Prej nesër shtrenjtohet rryma, pushteti dhe opozita i lexojnë ndryshe përqindjet

Prej nesër shtrenjtohet rryma, pushteti dhe opozita i lexojnë ndryshe përqindjet

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson se me tarifimin e ri të rrymës elektrike, ata që shpenzojnë më pak do të pagujanë më pak energji elektrike. Sipas ekzekutivit, për 98.8 për qind të familjeve, çmimi mesatar i energjisë elektrike do të rritet për 7.4 për qind. Sistemi i tarifave është drejtpërdrejt proporcional, i dimensionuar në shfrytëzim të konsumatoërve, ndërsa  tarifat e lira do të mbeten nga ora 22:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit.

Qeveria
“Në kushtet e rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat botërore, për mbrojtje nga rritja e çmimeve të larta , nga 1 korriku fillon reforma tarifore për llogaritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo do të thotë një lloj takse e drejtë, ata që shpenzojnë më pak do të paguajnë më pak, në krahasim me ata që shpenzojnë më shumë do të paguajnë më shumë. Qëllimi është të inkurajohet përdorimi racional dhe efikas i energjisë elektrike. Tarifimi i ri i drejtë është rezultat i një debati të gjerë transparent dhe publik ekspertësh me palët e përfshira në sektorin e energjisë”

Nga Qeveria thonë se edhe në periudhën e kaluar mbështetja qeveritare ndaj EMV-së për të siguruar çmim prej 48 euro për megavat në orë për furnizim universal për 100 për qind  përmbushje e nevojave të amvisërive dhe konsumatorët e vegjël, mundësoi që çmimi i rrymës për amvisëritë të mos rritet për 145 për qind, që do të thotë mbështetje për çdo amvisëri mesatarisht 3.500 denarë në muaj, ose 42.000 denarë në nivel vjetor.

Për dallim nga pushteti, opozita thotë të kundërtën. Sipas VMRO DPMNE-së opozitare, LSDM-ja dhe BDI-ja po godasin popullin duke rritur çmimin e energjisë elektrike.

VMRO-DPMNE
“LSDM e fsheh rritjen enorme pas të ashtuquajturave tarifa. Shumica e njerëzve do të paguajnë 18 për qind dhe 138 për qind  më shtrenjtë energjinë elektrike. Ata që deri dje paguanin 4.000 denarë do të paguajnë 5.000 denarë, ndërsa ata që paguanin 5.500 denarë do të paguajnë mbi 13.000 Denarë. Më të prekura do të jenë amvisëritë që ngrohen me ngrohje elektrike, nëse vitin e kaluar paguanin 13.000 denarë, tani do të paguajnë mbi 28.000 denarë në muaj për ngrohjen e shtëpive”.

Sipas VMRO DPMNE-së, LSDM dhe BDI shkatërruan sistemin energjetik duke shpenzuar 200 milionë euro për import të energjisë elektrike, sepse qeveria ka shkatërruar prodhimin vendas të energjisë elektrike duke vjedhur, dhe tani duan që t’i varfërojnë edhe qytetarët.

Linda Ebibi /SHENJA/