Prezantohen masat e programit për uljen e ndotjes së ajrit

Menaxhimi i drejtpërdrejtë me burimet e ndotjes, krijimin e vetëdijes publike, nga mosha parashkollore e deri te ajo e pensionit, ndryshime në ligjet të cilat janë të nevojshme dhe zbatimi i Platformës për koordinim dhe ndjekje të realizimit të programit. Këto janë katër komponentët në të cilat bazohet Programi për uljen e ndotjes së ajrit.

Këtë sot e tha zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Jani Makraduli në Qeveri ku u mbajt dita e katërt nga vargu i ditëve të hapura për iniciativa të organizatave qytetare, që ka të bëjë me “Planin për ajër të pastër” për vitin 2019 dhe korniza e tij kohore për zbatim.
“Qëllimi i Programit në vitin 2019 është se si të arrijmë sa më shumë shfrytëzues të cilët nuk do të ndotin ajrin. Qytetarët, një pjesë e madhe e tyre, nuk dëshirojnë të ndotin ajrin, por për fat të keq statusi social është ashtu si është, ndërsa detyra jonë është se si të ofrojmë alternativë dhe kjo është detyrë e Programit për uljen e ndotjes së ajrit”, tha Makraduli.

Ai informon se gjatë këtij viti do të realizojnë dy aktivitetet e para. Kjo është kyçja e konviktit të studentëve “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup në operatorin e ngrohjes. Për momentin aty ka 490 studentë, ndërsa ngrohja është me mazut dhe në periudhën e dimrit shpenzohen 230 tonë. Në nivel vjetor ka shpenzime prej 7,1 milionë denarë, prej të cilave pesë milionë i mbulon shteti. Me kyçjen në operatorin e ngrohjes shpenzimet, siç tha, do të ulen për rreth 5,3 milionë denarë.