Presidenti i Kroacisë: Do të përjetohet periudha më kritike e luftës në Ukrainë

Presidenti i Kroacisë: Do të përjetohet periudha më kritike e luftës në Ukrainë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka folur mbi vendimin e “mobilizimit të pjesshëm” të shpallur nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Ai tha se do të përjetohet “periudha më kritike” e luftës në Ukrainë.

Milanoviq, i cili mori pjesë në një konferencë në kryeqytetin Zagreb, ka theksuar se rubla ruse vazhdon në vijën e stabilitetit dhe stagnimit.

“Kjo do të thotë zgjatje e luftës në Ukrainë, sepse ekziston një situatë për të financuar luftën. Unë besoj se Putin ofron mbështetje politike të brendshme për shkak të këtij stabiliteti ekonomik”, tha Milanoviq.

Duke theksuar se Perëndimi synon ta lodhë Rusinë, Milanoviq tha se, “Megjithatë, pas 6 muajsh, ne shohim se Rusia nuk është në gjendje të bëjë të pamundurën me gjithsej 150 mijë ushtarë profesionistë. Tani mobilizimi i pjesshëm po vazhdon, sepse ushtarët profesional do të përdoren si këmbësori”.

Presidenti kroat tha se Rusia nuk është ndikuar ekonomikisht, duke shtuar se përkundrazi, ndaj Putinit është krijuar një hapësirë ​​politike.

Rreth vendimit të Putinit për “mobilizim të pjesshëm”, Milanoviq tha: “Kjo është një nga çështjet më të ndjeshme për një udhëheqës, sepse këtu hyn në lojë faktori nënë. Ushtarët profesionistë nuk kanë nëna, por një nënë nuk mund ta durojë djalin e saj të mobilizuar, sado i shenjtë të jetë qëllimi i saj. Në këtë rast do të përjetohet periudha më kritike në luftën e Ukrainës”.

Sipas dekretit të nënshkruar nga Putin për mobilizimin e pjesshëm që fillon sot, shtetasit e Federatës Ruse të thirrur për shërbimin ushtarak përmes mobilizimit do të kenë statusin e personelit ushtarak që shërben në ushtrinë ruse sipas kontratës.