‘Presim një tjetër jo’, Rama diskutim me Vuçiç dhe Kovaçevskin për samitin e BE

‘Presim një tjetër jo’, Rama diskutim me Vuçiç dhe Kovaçevskin për samitin e BE

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka komunikuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski në lidhje me samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet më 23 qershor në Bruksel.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se nga ky samit pret një tjetër përgjigje negative, sa i takon çeljes së negociatave me BE-në.

Kjo sipas kreut të qeverisë, për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, për të cilën ende BE-ja nuk po gjen dot një zgjidhje.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruan Rama në Twitter.
Konferenca e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor do të mbahet një ditë para sesionit të Këshillit të BE-së 23-24 qershor që pritet të vendosë për integrimin e vendeve të rajonit.

Shqipëria dhe RMV presin hapjen e negociatave, gjë e cila kërkon heqjen e vetos nga Bullgaria, kurse Kosova pres liberalizimin e vizave. /Euronews/