` . Presidenti ukrainas shpall ditë zie pas rrëzimit të aeroplanit ushtarak - TV SHENJA

Presidenti ukrainas shpall ditë zie pas rrëzimit të aeroplanit ushtarak

Aeroplani, i tipit Antonov-26, që i përkiste Forcave Ajrore ukrainase, kishte në bord 20 kadetë të shkollës ushtarake të aviacionit dhe shtatë pjesëtarë të ekuipazhit.

Avioni u rrëzua dhe më pas u mbërthye nga flakët mbrëmjen e 25 shtatorit, teksa po aterronte në aeroportin në Chuhuyiv, që gjendet rreth 400 kilometra në lindje të kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Fillimisht, dy persona i kishin mbijetuar rrëzimit të avionit, por më pas njëri prej tyre vdiq në spital nga plagët e marra.

Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka shpallur 26 shtatorin ditë zie, për të nderuar viktimat e këtij aksidenti.

Zelenskiy, që vizitoi vendin ku u rrëzua aeroplani, bëri thirrje për hetim të plotë rreth gjendjes së pajisjeve të ushtrisë së vendit. Kryeministri Denys SHmyhal ka bërë thirrje që raporti zyrtar për rrëzimin e aeroplanit të përpilohet deri më 25 tetor.

“Dje kemi humbur kadetë të rinj dhe ushtarakë me eksperiencë. I gjithë vendi do t’i kujtojë ata sot, së bashku me familjet e tyre”, tha Zelenskiy.

Aeroplani i tipi Antonov-26, përdoret edhe nga ushtria, por edhe për transport të civilëve.

Aeroplani i rrëzuar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, ishte i prodhuar në vitin 1977. /REL