` . Prakticiteti i Xhuvanit dhe muzikaliteti i Prenushit - TV-SHENJA

Prakticiteti i Xhuvanit dhe muzikaliteti i Prenushit

Përfshirjen e fonemës [ë] si formant shumësi, në vend të kundërvënies së zanoreve “të shkurtra ~ të gjata”, e shoh si punë të qëlluar, sepse një formë morfologjike shumësi e vjetër zëvendësohet me një formë më të re të thjeshtë.

Shkruan: Haki YMERI – BINA

 

Shkodranët e pranuan elbasanishten e Aleksandër Xhuvanit, por me mospërfillje (Nuk e përfillën një variant gjuhësor qendror të shqipes, për të pranuar, më vonë, një variant skajor). Edhe Fishta, megjithëse sheshit u pajtua me këtë intervenim, vendimet e Komisisë Letrare i kundërshtonte në praktikë. Vallë shkodranët dhe një pjesë e madhe e pjesëtarëve gegë kishin të drejtë? Mendoj se pjesërisht po, sa i përket kthimit të grupeve bashkëtingëllore dhe vokalike të asimiluara në dialektin gegë, për t`u shkruar dhe shqiptuar të plota si në toskërishte. Këtë e shoh si proces retrograd dhe mjaft të rëndë për bazën artikuluese të pjesëtarëve gegë, pavarësisht qëllimit shumë fisnik për ta bërë një afrim të të dy varianteve letrare që përdoreshin në Shqipërinë e atëhershme. Ky vendim i Komisisë Letrare mund të merret si “lëshim pe” para përkrahësve të variantit letrar të toskërishtes.

Këtë proces të kthimit prapa të zhvillimit gjuhësor të dialektit gegë, po ta paraqesim me një shembull konkret, do të ngjante me një garë të dy garuesve në vrap, në të cilin garuesi i parë që ik para kthehet prapa për ta vazhduar vrapin me garuesin më të ngadalshëm. Këto grupe tani shkruhen të plota. Në një të ardhme, relativisht të gjatë, ndër gegët, këto forma do të motivohen nga tradita dhe do të shqiptohen dhe lexohen një kohë shumë të gjatë të asimiluara, si më parë, pa rrafshuar pamoren me dëgjimoren. Kjo ndodh kështu meqenëse, sipas kodit dialektor të pjesëtarit gegë, do të veprojë një lloj “parimi tradicional” në bazë të kodit të tij, të cilin e ka të fiksuar thellë në kokë. Nuk e di si do të veprojnë gjeneratat pas një kohe relativisht të gjatë lidhur me formën e shkruar të tyre, por jam më se i sigurt se shumica gege (ma merr mendja edhe toskë) do t`i shqiptojnë të asimiluara të dyja palët (si rezultat i ekonomisë gjuhësore), që do të thotë se aty ku ishte gegërishtja para shumë kohësh, aty do të arrijë edhe gjuha standarde lidhur me grupet e bashkëtingëlloreve dhe të zanoreve (Sipas Joklit dhe Çabejt). Sidoqoftë, edhe një kohë do të gjatë do të zbatohet parimi morfologjik në bashkëveprim me parimin tradicional, sepse grupet e bashkëtingëlloreve do të lexohen ose shqiptohen sikur të ishin të asimiluara, ndërsa togjet e zanoreve si të monoftonguara.

Ndryshe nga kjo, përdorimi i “ë”-së si formant shumësi do të ketë jetë shumë të gjatë si formë më e qëlluar e shumësit të emrave sesa forma me kundërvënie e zanoreve të gjata-të shkurtra. Prandaj vendimin për mosshënimin e gjatësisë së zanoreve lidhur me këtë edhe me kundërvënien e zanoreve të shkurtra me zanoret e gjata, si formant shumësi, duhet veçuar nga çështja e grupeve të zanoreve dhe të bashkëtingëlloreve. (S. Riza, “Tri monografina albanologjike”në “Vepra” 1., Prishtinë,1996,f. 151.)

Muzikaliteti i Prenushit

 

Zëvendësimi i formantit të vjetër të shumësit të emrit me zbatim të fonemës [ë] e shqetësoi pa masë Vinçenc Prenushin, poetin, folkloristin, publicistin, përkthyesin, filozofin dhe teologun e kohës së tij, të cilin komunistët e dënuan me 20 vjet burg, ku edhe ndërroi jetë. Mosshënimin e gjatësisë së zanoreve ai e shihte me keqardhje, duke menduar se shqipes i hiqej një stoli me të cilën gjuha jonë paraqitej më e kumbueshme. Këtë e shihte si një të padrejtë, të cilën e quante “atentat ndaj gjuhës shqipe”. Prenushi, me atë vesh muzikal që kishte, nuk mund ta kuptonte një gjuhëtar profesionist të shkëlqyer, si ç`ishte Aleksandër Xhuvani, i cili sakrifikonte një veti vokaliteti të shqipes për shkaqe më praktike, për të fituar një lehtësim në futjen e fonemës [ë] si formant shumësi. Nga ana tjetër, XHUVANI këtë e bënte edhe për të afruar variantin e standardit me bazë dialektore – të folmen e elbasanishtes me një variant toskë (Prof. Xhuvani e kishte parasysh se edhe në Gegëri zanoret e gjata në shumë pika dialektore nuk shqiptoheshin si të gjata dhe se një ditë ky proces do të përfundonte, kështu që edhe kundërvënia: zanore të shkurtra ~ zanore të gjata, si formant shumësi, do ta humbte aftësinë për të kryer punën e një formanti gramatikor).

Mendoj se Vinçenc Prenushit muzikalitetin nuk ia ka prishur përqafimi i përdorimit të [ë]-së si formant shumësi, si kërkesë drejtshkrimore, por mospranimi “de jure” të një fakti shumë evident të mosleximit dhe mosshqiptimit të kësaj [ë]-je (Meqenëse rregullat e drejtshqiptimit nuk u sollën ende, në asnjë fonetikë nuk mund të gjesh një fjali në të cilën thuhet se ajo [ë] nuk duhet shqiptuar ose lexuar, edhe pse thuhet se ajo nuk dëgjohet ose dëgjohet shumë e regjur).

Ajo, si tani, edhe atëherë duhet të ketë dalë shumë e regjur, ashtu që mosshqiptimi i saj ta kompensonte humbjen e vokalitetit, duke zbatuar kundërvënien e vokaleve të gjata ~ të shkurtra si formant shumësi, me [ë], e cila quhet [e] e shurdhët. Ky fakt i pakodifikuar në drejtshqiptim e ka “vrarë” veshin e stërholluar muzikal të Vinçenc Prenushit, e jo futja e zanores së patheksuar [ë] si formant shumësi shumë praktik. Pavarësisht se kjo futje e [ë]-së në përdorim, e zmadhon në masë frekuencën e përdorimit të zanores [ë], por me kodifikim të drejtë të mosshqiptimit të saj, edhe ashtu të regjur, kompensohet humbja në vokalitet e, nga ana tjetër, zëvendësohet shënimi jopraktik i shumësit të disa emrave me kundërvënie të zanoreve të shkurtra ~ të gjata. Me zbatimin e kësaj [ë]-je, si formant gramatikor, ajo përveç këtij funksioni, shërben edhe si shenjë superstrukturor që e kompenson “vokalitetin e humbur” të gjuhës për të cilin “vajtonte” Vinçenc Prenushi.

 

Gjendja e sotme dhe perspektiva

 

Kjo gjë ende pritet të kodifikohet me sjelljen e rregullave të drejtshqiptimit, të cilat si duket as stërnipërit e Vinçenc Prenushit nuk do ta arrijnë derisa ka gjuhëtarë të cilët “mendojnë” se me mosleximin e [ë]-së së regjur shqipja “humb” në vokalitet.

Përfshirjen e fonemës [ë] si formant shumësi, në vend të kundërvënies së zanoreve “të shkurtra ~ të gjata”, e shoh si punë të qëlluar, sepse një formë morfologjike shumësi e vjetër zëvendësohet me një formë më të re të thjeshtë. Përveç kësaj zanoret e gjata në gegërishte janë në humbje e sipër, kështu që një ditë kur këto zanore të gjata do të identifikohen me zanoret e shkurtra, atëherë edhe funksioni i kundërvënies së tyre për të funksionuar si formant shumësi do të devalvohet. Nëse te grupet e bashkëtingëlloreve dhe togjeve të zanoreve kemi një proces retrograd, te pranimi i fonemës [ë], si formant shumësi në vend të kundërvënies së zanoreve të shkurtra ~ të gjata, kemi proces, përkundrazi, të avancuar (para se të devalvohet një sistem i vjetër i formimit të shumësit me kundërvënie zanoresh “të shkurtra ~ të gjata”, pranohet një sistem i ri me anë të funksionit të fonemës/ë/si formant shumësi).

Vendimi i Komisisë Letrare për një gjuhë të vetme dhe ortografia e saj me bazë dialektore elbasanishten u miratua nga Kongresi Arsimor i Lushnjës me 1920, ndërsa në vitin 1923 , me vendim të qeverisë së atëhershme shqiptare, zbatimi i së cilës u bë i detyrueshëm, u përdor gjer ne vitin 1940, me plot diskutime e polemika shterpe për pasurimin dhe perfeksionimin e saj. Diskutime më me vlerë dhe me propozime për plotësim të normës janë ato të Namik Resulit dhe të Selman Rizës, ndërsa Rajko Nahtigal i Universitetit të Graz-it, së bashku me Gjergj Pekmezin dhe Ndre Mjedën, bënë kërkime gjuhësore në Elbasan.

Ky ishte një propozim të cilin e pranuan edhe pjesëtarët e Shkodrës, pasi u bindën për përparësitë që kishte e folmja e Elbasanit, si një variant më unik ndër të folmet e dialektit gegë dhe, normalisht, shumë e afërt me të folmet toske.

Maksimilian Llamberci nuk ishte i një mendjeje me Rajko Nahtigal-in dhe me të tjerët, që ishin të një mendimi të përcaktuar për dialektin e Elbasanit, sepse ai e preferonte dialektin e Shkodrës.

Prof. Bahri Beci, pas një analize të gatë lidhur me pikëpamjet e Komisisë Letrare për gjuhën letrare shqipe, i nxjerr këto përfundime:

  1. a) Komisia Letrare shënon përpjekjen më serioze shkencore për normëzimin e gjuhës letrare;
  2. b) Është padyshim normëzimi i parë i gegërishtes letrare me kritere e koncepte shkencore të drejta kombëtare;
  3. c) Është hapi i parë i rëndësishëm drejt afrimit të gegërishtes letrare të shkruar me toskërishten letrare të shkruar;

ç) Komisia Letrare, në fakt, përgatiti terrenin që lehtësoi kalimin nga gegërishtja letrare standarde (deri më 1944) në toskërishten letrare standarde (1945-1946), pikërisht në rrugë zyrtare.