi lobi shqiptar (disa kongresmenë e senatorë të mëparshëm e të tanishëm, intelektualë, profesorë universitarë, amerikanë të pasur me prejardhje shqiptare e ngjashëm). Krahas ndihmës për organizimin e demonstratave të shumta antijugosllave, EASH-i ka marrë ndihmë të konsiderueshme financiare për hapjen e zyrës në Uashington (“Albanian American Edukation Fondtion”), e cila është në funksion të prezantimit zyrtar të shqiptarëve në SHBA. Këtë aksion e ka iniciuar dhe e ka mbështetur gjatë tërë kohës kongresisti amerikan J. Diogardi. Ai, gjatë qëndrimit të paradokohshëm në Prishtinë, deklaroi se Kongresit Amerikan dhe atij personalisht u intereson jashtëzakonisht problemi i Kosovës dhe se në Jugosllavi ka ardhur për ta ndihmuar kombin shqiptar.

…Është fakt se EASH-i ka korrur sukses të dukshëm në planin e ndërkombëtarizimit të ‘problemit të Kosovës’, i cili tashmë ka marrë një farë legjitimiteti ndërkombëtar, për shkak se në disa mjedise miqësore me emigracionin në Perëndim për ‘lëvizjen’ flasin sikur disa lëvizje të njohura çlirimtare (p.sh. PLO), ndërsa pozitën e shqiptarëve në RSFJ e krahasojnë me pozitën e palestinezëve në Izrael….”.