` . Pro futuro..! - TV SHENJA

Pro futuro..!

Shkruan: Driton Demiri

Zotërinj,

Derisa e quajmë veten ekonomist, dikush duhet të thotë atë që duhet të thuhet e të rrugëtojmë në drejtim të një horizonti shprese;

Besoj se mund të kujtohemi, u bë gati gjashtë muaj në këtë situatë pandemie. Habia më e madhe është se, vallë ka kaluar më e keqja kur bëhet fjalë për ekonominë? A kemi kaluar dot rrezikun? Përgjigja është se praktikisht, jemi në pritje se kurrë kjo situatë shëndetësore disi të zgjidhet e të përfundojë e më e keqja është se çka do pasojë, le të themi së paku brenda dy tre muajve të ardhshëm! E nëse ri përsëritet, do të jetë shumë vështirë për ekonominë,…

…Në përgjithësi, ajo çka është bërë deri më tani është minimale. Nga kjo pikëpamje, njerëzit nuk mendojnë më, ata ndiejnë. Ata kanë nevojë për likuiditetin e nevojshëm. Dhe me të drejtë e kanë, gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi, kujdesi kërkohet të jetë këmba-këmbës për jetesë! Jeta e tyre duhet të ketë rëndësi e jo për të qenë të ri skllavëruar dhe përjetësisht të varfër dhe të uritur. Paratë të rishpërndahen siç duhet, të mendohet mirë e mirë për mirëqenien!

Ndërkaq, nga ana tjetër, zakonisht si pikë vëzhgimi është shumë më lehtë për të keqpërdorur, kur më shumë para janë përreth. Në radhë të parë kjo shpjegohet duke supozuar se, pagat e mbijetesës si dhe paketat humane financiare nga sovereign credit deri më tani  nuk kanë dhënë efektin e duhur për gjenerim të aktivitetit ekonomik, dhe nuk janë edhe aq për tu lavdëruar, kanë qenë shumë pak. Madje nuk u shpërndanë edhe siç duhet! Që do të thotë se paraja e huazuar kësisoj nuk është futur në ekonomi, dhe në të dytën ajo çka ishte më kryesorja; ruajtja e vendeve të punës, konditë e cila nuk u përmbush. Është evidente se, deri më tani sipas të dhënave zyrtare janë humbur 12 mijë sosh. Edhe pse humbja e vendeve të punës është çështje e një situate të hatashme globale sui generis pas lockdown-it, megjithatë është plotësisht e vërtetë e pamohueshme.

Ka një çështje më të thellë;

Asnjë vend nuk mund të funksionojë si stepë e si shkretirë. Sidomos, para se gjithash në këtë krizë!

Le të mos përpiqet askush ti fsheh mendimet, duhet qenë sa më transparentë. Kemi “rezistuar” kësaj krize kryesisht vetëm sepse nuk jemi të ndërlidhur globalisht për nga ekonomia. Dhe përse ngurrohet të thuhet se, qeveria, përkatësisht qeverisja është një makth, jo çast gazmor?!  E kështu për tre dekada nuk zutë mend asnjëra, madje asnjëri, duke u përpjekur vetëm se, për një garuzhdë në buxhet. Ndofta nuk është e rastit pse “sistemi” tërësisht është themeldalë, dhe pse buxheti rrjedhimisht po vuan! Nuk është as e çuditshme që askush nuk po lufton më për të ndërtuar sistem  vlerash. Për pasojë, nëse akoma nuk ka një qeveri besimi, nuk ka shpëtim përveç migrimit.

Por, ka edhe një arsye thelbësore;

Të mos futemi në qerthullin e hamendësimeve dhe mos pritni njerëzit t’ju japin raport, marrja borxh është miza në vaj. Nëse ai borxh është i pashmangshëm dhe i detyruar, kursimet janë edhe më se të detyruara, sepse kur bëhen të gjitha llogaritjet, kur të gjitha faturat shlyhen, më e rëndësishme është se sa para kanë mbetur në portofol. Ndërsa nëse ndihmohemi me para, gjëja më e zgjuar është, ato para të shpenzohen në projekte racionale që rrisin atraktivitetin dhe cilësinë në ekonomi. Fatbardhësisht, me përjashtim të borxhit të detyruar për likuiditet të buxhetit, ekonomisë dhe përballje me pandeminë, tre miliardë euro ndihmë të drejtpërdrejta të parashikuara, grante përmes një kornize financiare shtatë vjeçare nga BE-ja kanë nevojë për trajtim të përshpejtimit zhvillimor pro futuro. Rrethanat tashmë imponojnë imperativ, vendet tjera veç më hartojnë strategji se si do duket ekonomia në të ardhmen. COVID-19, dixhitalizimi, shëndetësia e paprekur, ekonomia e gjelbër, ajri i pastër, turizmi gjithëpërfshirës, bujqësia etj., tash e tej nuk janë vetëm sfidë por edhe mësim. Përkundrazi, për të mbitheksuar se, nëse vazhdojmë ende te ngecim duke qenë të parëndësishëm, edhe më keq madje, është ekstremisht në rrezik përparimi strukturor.

E çka do të ndodh kur paratë nuk do jenë?

Mos ti përkeqësojmë punët! Programet ambicioze kërkojnë punë permanente për ti realizuar objektivat dobiprurëse. Qeveritë më efikase e më të mira janë ato qeveri që marrim vendime të menjëhershme. Në këtë rast, programi qeveritar nuk është i një modeli ekonometrik porse i atij politik. Sidoqoftë, është një rregull e njohur se, ekonomia nuk shkon kurrë pa politikë, por nuk shkon as edhe pa strategji e studime parimore bazuar në të dhëna  të fenomeneve ekonomike. Duhet qenë të vetëdijshëm se, politika duhet të shoqërojë rimëkëmbjen e ekonomisë në çdo hap. Si e tillë, ajo po ashtu është e detyruar ta zgjidhë atë. Të përzgjedh, paracaktoj e të vlerësoj shpejtë e shkathtë prioritetet në ç ‘sferë duhet ndihmuar e financuar. Me një fjalë, të merremi veshtë, bisedohet për përgjegjësi, jo për influencë! Më e rrezikuara është fuqia punëtore, vendet e punës. S’i për fakt, kemi prekur fundin për nga punësimi i të rinjve. Megjithëse, s’duhet të konsiderohet si katastrofë çdo gjë që thuhet, porse argumenti tregon se, çdo gabim ka kosto që dita ditës, muaj për muaj, vit për viti na çon dëm, ku vala e papunësisë mund të rikthehet e të bëhet edhe më e lartë!

Për të përkufizuar e për më shumë, të këpusim vargonjtë e majtë;

Tashmë gjithçka është e qartë, reformat ekonomike domosdo të zbatohen. Mendoj se keni të drejtë kur thoni se, është koha ekonomia jonë përfundimisht të transformohet, struktura e saj të ndryshojë. Por, kur flasim në këtë drejtim duhet kuptuar se, para se gjithash nevojitet një klimë me kapacitete të reja të ndryshimit. Prandaj, domosdo tregu të evoluojë por pikë së pari në këtë momentum duhet ruajtur struktura e më pastaj të stimulohet drejt një impulsi të ri.  Mbase, ekonomia do të del nga kriza kur tregu i mirëfilltë të jetë dominues e të hartojë projekte të reja e jo qeveria. Patjetër të mësojmë të jemi sa më produktiv e sa më konkurrues. Aktualisht, produktiviteti përafërsisht është një zero e madhe! Nga ky pikë vështrim, shpjegimi është shumë i thjesht, qeveria le të bëj pjesën e saj, ndërsa tregu pjesën e vet. Le të marrë frymë ekonomia! Që nënkupton se, investimet private kapitale janë mekanizëm që na nxjerrin nga kriza. Kjo do të ndodh, vetëm përmes lamtumirës së periferisë ekonomike dhe jo seriozitetit politik nëpërmjet sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Si qeveria ashtu edhe tregu me krimin, korrupsionin dhe oligarkinë është punë e pambaruar, dhe këto dukuri infektive përveç pandemisë duhet të zgjidhen e të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Në thelbin e kësaj, nuk ka arsye të fajësohen të tjerët, është i vetmi kalim që përfitimet të merren në rrugë të drejtë e të shpërndahen në mënyrë të drejtë, dhe të gjithë që paguajnë taksa do jenë të kënaqur e të lumtur.

 

Çfarë t’u them tjetër?!