Pranë ndërgjegjes së vrarë të një kombi

Pranë ndërgjegjes së vrarë të një kombi

Gjykimi kritik mbi të kaluarën është parakusht i emancipimit dhe zhvillimit normal të një shoqërie a kombi. Aq më tepër, kur ky ballafaqim me të kaluarën ka të bëjë me një tragjedi të madhe e sistem të dënueshëm, si komunizmi. Për sa kohë që nuk ekziston vullneti i mjaftueshëm kolektiv e politik për ta bërë këtë gjykim kritik dhe për të gjykuar krimet e komunizmit, ndërgjegjja shqiptare mbetet e vrarë, ideali i dëshmorëve i nëpërkëmbur dhe mundi i liridashësve i pashpërblyer.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Populli shqiptar ka përjetuar disa ngjarje, momente e, madje, sisteme politike të rënda, madje vetëm për t’u menduar. Në rrugëtimin e historisë së vonë ai është përballur me disa nga plagët dhe tragjeditë më të thella të ndërgjegjes dhe vuajtjes njerëzore. Si shembull, populli shqiptar në Kosovë përjetoi tragjedinë që nga fillimi i shekullit 20 që u manifestua me vrasje, tortura, burgosje e dëbime nga pushtimi serb. Ai në Shqipëri përjetoi një ndër tragjeditë më të mëdha që u manifestua me vrasje, burgosje, mungesë lirie, persekutim e mbyllje dhe kështu bashkë me lirinë vrau edhe shpirtin e ndërgjegjen njerëzore, e ajo tragjedi është komunizmi.

Asnjë komb me ndërgjegje të zgjuar, me vetëdije për veten dhe subjektivitetin e vet historik e shpirtëror nuk do ta kalonte pa e shënuar e gdhendur mirë në kujtesë dhe pa larë hesapet me atë që ka ndodhur. Kjo larje hesapesh, analizë sistematike, do të duhej të ishte urgjencë, për të mundësuar kështu të ridefinohet edhe një herë e mira, e keqja, armiku, miku, liria, robëria, përulja dhe integriteti, shpirtërorja e materializmi. Në të kundërtën rrëfimi i kombit përmes të cilit ndërton të tashmen dhe të ardhmen, rrezikohet të mbetet nën tutelën e definimeve që kanë derivuar nga ajo e keqe e madhe, vetëm se me emra e dukje të re.

Gjykimi kritik mbi të kaluarën është parakusht i emancipimit dhe zhvillimit normal të një shoqërie a kombi. Aq më tepër kur ky ballafaqim me të kaluarën ka të bëjë me një tragjedi të madhe e sistem të dënueshëm si komunizmi. Do të duhej të mjaftonte rrëfimi personal, ditari a biografia e vetëm një shqiptari të vetëm që ka kaluar nëpër ndëshkimin komunist për të ngritur alarmin për jetën dhe lirinë e vrarë, për traditën dhe shpirtin e groposur, pra për të hapur dosjet. Dosjet për një gamë kriminale që në vrapin pas utopisë absurde të komunizmit, binjakëzon me armikun tradicional të shqiptarëve dhe autorin e masakrave nëpër fshatrat e Kosovës, rrëfimin për jetën dhe shoqërinë. Për sa kohë që nuk ekziston vullneti i mjaftueshëm kolektiv e politik për ta bërë këtë gjykim kritik dhe për të gjykuar krimet e komunizmit, ndërgjegjja shqiptare mbetet e vrarë, ideali i dëshmorëve i nëpërkëmbur dhe mundi i liridashësve i pashpërblyer. Nuk mund të shpëtojë së gjykuari e në harresë një dramë që ka goditur edhe indin më të thellë të jetës e kujtesës, familjen, kur dëmet e vuajtjet e tij jetohen edhe sot e kësaj dite. Një shoqëri me ndërgjegje të zgjuar e me mendje normale nuk mund ta kalojë një heshtje atë dramë. Po ashtu do të duhej të mjaftonte rrëfimi personal, ditari a biografia e vetëm një shqiptari të vetëm që ka kaluar nëpër ndëshkimin komunist për të kuptuar se gjykimi i krimeve të komunizmit dhe hapja e dosjeve nuk është procedurë administrative, është detyrë morale dhe njerëzore, është obligim kombëtar e demokratik dhe akt i vonuar i ndërgjegjes shqiptare të vrarë.

Nisur nga këto premisa, hapja e dosjeve të komunizmit nuk duhet kundruar nga jashtë, nga mendësia burokratike e nga prizmi i një formaliteti që legjitimon rrugën e mëtejme (pra jo si mjet), por duhet kundruar e përjetuar nga brenda, si përpjekje për të zbutur plagën e krimeve që ka bërë komunizmi, si kompensim minimal për sakrificën e qëndrestarëve dhe jetët e pafajshme të humbura. Moshapja e këtyre dosjeve nën pretekstin se krijon polarizime të reja dhe të panevojshme në një shoqëri vijnë nga një mjedis e mendësi, që në rastin më të mirë s’ka asnjë ideal, nuk ndjen asgjë për atë që ka ndodhur, nuk beson në asgjë për kombin e vet dhe në rastin më të keq nga një mjedis e mendësi që është në esencë ende komuniste, por për shkak të koniunkturës fshihet nën narracionet e bukura të liberalizmit e demokracisë, paqes e stabilitetit. Nuk ka asnjë kuptim të amnistohet në heshtje ai regjim me në krye figurën e Enver Hoxhës e të mos jetë a priori shkelje bazike e dinjitetit dhe shpirtit të këtij populli. Me një ndërgjegjësim më të spikatur shoqëror duhet të ndërmerret ky akt i vonuar, hapja e dosjeve, dhe ai regjim me bartësit e vet të vendoset në ditarin e historisë tradhtare që i takon, e në aspektin juridik të marrë aktvendimin që i takon.