` . Presidenti Pendarovski merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih - TV SHENJA

Presidenti Pendarovski merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidenti Stevo Pendarovski prej sot e deri më 16 shkurt të vitit 2020, do të marrë pjesë në Konferencën e 56-të të Sigurisë në Mynih.

Pendarovski të dielën, më 16 shkurt, do të ketë fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ndërsa paraprakisht do të flasë edhe në tryezën e rrumbullakët “Dialogjet ballkanike”, në të cilën është paraparë pjesëmarrje e Josep Borel Fonteles, nënkryetar i Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i Punëve të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë së BE-së, Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, Edi Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Vuçiq, president i Republikës së Serbisë dhe Ekaterina Zaharieva, zëvendëskryeministre e Reformës Gjyqësore dhe ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë.

Siç bëri të ditur kabineti i tij, presidenti Pendarovski gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih do të realizojë takime me disa pjesëmarrës në tubim.

Në Konferencën e 56-të të Sigurisë në Mynih është paralajmëruar pjesëmarrja e mbi 500 liderëve në sferën e politikës, biznesit, sferës akademike, shoqërisë qytetare, organizatat shëndetësore, përfshirë mbi 35 shefa të shteteve dhe qeverive dhe mbi 100 ministra të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes.

Në fokus të Konferencës së 56-të të Sigurisë në Mynih janë roli i Perëndimit në botën globale, situata aktuale në Evropë, Kinë, Rusi dhe SHBA, ndodhitë në Mesdhe, Lindjen e Afërt dhe Azi Jugore, si dhe çështje që kanë lidhje me koronavirusin dhe me ndryshimet klimatike.

Konferenca e Sigurisë në Mynih, me të cilën kryeson ambasadori Volfang Ishinger, është forum në nivel global, i dedikuar çështjes së sigurisë, promovimin e zgjidhjes së qetë të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu në tejkalimin e sfidave të sigurisë në kohën e sotme dhe në të ardhmen.