Presidenti Biden do të vizitojë Arabinë Saudite

Presidenti Biden do të vizitojë Arabinë Saudite

Presidenti Joe Biden konfirmoi të martën se do të vizitojë Arabinë Saudite muajin e ardhshëm për bisedime me udhëheqësit e saj, një ndryshim dramatik në qëndrimin e tij ndaj mbretërisë që ai e kishte quajtur një vend “të padëshirueshëm” kur ishte kandidat për president.

Me vizitën e tij që do të jetë pjesë e një udhëtimi nga 13 më 16 korrik në Lindjen e Mesme, ku do të shkojë edhe në Izrael dhe Bregun Perëndimor, zoti Biden po tërhiqet nga qëndrimi i tij i ashpër ndaj Arabisë Saudite për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Ai po përpiqet të rigjallërojë marrëdhëniet në një kohë kur Shteteve të Bashkuara mund t’u duhet ndihma e vendit të pasur me naftë për ulur çmimet në rritje të karburantit brenda vendit dhe në mbarë botën.

Vizita në Arabinë Saudite do të përfshijë bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësin de fakto të mbretërisë, sipas Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarëve sauditë. Zyrtarët e zbulimit amerikan kanë thënë se Princi Mohammed ka të ngjarë të ketë urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Në një shkëmbim të shkurtër me gazetarët të martën, zoti Biden reagoi me nervozizëm kur u pyet për vizitën e tij të ardhshme në Jeddah dhe vuri në dukje se ekipi i tij kishte lëshuar një deklaratë për “gjithçka që do të bëj në Lindjen e Mesme”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe disa aleatë demokratë e paralajmëruan presidentin Biden, duke thënë se një vizitë e tillë pa kërkuar më parë angazhime për të drejtat e njeriut do t’u dërgonte një mesazh udhëheqësve sauditë se nuk ka pasoja për shkelje të jashtëzakonshme të të drejtave. Sauditët janë akuzuar se kanë përdorur arrestime masive, ekzekutime dhe dhunë për të shuar disidencën.

Por në një kohë të rritjes së çmimeve të karburantit, shqetësimeve në rritje për programin bërthamor të Iranit dhe shqetësimit të vazhdueshëm se Kina po zgjeron praninë e saj, zoti Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kanë arritur në përfundimin se nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara që të izolojë sauditët, veçanërisht princin e kurorës.

Ambasada saudite në Uashington tha se vizita bëhej me ftesë të mbretit të vendit “për të forcuar marrëdhëniet historike dypalëshe dhe partneritetin strategjik midis” dy vendeve.

Shtëpia e Bardhë njoftoi për udhëtimin pasi Arabia Saudite nxiti OPEC-un këtë muaj që të rriste prodhimin e naftës me 648,000 fuçi në ditë në korrik dhe gusht, dhe mbretëria ra dakord të zgjasë një armëpushim të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara me Jemenin. Zoti Biden e quajti vendimin e armëpushimit saudit “të guximshëm”.

Princi Mohammed, i cili zakonisht njihet me inicialet e tij, MBS, luajti një “rol kritik” në ndërmjetësimin e një zgjatjeje të armëpushimit, sipas një zyrtari të lartë të administratës që informoi gazetarët në kushtet e anonimitetit.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se Mbreti Salman e ftoi presidentin Biden të vizitojë mbretërinë gjatë një takimi në qytetin port Xhedah të gjashtë vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit – Bahrein, Kuvajt, Oman, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe — si dhe Egjiptit, Irakut dhe Jordanisë.

Ajo la të kuptohej se zoti Biden do të ngrinte shqetësime për të drejtat e njeriut me zyrtarët sauditë, por nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse presidenti do bisedonet me Princin Mohammed për vrasjen e gazetarit Khashoggi.

“Është e rëndësishme të theksohet se megjithëse ne po i rikalibrojmë marrëdhëniet, ne nuk po përpiqemi t’i prishim ato ,” tha zonja Jean-Pierre. “Por çështjet e të drejtave të njeriut, bisedimet për të drejtat e njeriut (janë) diçka që presidenti ngre me shumë udhëheqës dhe planifikon ta bëjë edhe në këtë rast.”

Ndalesa e parë e zotit Biden gjatë turneut në Lindjen e Mesme do të jetë në Izrael për një takim të planifikuar prej kohësh me kryeministrin izraelit Naftali Bennett në Jerusalem. Më pas ai do të takohet me udhëheqësit e Autoritetit Palestinez, përfshirë Mahmud Abbasin, në Bregun Perëndimor. Biden do ta mbyllë udhëtimin me vizitën në Xhedah./VOA